Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA vendos: Ngritje të komisionit hetimor për sulmet ndaj Kapitolit

Dhoma e Përfaqësuesve votoi të mërkurën për krijimin e një komisioni për të hetuar sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit nga qindra përkrahës të ish-Presidentit Trump. Sulmi u organizua për të penguar çertifikimin e fitores së demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2020.

Votimi i së mërkurës, i cili formalizoi krijimin e komisionit që ishte njoftuar nga Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi javën e kaluar, u zhvillua në vija partiake, 220-190, ku shumica e ngushtë demokrate votoi pro dhe pjesa dërrmuese e republikanëve votoi kundër. Republikanët Liz Cheney dhe Adam Kinzinger, të dy kritikë të ish-Presidentit Trump, votuan me demokratët, pro krijimit të komisionit.

Në bazë të rezolutës së Dhomës së Përfaqësuesve, komisioni do të ketë 13 anëtarë, tetë prej tyre të emëruar nga zonja Pelosi dhe pesë nga ligjvënësi Kevin McCarthy, udhëheqësi i republikanëve në këtë Dhomë, “në këshillim” me zonjën Pelosi, gjë që nënkupton se ajo ka të drejtën t’u vërë veton disa kandidatëve.

Vota për krijimin e komisionit vjen pasi Dhoma e Përfaqësuesve miratoi krijimin e një komisioni dypartiak për të hetuar sulmin ndaj Kapitolit. Pesë vetë gjetën vdekjen në këtë sulm. Deri tani janë ngritur akuza ndaj më shumë se 500 pjesëmarrësve, ndërsa dëmet materiale llogariten në 1.5 milionë dollarë./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *