Dialogu Kosovë-Serbi/ Presidentja Osmani: Njohja reciproke, e vetmja zgjidhje që të çon drejt paqes dhe stabilitetit afatgjatë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani thotë se njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja zgjidhje që çon drejt paqes dhe stabilitetit afatgjatë dhe se gjysmë zgjidhjet i japin hapësirë të mjaftueshme Serbisë që të vazhdojë të afrohet më shumë me Rusinë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës nga Nju Jorku ku ndodhet për takime në kuadrin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, presidentja e Kosovës tha se forcat politike në Kosovë duhet të jenë të bashkuara në lidhje me politikën e jashtme ndaj Serbisë.

Lidhur me asociacionin e komunave serbe, zonja Osmani tha se Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, jo atë që është nënshkruar në Bruksel, si edhe se Serbia vetë nuk ka zbatuar rreth dy të tretat e marrëveshjeve që ka nënshkruar.

Në intervistën me gazetaren Keida Kostreci, Presidentja Osmani përsëriti qëndrimin kundër Ballkanit të Hapur, për shkak se Kosova nuk ka mundësi që të anëtarësohet si e barabartë. E pyetur për marrëdhëniet me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, zonja Osmani tha se politikanët shqiptarë nga çdo vend ku janë, nuk duhet të justifikojnë veprimet dhe politikat e Serbisë.

Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, lufta e pashembullt e Rusisë ndaj Ukrainës ka krijuar një kontekst të ri për çështjen e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Cilat janë pritshmëritë e Prishtinës për këtë proces dhe si po ndikojnë zhvillimet e fundit tek këto pritshmëri?

Vjosa Osmani: Natyrshëm pritshmëritë e Republikës së Kosovës janë që ky proces të jetë i përqëndruar në njohjen reciproke, sepse kjo është e vetmja zgjidhje që çon drejt paqes dhe stabilitetit afatgjatë. Gjysmë zgjidhjet në fakt asnjëherë nuk prodhojnë paqe dhe stabilitet afatgjatë, por në anën tjetër i japin hapësirë të mjaftueshme Serbisë që të vazhdojë të afrohet më shumë me Rusinë dhe po ashtu të investojë edhe më shumë në destabilizimin e rajonit tonë. Për fat të keq edhe kjo që po ndodh tashmë në Ukrainë që nga 24 shkurti i viti 2022, po dëshmon se shtetet autokratike, siç është Serbia, siç është Rusia e cila e kontrollon edhe Serbinë, asnjëherë nuk shquhen për veprime pozitive në raport me fqinjët e tyre, përkundrazi, Serbia vetëm sa është forcuar në veprimet e saj destabilizuese. Dhe tani ju e keni parë që vetëm sa e ka rritur bashkëpunimin qoftë politik, qoftë ekonomik apo ushtarak me Rusinë, duke ndikuar kështu edhe në rritjen e ndikimit rus në tërë rajonin tonë dhe rrezikimin e tërë rajonit tonë. Prandaj besoj që kjo çfarë po ndodhë në Ukrainë të jetë një mësim për të gjitha shtetet perëndimore se me shtetet tilla të cilat udhëhiqen me mendësinë e (Vladimir) Putinit, siç është edhe vet Serbia, që udhëhiqet nga një ish ministër i (Slobodan) Millosheviçit, duhet gjuhë e qartë, duhen veprime të qarta. Edhe vetë marrëveshja e fundit që Serbia nënshkroi me Rusinë për t’i përcaktuar vijat e politikës së saj të jashtme në fakt në bashkëpunim me Rusinë dhe jo me Bashkimin Evropian, është një mesazh i qartë se Serbia nuk është e interesuar që të kontribuoj për paqe e stabilitet në rajon apo të anëtarësohet në BE. Përkundër veprimeve të tyre ne si Republikë e Kosovës po tregojmë vazhdimisht konstruktivitet, angazhim pozitiv dhe po fokusohemi që i gjithë dialogu me Serbinë i ndërmjetësuar nga BE-ja dhe i përkrahur fuqishëm nga SHBA-ja, të jetë një proces që vërtet i kontribuon paqes afatgjatë në rajonin tonë dhe natyrisht që është i përqëndruar në njohjen reciproke.

Zëri i Amerikës: Zonja presidente megjithëse, siç e përmendët edhe ju, Prishtina këmbëngul për njohje reciproke, këto ditë po qarkullon një variant tjetër sipas modelit të dy Gjermanive pas Luftës së Dytë Botërore. A është kjo një ide që meriton një vëmendje serioze?

Vjosa Osmani: Dokumentet që kanë qarkulluar në disa media nuk janë dokumente që i janë propozuar apo dorëzuar ndonjëherë Republikës së Kosovës. Mos harroni që sa herë që ka përpjekje të intensifikuara në dialogun Kosovë-Serbi gjithnjë kemi edhe dokumente që dalin nga organizata fantome që propozohen e ide të ndryshme që propozohen në mediat, por në fakt të tillat nuk kanë qenë të propozuara si dokumente të tilla në takimet tona. Ajo çfarë është duke ndodhur, megjithatë, është një intensifikim i rolit të Gjermanisë dhe të Francës si dy shtete të fuqishme brenda BE-së për të ndihmuar që ky proces të jetë shumë më produktiv. Sepse, mos harroni që interesi i Serbisë është që të zvarrisë zgjidhjen. Interesi i Serbisë është që të vazhdojmë edhe me dhjetëra vite të tëra, ndoshta edhe me qindra vite është interes i tyre pa arritur asgjë në këtë proces dialogu ta mbajë Kosovën peng. Prandaj është shumë me rëndësi që e kemi këtë përkrahje të fuqishme jo vetëm nga BE-ja si tërësi, por edhe nga shtetet e veçanta si Gjermania dhe Franca në nivelet sa më të larta, në mënyrë që të shtyhen përpara zgjidhjet të cilat kanë për qëllim paqen dhe stabilitetin afatgjatë e jo vetëm zgjidhjet e shkurtra. Natyrisht që në këto takime diskutohet shumëçka, por ajo çka është me rëndësi është se tani jemi në fazën kur po diskutohen elementet e marrëveshjes finale. Dhe sa i përket këtyre elementeve ne kemi dhënë propozimin tonë. Ai propozim është publik. Ka të bëjë me gjashtë kapituj kryesor dhe secili kapitull i ka detajet e veta.

Zëri i Amerikës: Zonja presidente, ju thatë që nuk ka ardhur një dokument i tillë në shtetin e Kosovës. Do të konsiderohej një propozim i tillë në qoftë se do të vinte?

Vjosa Osmani: Po tani aty të ju them sinqerisht ajo që është publikuar as nuk mund të quhet propozim sepse është më shumë një lloj narrative. Republika e Kosovës siç e dini, ka një politikë të jashtme konsistente tashmë, në këtë një vit e gjysmë që jemi në institucionet e Republikës së Kosovës, ku të gjitha qëndrimet bashkërendohen në të gjitha nivelet e institucioneve, ndërmjet meje si presidente e Republikës dhe njëkohësisht udhëheqëse e politikës së jashtme, kryeministrit të Republikës që udhëheq dialogun me Serbinë, pastaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme, e njëkohësisht edhe kryetarit të parlamentit. Natyrisht që bisedojmë edhe me opozitën për të gjitha sfidat me të cilat përballemi dhe e mirëpresim edhe kontributin e tyre në këtë drejtim. Pra, qëndrimi i Republikës së Kosovës është që ky proces duhet të jetë i përqëndruar në njohje reciproke, dhe vijat e kuqe për këtë proces tashmë i ka vendosur parlamenti i Kosovës, ato janë rrugëtimi ynë, udhërrëfimi ynë i vetëm. Pra, që nuk mund të ketë prekje të integritetit territorial, nuk mund të ketë prekje të sistemit kushtetues edhe parimit të unitaritetit të shtetit dhe as nuk mund të preket funksionaliteti i brendshëm i Republikës së Kosovës. Natyrisht që nuk vihen në shprehje të diskutohen çështje siç është sovraniteti apo kufijtë e Kosovës, këto janë udhërrëfyesi ynë.

Zëri i Amerikës: Ju sapo përmendët që mirëpritet edhe roli i opozitës por ndërkohë partitë e opozitës kanë bërë kritika ndaj qeverisë se nuk janë të informuar sa duhet për procesin. Si presidente, si mund të kontribuoni ju për një dakordim më të mirë ndërmjet partive politike për këtë çështje?

Vjosa Osmani: Unë i kam ftuar disa herë partitë politike opozitare në takime ku synimi ka qenë që t’i informoj më në hollësi për të gjitha këto zhvillime. Në disa takime kanë ardhur, në disa nuk kanë ardhur, prandaj edhe këtu e shfrytëzoj mundësinë që t’i inkurajoj që ata t’u përgjigjen ftesave të tilla, të cilat e kanë vetëm qëllimin e mirë të bashkërendimit të plotë të politikës sonë të jashtme dhe posaçërisht të politikës sonë në raport me Serbinë. Kjo sepse sa i takon raporteve tona me Serbinë, sfidave që i paraqet ky shtet ndaj nesh, ne duhet të jemi të bashkuar siç e kemi dëshmuar edhe shpesh herë gjatë historisë sonë dhe i tërë qëllimi i këtyre takimeve ku unë i ftoj opozitën, është që ata të jenë mirë të informuar për aq sa kam informata edhe unë si presidente natyrisht nga komunikimi me partnerët tanë ndërkombëtarë, sepse unë mendoj që është me rëndësi pavarësisht sa ulëse i ka një parti në parlament që ta japë kontributin e vet të rëndësishëm sa i përket përballjes sonë me Serbinë. Vetëm atëherë kur ne kemi qenë të bashkuar, kemi qenë të suksesshëm në këtë përballje.

Zëri i Amerikës: Zonja presidente, Beogradi thekson se Kosova nuk dëshiron t’i zbatojë marrëveshjet për asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe as vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Kosovës që të zbatojë këtë marrëveshje për asociacionin ose të dalë me një propozim të vetin. Cili është qëndrimi juaj?

Vjosa Osmani: Natyrisht që Beogradi vazhdon me propagandën e vet. Ajo që është me rëndësi ta përmendim është që Beogradi nuk ka zbatuar vetë rreth dy të tretat e marrëveshjeve që i ka nënshkruar në Bruksel, duke filluar nga ajo e vitit 2013 ku ishte zotuar që të shfuqizojë dhe të zhdukë të gjitha strukturat ilegale e kriminale në veri e gjetiu, por në fakt vetëm sa i ka fuqizuar duke rrezikuar kështu sigurinë e shtetit tonë, por edhe sigurinë e qytetarëve serbë e të tjerëve që jetojnë në veri të vendit tonë. Prandaj, nga Beogradi janë të fundit që mund të flasin për zbatim marrëveshjesh. Sa i përket deklaratave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatit tonë më strategjik, dua ta qartësoj që në fakt kërkesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është që ne të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese rreth Asociacionit, dhe jo atë që është nënshkruar në Bruksel. Ka dallim të madh, është një det i tërë në mes të asaj që është nënshkruar në Bruksel sa i përket Asociacionit dhe asaj që thotë Gjykata Kushtetuese e cila nuk lejon as kompetenca ekzekutive për një asociacion të tillë, as nuk lejon që ai të jetë monoetnik, as nuk lejon që ai të jetë një pushtet i ndërmjetëm që do të binte ndesh me Kushtetutën tonë. Prandaj qëndrimi ynë është ky, ne zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese i cili nuk lejon krijimin e entiteteve monoetnike sepse bie ndesh me vetë parimin e multi-etnicitetit dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk po kërkojnë që ne të biem ndesh me këtë vendim të gjykatës sonë.

Zëri i Amerikës: A po punohet për përshtatjen me atë vendim të gjykatës, pra me atë variant që përcakton vendimi i gjykatës?

Vjosa Osmani: Kosova tashmë e ka një bazë ligjore që u përgjigjet kërkesave të gjykatës Kushtetuese, ta zëmë ligji ynë për vetëqeverisje lokale lejon që komunat të krijojnë organizata joqeveritare për interesa të caktuara që ato duan të shtyjnë përpara, që të lobojnë me nivelin qendror të qeverisjes, por jo të kenë kompetenca ekzekutive dhe të krijojnë pushtet të ndërmjetëm që bie ndesh me Kushtetutën tonë. Pra ato që i kërkon vendimi i Gjykatës Kushtetuese tashmë janë pjesë e legjislacionit të Republikës së Kosovës. Pra, komunat e Republikës së Kosovës pavarësisht se çfarë shumice i takojnë, tashmë i kanë këto të drejta, të cilat veçse i ka kërkuar Gjykata Kushtetuese. Për më tepër në propozimin tonë gjashtë pikësh në Bruksel sa i përket elementeve të marrëveshjes finale, ne kemi propozuar që po ashtu të diskutohet për të drejtat e pakicave, mirëpo, gjithnjë duke marrë për bazë parimin e reciprocitetit. Pra gjithçka që diskutohet për të drejtat e serbëve në Kosovë duhet patjetër të diskutohet e miratohet edhe për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, sepse mos harroni se edhe vet organizatat ndërkombëtare kanë ardhur në konkluzion se çfarë po ndodh në Luginën e Preshevës. Në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc është spastrim etnik me mjete administrative ndaj shqiptarëve nga ana e regjimit të (Aleksandër) Vuçiçit.

Zëri i Amerikës: Zonja presidente, nisma “Ballkani i Hapur” shkaktoi një çarje në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë. Përse një nismë që synon bashkëpunimin krijon një situatë të tillë në mes vendeve që marrëdhëniet e tyre i kanë cilësuar vëllazërore?

Vjosa Osmani: Marrëdhëniet vazhdojnë të jenë vëllazërore. Kosova ka pasur fatin që gjithnjë ta ketë përkrahjen e fuqishme të Shqipërisë në çdo forum ndërkombëtar ku ne ende nuk kemi ulëse për shkak të bllokadës ruso-serbe dhe kjo ka ndodhur për vite të tëra edhe para pavarësisë por edhe pas pavarësisë, prandaj kjo përkrahje vazhdon, bashkëpunimi ynë vazhdon, pavarësisht dallimit që kemi për çështjen e “Ballkanit të Hapur”. Natyrisht arsyet e mospjesëmarrjes sonë në një nismë të tillë tashmë i kemi bërë të ditura, ato janë arsye parimore sepse kjo nismë bie në kundërshtim me parimin e barazisë së shteteve sepse Kosova nuk ka mundësi që të anëtarësohet si e barabartë, pra me emrin e saj kushtetues, me flamurin e saj dhe simbolet e saj shtetërore sepse Serbia si nismëtare e kësaj nisme ka qartësuar se e do Kosovën aty siç e quan ajo, si provincë të saj. Natyrisht kjo për ne është absolutisht e papranueshme sepse Kosova njëherë e përgjithmonë është shtet i pavarur dhe sovran dhe i barabartë me të tjerët në rajon. Pra një nismë e tillë që shkel parimin e barazisë së të gjithëve natyrisht që nuk mund të jetë e pranueshme për ne. Po ashtu është shkelur edhe parimi i gjithëpërfshirjes, sepse nismat rajonale siç e dini duhet të kenë parimin e gjithëpërfshirjes të respektuar që nga fillimi, që nga lindja e tyre dhe jo më vonë dhe ka shumë sfida tjera që i kemi parë dhe brengat e tjera që i kemi shprehur përgjatë kohës që kanë të bëjnë edhe me çështjen e integrimit evropian edhe me çështje të sigurisë edhe me çështje ekonomike dhe natyrisht që kërkojmë që ky qëndrim i Republikës së Kosovës i marrur në mënyrë të matur i përkrahur nga shumica dërrmuese e partive politike në vend dhe të gjitha institucioneve në vend pavarësisht a janë në pushtet apo opozitë, të respektohet nga të gjithë, ashtu siç ne e respektojmë qëndrimin që e ka marrë Shqipëria, por kjo është një çështje për të cilën nuk pajtohemi.

