Dënimi i Salih Mustafës nga Gjykata Speciale, reagon DASH: Nuk është kundër UÇK-së apo Kosovës

denimi i salih mustafes nga gjykata speciale reagon dash nuk eshte kunder uck se apo kosoves
Ned Price

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price tha se Shtetet e Bashkuara mirëpritën vendimin e Gjykatës së Posaçme të Kosovës me seli në Hagë e cila dënoi ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa, me 26 vjet heqje lirie nën akuzat për krime lufte.

Salih Mustafa, u shpall fajtor për vrasje dhe torturë në një qendër paraburgimi në Kosovë, në pranverën e vitit 1999.

Duke iu referuar vendimit të trupit gjykues, zëdhënësi Price tha se “vendimi nuk është aktgjykim kundër UÇK-së apo Kosovës, por ka të bëjë vetëm me përgjegjësinë penale individuale të të pandehurit. Ky aktgjykim është një hap i fortë për të ndihmuar Kosovës që të mbështesë sundimin e ligjit dhe për të siguruar drejtësi për viktimat”.

Zoti Price tha se SHBA-ja gjithashtu përgëzon “guximin e viktimave dhe dëshmitarëve individualë dhe dënon kërcënimet dhe frikësimet me të cilat janë përballur. Pa këta individë të guximshëm, drejtësia nuk do të ishte e mundur”, tha ai.

Vendimi i djeshëm është i pari i Gjykatës së Posaçme që u themelua në vitin 2015 nga parlamenti i Kosovës mes reagimeve dhe protestave në Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

“Ky verdikt është indinjues. Cili është mesazhi që i jep ky verdikt ukrainasve që sot luftojnë kundër agresorit?”, shkroi mes tjerash kryeministri i KOsovës në një reagim në rrjetet sociale. “Lufta e çdo populli kundër pushtuesve e okupatorëve është e drejtë universale. Është e papranueshme kur çlirimtarin na e gjykojnë më rëndë se agresorin gjenocidal”, shkroi ai.

Kosova doli nga lufta e viteve 1998-1999 me mbi 10 mijë te vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur, ndërsa edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e rreth 1 mijë e 600 personave, pjesa më e madhe të përkatësisë kombëtare shqiptare.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts