Dhjetëra ushtarë të vrarë mes Armenisë e Azerbajxhanit

22:51 13/09/2022

Një tjetër front lufte hapet rreth Rusisë. Konflikti midis Armenisë dhe Azerbajxhanit u rindez. Rezultati, dhjetëra ushtarë të vrarë nga të dyja palët.

Kryeministri armen Nikol Pashinyan tha se 49 ushtarë vdiqën në përleshjet gjatë natës. Viktima ka edhe në mesin e ushtrisë azere, por numri i tyre mbetet i pazbuluar. Të dy vendet kanë luftuar dy luftëra dhe kanë parë përplasje të rregullta më të vogla gjatë tre dekadave.

Rusia tha se ndërmjetësoi një armëpushim për konfliktin. Armenia tha fillimisht se luftimet vetëm ishin qetësuar, në vend që të kishin përfunduar plotësisht. Më vonë, Azerbajxhani tha se kishte përmbushur  objektivat pas “provokimeve” nga fqinji.

Nënkoloneli azer Anar Eyvazov u tha gazetarëve në një konferencë në Baku të martën se forcat e armatosura armene kishin përqendruar armatimin sulmues, artilerinë e rëndë dhe personelin e shërbimit në zonat kufitare.

“Të gjitha këto fakte tregojnë edhe një herë se Armenia po përgatitet për një provokim ushtarak në shkallë të gjerë,” tha Eyvazov.

Në thelb të mosmarrëveshjes është rajoni separatist i Nagorno-Karabakut. Ky rajon sipas kufijve të njohur ndërkombëtarisht, është pjesë e Azerbajxhanit, por i populluar nga armenë etnikë.

Ndarja kulturore shtrihet përtej politikës dhe shkon deri tek feja: Armenia është një vend me shumicë të krishterë, ndërsa Azerbajxhani është kryesisht mysliman.

Luftimet janë dënuar ndërkombëtarisht. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u telefonoi personalisht udhëheqësve të të dy vendeve të martën, duke u kërkuar që të gjejnë një zgjidhje paqësore dhe të parandalojnë luftime të mëtejshme.

Rusia është afër Armenisë, por është një fuqi e madhe në rajon dhe ruan marrëdhënie me të dyja palët. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se presidenti Vladimir Putin po merr “personalisht” një rol ndërmjetësues.

“Presidenti natyrisht po bën çdo përpjekje për të ndihmuar në uljen e tensioneve në kufi”, tha ai.

Turqia, ndërkohë, ka lidhje me Azerbajxhanin dhe me sa duket ka mbështetur versionin e saj të ngjarjeve. Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, tha se “Armenia duhet të ndalojë provokimet e saj dhe të përqendrohet në negociatat e paqes”.

Luftimet e së hënës mbrëma besohet të jenë më të ashprat që nga konflikti i vitit 2020, në të cilin u vranë mijëra vetë.

Klan News

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts