Departamenti i Drejtësisë: Trump nuk mund të mbahet përgjegjës për komentet “fyese”

Donald Trump nuk mund të mbahet personalisht përgjegjës për komentet “e vrazhda dhe fyese” drejtuar një gruaje e cila e kishte akuzuar për përdhunim, pasi i kishte bërë komentet ndërsa ishte president, thanë juristët e Departamentit amerikan të Drejtësisë të hënën vonë në një gjykatë apeli.

Përgjigja ndaj akuzave për sjellje të gabuar është pjesë e punës së presidentit, i thanë juristët e qeverisë Gjykatës së Apelit të Qarkut të 2-të të Shteteve të Bashkuara. Për këtë arsye, vetë Shtetet e Bashkuara dhe jo zoti Trump, duhet të konsiderohen si i pandehuri në një proces gjyqësor për shpifje të hapur nga E. Jean Carroll, e cila thotë se ish-presidenti Trump e përdhunoi atë në mes të viteve 1990 në një dyqan luksoz në Manhatan.

Në mbrojtjen për zotin Trump të depozituar të hënën, Departamenti i Drejtësisë po vijon një përpjekje që filloi nën ish-Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-së, William Barr kur zoti Trump ishte ende në detyrë.

Ndërhyrja e zotit Barr tetorin e kaluar u kritikua gjatë fushatës nga kandidati i atëhershëm demokrat për president Joe Biden, i cili tha se ishte e papërshtatshme që Departamenti i Drejtësisë të përpiqej të ndërhynte në një betejë private ligjore mbi sjelljen personale të zotit Trump.

Mbajtja e të njëjtit qendrim nga Departamenti i Drejtësisë në ndjekjen e çështjes, edhe pasi zoti Trump humbi zgjedhjet, është përmendur nga disa si provë se presidenti Biden po i përmbahet premtimit se nuk do të përpiqet të ndikojë në lëvizjet e departamentit.

Roberta Kaplan, avokate e zonjës Carroll, një gazetare dhe opinioniste, tha në një deklaratë se ishte “e tmerrshme” që zoti Trump kishte përdhunuar klienten e saj por ishte “me të vërtetë tronditëse që Departamenti aktual i Drejtësisë do të lejonte që Donald Trumpi të mos mbante përgjegjësi për faktin që kishte gënjyer për një gjë të tillë, largohej duke gënjyer për këtë, duke e privuar kështu klienten tonë nga paraqitja në gjykatë. ”

“Pozicioni i Departamentit të Drejtësisë jo vetëm që është i gabuar ligjërisht, por është moralisht i gabuar pasi do t’u jepte zyrtarëve federalë leje për të fshehur sjelljen e papërshtatshme private seksuale duke brutalizuar verbalisht publikisht çdo grua që ka guximin të ngrejë zërin,” tha ajo.

“Ta quash një grua që e ke sulmuar seksualisht një” gënjeshtare “, një” të përdalë” ose “jo tipi im”, siç bëri Donald Trump, nuk është sjellje zyrtare e një presidenti amerikan.”

Në një deklaratë, zonja Carroll tha: “Ndërsa gratë në të gjithë vendin ngrihen dhe i vënë burrat përgjegjës për sulme seksuale – Departamenti i Drejtësisë po përpiqet të më ndalojë të kem të njëjtën të drejtë. Unë jam e indinjuar! Jam e ofenduar!”

Avokatët e Departamentit të Drejtësisë në Uashington shkruanin se zoti Trump po vepronte “brenda rolit të postit të tij ” kur mohoi akuzat pasi gazetarët e Shtëpisë së Bardhë e pyetën atë për pretendimet e zonjës Carroll.

Ata thanë: “Zyrtarët e zgjedhur publikë mund – dhe shpesh duhet të adresojnë – pretendime në lidhje me veprime të gabuara personale që ngjallin dyshime se sa të përshtatshëm janë për postin e tyre.”

“Edhe një sjellje e neveritshme mund të jetë brenda asaj që lejon posti “, shkruajnë juristët, duke pranuar se zoti Trump përdori gjuhë “të ashpër dhe pa respekt” kur vuri në dyshim besueshmërinë e zonjës Carroll.

Ata thanë se komentet që e sulmonin atë nga pamja e jashtme, vinin në diskutim motivet e saj dhe nënkuptuan se ajo kishte bërë akuza të rreme kundër të tjerëve “ishin pa diskutim të panevojshme dhe të papërshtatshme”. Por ata thanë se “të gjitha ishin thënë për të mohuar se kishte pasur keqbërje”.

Dokumentat u depozituan pasi Departamenti i Drejtësisë apeloi një vendim të gjyqtarit Lewis A. Kaplan, i cili vendosi në tetor se zoti Trump nuk mund të përdorë një ligj që mbron punonjësit federalë nga paditja si individë për veprime që bëjnë brenda kompetencave të detyrës së tyre.

Argumentet që mbështesin qëndrimin e Departamentit të Drejtësisë u paraqitën gjithashtu të hënën nga një avokat personal për ish-presidentin Trump. /VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *