“Disa deputetë të opozitës janë kundër vaksinimit”/ “Sherr” në Komisionin e Shëndetësisë, Manastirliu: Keni frikësuar qytetarët të shkojnë në spitale! Vokshi: Mos bëni propagandë








ogertamanastirliu

Komisioni i Shëndetësisë është kthyer në një arenë politike ku ka pasur shkëmbime akuzash mes anëtarëve demokratë dhe atyre socialistë, duke përfshirë dhe Ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Teksa iu përgjigjej pyetjeve të anëtarëve mbi procesin e vaksinimit në vend, Manastirliu deklaroi se disa deputetë të opozitës janë kundër vaksinimit, duke ndikuar dhe tek qytetarët që i mbështesin në mënyrë që të mos marrin dozën.

Sipas ministres, deklaratat e opozitës kanë frikësuar qytetarët që të shkojnë në spitale për t’u kuruar. Këto akuza kanë ndeshur me reagimin e kryetares së Komisionit të Shëndetësisë, Albana Vokshin. Ajo është shprehur se opozita nuk ka faj për dështimin e sistemit të shëndetësisë të menaxhuar nga qeveria.

Pjesë nga debati:

Ogerta Manastirliu: Sfida e vaksinimit, ata që janë profesionistë e dinë që sfida më e madhe është kjo. Ndihmon shëndetin. Më vjen shumë keq që disa prej kolegëve të opozitës e kanë mbështetur pak a shumë këtë novax dhe hezitimin e vaksinës. Për këtë arsye, mos mendoni se një pjesë e qytetarëve, sidomos ata që mbështesin opozitën afektohen nga këto informacione. Këto janë çështje që duhen të merren vetëm ekspertët. Sa më shumë politika të merret me këtë çështje, aq më shumë dëme do i sjellë qytetarëve. Kur krahasohemi me grafikët e botës, duhet të kemi parasysh disa koefiçentë. Në procesin e vaksinimit roli i individit, roli personal në raport me shëndetin publik ka shumë rëndësi. Ju mbështetin “novax” hezitimin nga vaksinimi duke trembur qytetarët. Disa kolëgë me deklaratat e tyre kanë trembur qytetarët për të shkuar në spitale. Është fatkeqësi dhe nuk duhet të bëhet politikë me vdekjen.

Albana Vokshi: E paska fajin opozita për dështimin tuaj? Po bëheni qesharakë. E paska fajin opozita pse ju jeni në nivelin e fundit. Mirë që nuk jeni realist, mos bëni propagandë.

Ogerta Manastirliu: Mos u merr me analizë të shifrave se nuk janë politikanët për të lexuar tabelat.

Silva Bino: Popullata target është 2 mln e 170 mijë. Kjo është popullata target e vaksinimit. Kemi vaksinuar me dy doza 44% të kësaj targeti. Mos të bëjmë politikë.

Albana Vokshi: Mos e thoni fjalën target të lutem, juve.

Silva Bino: Popullata target e Shqipërisë deri më tani, është 2.170 mln. Kalkulimet me dozat 1 dhe dy janë për këtë shifër. Për popullatën e përgjithshme, mbulesa është 32.1%. Përsa i përket popullatës me dy doza është 25.1%. Me futjen e fëmijëve apo futjen e dozës së tretë, ndryshojnë prioritetet dhe target. Kalkulimet bëhen saktë dhe kollaj. Unë nuk jam e kënaqur. Ajo çka tha ministrja, është që ne masim indicator. Marrja e vaksinës dhe utilizimi i vaksinës, është mbi 82%. Pa vaksina të skaduara dhe doza të humbura. Është një indikator i rëndësishëm.

Albana Vokshi: Pra targeti jua është sërish mbi 18 vjeç. Pra nuk ka ndryshuar që nga fillimi. Nuk mund të abuzojmë me shifrat, kur e gjithë bota i referohet popullsisë. Si mund të mbetet targeti në 18 vjeç, dhe të ngelet me 20 %. Si mund të qëndrojmë me këtë target ku ka variante të reja. Ne jemi pro vaksinimit. Por jemi kundër mungesës së informacionit. Jo vaksinim të detyruar, por jo të informuar. Nuk e ka fajin opozita, por qeveria.

