Disa emigrantë nuk kanë të drejtën e seancës gjyqësore

08:48 30/06/2021

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara arriti të martën në përfundimin se qeveria mund të ndalojë për një kohë të pacaktuar disa emigrantë që thonë se do të përballen me persekutim ose torturë nëse dëbohen për në vendet e tyre.

Me votën kundër të tre anëtarëve liberalë, gjykata vendosi 6-3 se emigrantët nuk kanë të drejtën që të dalin në një seancë dëgjimore që do të përcaktonte nëse ata duhet të lihen të lirë ndërsa qeveria vlerëson pretendimet e tyre.

Anëtari Samuel Alito shkruan në emër të gjykatës se “ata të huaj nuk kanë të drejtën për një seancë dëgjimore”.

Çështja kishte të bënte me disa persona të cilët ishin dëbuar më parë dhe kur janë ndaluar pasi kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara, kanë argumentuar se do të përndiqeshin ose torturoheshin nëse dëboheshin përsëri. Një prej tyre është një qytetar i El Salvadorit i cili ka thënë se u kërcënua menjëherë nga një bandë pasi u dëbua nga SHBA.

Një oficer i emigracionit kishte përcaktuar se frika e emigrantëve për sigurinë nëse ktheheshin në vendet e tyre, ishte e arsyeshme dhe kjo vuri në lëvizje një proces vlerësimi që mund të zgjasë me muaj ose vite.

Çështja për gjykatën ishte të përcaktonte nëse qeveria mund t’i mbante emigrantët të ndaluar pa vendimin e një gjykatësi të emigracionit.

Në çështjet gjyqësore mes emigrantëve në fjalë dhe administratës së Presidentit Trump që u zhvilluan para inaugurimit të Presidentit Joe Biden në janar, të dy palët përdorën dispozita të ndryshme të ligjit të emigracionit për të mbështetur argumentat e tyre respektive.

Zoti Alito, në emër të shumicës së anëtarëve të gjykatës, shkroi se argumenti i administratës se dispozita përkatëse nuk parashikon një seancë dëgjimore ishte më bindëse.

Në opinionin e pakicës, anëtari i gjykatës, Stephen Breyer shprehu një qëndrim të ndryshëm.

“Pse Kongresi do të donte të mohonte një seancë dëgjimore për individët që i druhen persekutimit ose torturës dhe që, si rezultat, përballen me procedura që mund të zgjasin për shumë muaj ose vite? Unë nuk mund të gjej asnjë përgjigje të kënaqshme për këtë pyetje,” shkruante gjykatësi Breyer.

Gjykata federale e apelit në Riçmond të shtetit Virxhinia, kishte vendosur në favor të emigrantëve, por gjykatat e tjera të apelit kishin dalë në krah të qeverisë. Vendimi i së martës përcakton një rregull në të gjithë vendin, por që avokatët për emigrantët thane se ndikonte tek një nëngrup relativisht i vogël emigrantësh./VOA

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *