
Ish- presidenti Bamir Topi, i ftuar në emisionin “Frontline” në News24 me gazetaren Marsela Karapanço, ka folur mes të tjerash për situatën politike në vend.
Ai e ka krahasuar PD-në me një të sëmurë që po lëngon në shtrat ndërsa ka shtuar se ekziston nevoja për riorganizim, por jo pas një sigle e individi.
Topi u shpreh se PD është kthyer në një parti që nuk frymëzon më, e një parti e tillë sipas tij nuk ka më fuqinë të bëjë rotacion.
Ish-presidenti ka folur edhe në lidhje me deputetët dhe lëvizjet që po bëhen për zgjedhjet parlamentare të 2025, ku tha se ata janë kthyer në shembullin më të keq të një politikani, që lufton për një karrige si strehë në Parlament duke u kthyer në rrogëtarë, me rroga të majme tashmë pas rritjes së pagave.
Pjesë nga diskutimi në studio:
Ç’duhet bërë me PD?
Bamir Topi: Sa më shumë kalon koha aq më shumë shfaqet klinika, si një sëmundje që nuk e shfaq veten të plotë në fillim. Tani shohim një pacient në shtrat që po lëngon.
Në politikë ai që nuk parashikon ndërmerr rrugëtime të panevojshme, të cilat përfundojnë në mjaft raste në greminë. Shoh një rast elokuent ku një parti që ka një histori të vetën, sa vjen dhe e mbulojmë historinë e PD me momente negative, por historia e saj është e bukur.
Nëse kthejmë kohën pas shohim që ka shumë suksese.
Në 1995 u bë pjesë e Këshillit të Europës, më pas rrugëtimi drejt NATO-s, liberalizimi i vizave, pavarësia e Kosovës ku edhe ne kishim pjesën tonë.
Në vijim të kësaj rruge jemi në një fazë që kjo sigël tek e cila tentojnë të kapen të mbyturit e njerëzit pa personalitet nuk ka asnjë lloj shansi.
Fakti që këta vijojnë të kenë grupimet e tyre, shoh që do vijojnë të kapen pas siglës, dikush do krijojë një parti tjetër, do shkojnë qoftë tek sigla apo kuptimi do përafrohen, dhe kjo do të konfuzojë më shumë njerëzit. Në bazë të këtyre “mendjeve të ndritura” kjo gjë po shkon shumë keq.
Po në lidhje me fraksionet, Statuti i zotit Berisha duket se është më liberal në këtë pjesë?
Bamir Topi: Historia e fraksioneve të zotit Berisha është një teori e konsumuar. Ai e ka thënë gjithmonë, fraksionet jo nga pikëpamjet statutore por nga pikëpamja e demokracisë së brendshme. Jeta e forume brenda PD ishte më e organizuar por fraksionet dhe zërat e veçante edhe mund të lejoheshin por vendimmarrja ishte në funksion të numrave. Në një formacion të copëzuar, fraksioni nuk të vlen.
A mendoni që mund të ketë një ringritje të logos?
Bamir Topi: Ardhja këtu duke folur për situatën e dobët të PD, më mbush me autosugjestion. Më duket se vi me një dëshirë për të kritikuar, vij me dëshirën për një analizë politike.
Ndjehet nevoja për riorganizim, por jo pas një sigle e individi sepse njerëzit janë të mbushur me situatat traumatike të asaj partie, me eliminimet e elitës politike atje.
Kjo parti nuk të frymëzon më dhe kur nuk frymëzon nuk bën dot më rotacion.
Si ka mundësi që si Basha si Berisha rikthehen?
Bamir Topi: Figurat më të mëdha të futbollit botëror si Pele, Platini, kanë qenë në një kohë që dem9ostronin talentin, tani janë në pension.
Kujt i mungon talenti për të qenë trajner Bashës apo Berishës?
Bamir Topi: Po flas për sindromën e një opozite që përmbledh shumë parti të tjera, janë të gjitha në një krizë identitare. Duke qenë në krizë nuk gjejnë dot kohezionin me njëri0-tjetrin. Kur nuk e gjen partia më e madhe. Këtu secili kërkon të ecë në një korsi të vetën. Nëse vijohet në këtë mënyrë do ketë dezintegrim final e të dhimbshëm të një partie politike. Ato që nuk e pranojnë ose janë tifozë, ose janë të lidhur me interesa.
A shihni lëvizje për 2025, nga deputetët?
Bamir Topi: Burokratë të parlamentit që e dinë që në këtë gjendje nuk bëjnë dot rrotacion politik por secili po luan për vete që të kenë një karrige e një strehë në Parlament. Ky është niveli më i ulët i një politikani, rrogëtar në Parlament.
(BalkanWeb)
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al