Ogerta Manastirliu: Ministria e Shëndetësisë i përgjigjet komiteteve të ekspertëve dhe komisionet e ekspertëve. Kur komiteti vendos të ndryshojë targetin, ne ndryshojmë. Përgjatë gjithë këtyre muajve të pandemisë, edhe në krahasim me vendet e tjera, ne jemi bazuar në rekomandimet e ekspertëve tanë.

Albana Vokshi: Tani ja hodhët topin komitetit të ekspertëve

Ogerta Manastirliu: Komiteti i ekspertëve ndryshon rekomandimin. Kur thonë se popullata target është mbi 18 vjeç, ne jemi përgjigjur. Ne kemi marrë masa edhe nëse komiteti rekomandon uljen e moshës së targetit apo dhe dozës së tretë. Përsa i përket Pfizer, është mbi 80%, Sinovac mbi 80%, Sputnik mbi 89%. Përsa i përket thithjes së vaksinave, shikojmë që në javën e 38-ë kemi rritje të përqindjes së përthithjes së Pfizer. Të gjitha vaksinat që qarkullojnë në Shqipëri, janë miratuar nga institucione që merren me autorizimin e përdorimit, siç është EMA që certifikon barnat në BE ashtu dhe FDA si dhe OBSH. Vetë instrumenti COVAX dhe jo vetëm praktikisht ka në dritaret e administrimit të tij, blerjen dhe shpërndarjen e vaksinave.

Albana Vokshi: Miratohet dhe i kalon komisionit të ligjeve.

***

Marrëveshja me Pfizer/ Manastirliu raporton në Komisionin e Shëndetësisë: Mbi 2 mln vaksina të siguruara, 36% e popullsisë kanë marrë të dy dozat! Vitin e ardhshëm do…

Ministrja Ogerta Manastirliu ka raportuar në Komisionin e Shëndetësisë ditën e sotme mbi situatën e procesit të vaksinimit  kundër koronavirusit në Shqipëri. Teksa pritet kalimi për miratimin e aktit normativ për marrëveshjen me kompaninë Pfizer, ministrja thotë se deri në fund të vitit do të sigurojmë dhe 500 mijë vaksina nga ky instrument.

Manastirliu shprehet se që prej fillimit të shpërndarjes së vaksinave, Shqipëria ka siguruar mbi 2 mln doza, ku aktualisht janë përdorur rreth 1.7 mln doza. Ajo bën të ditur se me dy doza, janë vaksinuar 36% e popullsisë.

Ministrja bën të ditur se në vitin e ardhshëm, Shqipëria do të nënshkruajë marrëveshje të tjera për të siguruar vaksinat.

Manastirliu: Vitin e ardhshëm të tjera kontrata e marrëveshje për vaksinat. Në negociatat që kemi pasur me Pfizer, për të siguruar furnizimin me vaksina në vazhdim. Aktualisht në Shqipëri, në saj të gjithë marrëveshjeve të lidhura, janë më shumë se 2 mln doza të vaksinave të mbërritura, ku më shumë se 1.7 mln janë përdorur. Rreth 36% me dy doza. Përpjekjet e qeverisë shqiptare nuk do ndalen, deri në fund të vitit, në mbështetje të të gjithta marrëveshjeve, të kemi dhe rreth 400 mijë vaksinave. Shqipëria që në momentin e parë që kur u krijua instrumenti siguroi më shumë se 1.2 mln doza. Kemi vijuar përpjekjet për të siguruar vaksina dhe nga kompani të tjera. Kemi kërkuar vaksina kineze, sinovac dhe atë ruse. Fokusi është të arrijmë një mbulesë vaksinale të lartë” – tha Manastirliu.

Ndërkohë nënkryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Klodiana Spahiu thotë se me anë të kësaj marrëveshjes me Pfizer, do të mund të arrihet objektivi i vaksinimit të popullatës të vendosur nga ministria.

Spahiu: Kemi kaluar një sërë aktesh normativ në parlament. Kjo marrëveshje bën zgjatjen e furnizimit me doza të vaksinave. Do arrijmë dhe objektivin që është vendosur nga Ministria e Shëndetësisë që brenda marsit, popullata target të jetë e vaksinuar. Është një apel për të gjithë, ne duhet të jemi promotorë të këtij procesi. Sepse ne do ja dalim mbanë kësa pandemie. Besoj do jetë vendimi i Komitetit të Ekspertëve për vaksinën e tretë.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *