
09:14 11/09/2023
Siç kanë raportuar më herët autoritetet, janë mbi 2 mijë njerëz që kanë humbur jetën si pasojë e tërmetit në Marok.
Fatkeqësisht përveç bilancit tragjik të viktimave, ka ende qindra të zhdukur kërkimet për të cilët vijojnë në mënyrë intensive.
Përmes një artikulli, Sky News ka sjellë një panoramë më të qartë të asaj që po ndodh në Talat Nyakoub, qyteti i cili mori më shumë dëme pasi ndodhej pranë epiqendrës së tërmetit.
Artikulli i plotë:
Helikopterët ushtarakë janë vënë në lëvizje për furnizimin me ushqime dhe veshmbathje të banorëve në shumë fshatra të largët, ata po largojnë gjithashtu të plagosurit e viktimat nga Marrakesh.

Dhjetëra të mbijetuar mezi shihen prej reve të mëdha të pluhurit që kanë përfshirë qytetin ndërkohë që ekipet e kërkim-shpëtimit po gërmojnë në qytetin Talat Nyakoub.
Ka ende shpresë se poshtë rrënojave mund të ketë njerëz të gjallë, por e vetmja gjë që sheh janë fytyra të zymta.
Qindra njerëz bëhen bashkë pranë rrugëve që tashmë janë shpërbërë. Nën to, ekipet prej 12 personash gërmojnë pa u ndalur. Zhurma e vetme që dëgjohet është e kazmave, apo ndonjë njeri që vajton kur kupton se ka humbur thuajse çdo gjë.

Si në të gjitha rastet e tërmeteve që lënë pas bilance të tilla, koha kthehet në një garë dëshpëruese për të shpëtuar jetë. Por në Marok, me kalimin e orëve, shpresa zbehet…
Gjetja e të mbijetuarve është vështirësuar edhe prej vapës së madhe. Kur shikon fotot, më shumë duket sikur aty ka ndodhur një shpërthim e jo një tërmet.
Sigurisht, dëshmitë e njerëzve janë rrëqethëse.

Air Said Mohamed thotë se ai shpëtoi më shumë se një duzinë njerëz para se punonjësit e shpëtimit të shkonin në vendngjarje. “Ndonjëherë e gjen dikë të gjallë, ndonjëherë jo! Por ka shpresë, kam shpëtuar 3 njerëz këtu dhe 10 në fshatin tjetër”, thotë Air Said.
Kur gjendet një trup, ai nxirret nga rrënojat, mbështillet me një batanije dhe vendoset në një barelë portokalli. Ekipet më pas e çojnë trupin në një park makinash të mbuluar nga pluhuri që është bërë pika kryesore e grumbullimit. Familjarët nëse ndodhen aty shkojnë pas tyre dhe e vetmja gjë që dëgjojnë veshët janë klithmat.
Edhe një 18-vjeçare e quajtur Heba u gjet e pajetë sot, trupi i saj u vendos te parkingu i makinave. E gjithë familja e saj mbijetoi, por Heba nuk ja doli dot. Nëna e babai i saj qanin të përqafuar. Por, kjo nuk është e vetmja skenë e trishtë që mund të të shohin sytë në Marok.
Fatima ka humbur 10 anëtarë të familjes së saj, të tjerët i janë zhdukur.

“Brenda pak sekondash gjithçka ra, disa njerëz dolën me vrap nga shtëpitë e tyre, të tjerë nuk ia dolën”, tha ajo.
Megjithëse pjesa më e madhe e punës nga ekipet e kërkim-shpëtimit bëhet me dorë, ekipet herë pas here përdorin pajisje për të thyer dyshemetë dhe tavanet e ndërtesave, pasi tashmë është bërë e vështirë t’i dallosh.

Youssef Id Mesouad qëndron ende në majë të shtëpisë së tij, më saktë mbi grumbullin e rrënojave. Ai ka shpresë se do gjejë babain e tij të gjallë dhe përpiqet t’u shpjegojë ekipet projektin e shtëpisë.
Gjatë gjithë ditës trupat e të sapogjeturve vendosen rresht në parkingun e makinave. Familjet e tyre ulen pranë tyre. Është pikërisht ky moment që njeriu nuk ndjen më as shpresë./tvklan.al