Zëri i Amerikës: Zonja presidente a u takuat me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në Nju Jork dhe a ka gjasa që marrëdhëniet mes jush të përmirësohen pasi që nuk është sekret që keni pasur disa mosmarrëveshje?

Vjosa Osmani: Mosmarrëveshjet janë të natyrës zyrtare për temat të cilat edhe i përmenda. Natyrisht që raportet ndërpersonale në mes të politikanëve janë komplet të parëndësishme, por çka është e rëndësishme është raportet ndërshtetërore. Unë kam raporte të shkëlqyeshme me presidentin (Bajram) Begaj, të cilin dua ta falënderoj se që nga fillimi i mandatit të tij ka bërë çmos që Kosovës t’i dëgjohet zëri edhe në raport me shtetet me të cilat ne akoma nuk kemi marrëdhënie bilaterale. Sa herë që kemi pasur nevojë për përkrahjen e tij, për ndihmën e tij për të shtyrë nisma të caktuara përpara, qofshin ato në nivel rajonal apo më gjerë, kemi mundur të llogarisim në të prandaj po e them që raportet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë si dy shtete janë të rëndësishme dhe jo raportet mes politikanëve individualë. Unë përmenda se cilat janë dallimet tona. Unë nuk mendoj që qasja ku politikanët shqiptarë, pavarësisht se a janë nga Kosova, nga Shqipëria, nga Maqedonia e Veriut apo nga Mali i Zi apo Presheva, shndërrohen në apologjetik të politikave të Serbisë është diçka që i ndihmon qoftë Kosovës qoftë shqiptarëve. Nuk mendoj që është e drejtë që të arsyetohet qasja dhe veprimet proruse të Serbisë, nuk mendoj aspak që është e drejtë që të arsyetohet Serbia që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë sepse kjo pastaj shkon në ato që quhen politika e “shpëtimit të fytyrës” së një regjimi në Serbi që po ashtu ka shërbyer edhe në kohën e (Slobodan) Millosheviçit. Po ashtu nuk mendoj që duhet të reduktohen krimet që janë kryer në Kosovë në spastrim etnik, sepse ajo çka ka ndodhur në Kosovë është gjenocid dhe duhet të quhet me emrin e saj të vërtetë. Sot ta zëmë, ne po përkujtojmë masakrën e Abrisë ku janë vrarë dhjetëra fëmijë, gra e pleq, më i vogli dy vjeçari Valmir Deliu me biberon në gojë është masakruar në mënyrën më mizore të mundur dhe kushdo që e shikon fotografinë e Valmirit të vogël nuk mund ta quajë atë që ka ndodhur në Kosovë thjesht spastrim etnik, sepse ajo që ka ndodhur në Kosovë është gjenocid, gjenocid e krime kundër njerëzimit dhe krime lufte dhe gjithçka tjetër është ndryshim historie. Prandaj edhe janë gjëra që unë i them shumë qartë, sepse nuk mendoj që nëse relativizohen shkojnë qoftë në interes të Kosovës qoftë në interes të shqiptarëve. Kosova si shtet i pavarur e sovran mos të harrojmë se është edhe projekt e sukses kombëtar, nuk është projekt e sukses vetëm i shqiptarëve të Kosovës është kombëtar, prandaj secili shqiptar gjithandej e ka obligim kombëtar që ta mbrojë e shtyjë përpara këtë projekt./VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *