Departamenti amerikan i Drejtësisë thotë se prokurorët federalë u prekën nga sulmet kibernetike

Hakerët rusë që kryen fushatën masive kibernetike ndaj kompanisë amerikane SolarWinds depërtuan në llogaritë e postës elektronike të disa prej prokurorive më të spikatura federale në të gjithë vendin vitin e kaluar, tha Departamenti i Drejtësisë.

Departamenti tha se 80% e llogarive të emailit të Microsoftit të përdorura nga punonjësit në katër zyrat e prokurorëve amerikanë në Nju Jork ishin prekur nga sulmi kibernetik. Departamenti i Drejtësisë tha se të paktën një llogari emaili në secilën nga 27 zyrat e prokurorisë, u komprometua gjatë sulmit.

Departamenti i Drejtësisë tha në një deklaratë se beson se llogaritë janë komprometuar nga 7 maji deri më 27 dhjetor 2020. Ndërhyrja në sistemet e kompanisë SolarWinds, në shënjestër të së cilës ishin dhjetëra kompani të sektorit privat dhe organizata si edhe të paktën nëntë agjenci qeveritare amerikane, u zbulua dhe u publikua për herë të parë në mes të dhjetorit.

Administrata e Presidentit Bidenit njoftoi në prill sanksione, përfshirë dëbimin e diplomatëve rusë, në përgjigje të sulmit kibernetik ndaj firmës SolarWinds dhe ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2020. Rusia ka mohuar të jetë e përfshirë.

Jennifer Rodgers, një profesore në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit Columbia, tha se emailet e zyrës shpesh përmbanin informacione konfidenciale përfshirë diskutime për strategjinë e çështjeve dhe emra informatorësh, kur ajo ishte prokurore federale në Nju Jork.

Zyra Administrative e Gjykatave të SHBA-së konfirmoi në janar se edhe ajo kishte qenë objekt i sulmit kibernetik, një tjetër pikë ndërhyrjeje për hakerët për të vjedhur informacione konfidenciale si sekrete tregtare, objektiva spiunazhi, raporte informatorësh dhe urdhra arresti.

Mes zyrave të prekura janë ato të profilit të lartë si në Los Anxheles, Majami, Uashington dhe Virxhinia.

Distriktet Jugore dhe Lindore të Nju Jorkut, ku u depërtuan një numër i madh i emaileve të punonjësvet, trajtojnë disa nga ndjekjet penale më të mëdha në vend.

“Nju Jorku është qendra financiare e botës dhe ato distrtikte janë veçanërisht të njohura për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve në korporata dhe raste të tjera, përfshirë hetimin e njerëzve të afërt me ish-presidentin,” tha Bruce Green, profesor në Universitetin Fordham dhe ish –prokuror.

Departamenti tha se të gjitha viktimat ishin njoftuar dhe se po punon për të zbutur “rreziqet operacionale, të sigurisë dhe privatësisë” të shkaktuara nga hakerimi. Departamenti i Drejtësisë tha në janar se nuk kishte asnjë të dhënë se mund të ishte prekur ndonjë sistem i klasifikuar.

Departamenti i Drejtësisë nuk dha detaje shtesë lidhur me informacionin e komprometuar dhe çfarë ndikimi mund të ketë një ndërhyrje e tillë në çështjet që po shqyrtohen.//VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *