Dita 32 e luftës | Kreu i inteligjencës: Rusia synon ta ndajë Ukrainën në dysh

08:30 27/03/2022

◾Kreu i inteligjencës ushtarake ukrainase, Kyrylo Budanov, thotë se Rusia po përpiqet të “krijojë Korenë e Veriut dhe të Jugut në Ukrainë”.

◾Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Biden nuk po bënte thirrje për ndryshim regjimi kur tha se Vladimir Putin “nuk mund të qëndrojë në pushtet”.

◾Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken e ka përsëritur këtë qëndrim gjatë një fjalimi në Jerusalem.

◾“Qëndrimi i presidentit ishte se Putini nuk mund të lejohet të ushtrojë pushtet mbi fqinjët e tij apo rajonin”, tha një zyrtar.

◾Kremlini u përgjigj duke thënë: “Kjo nuk i takon Bidenit të vendosë, presidenti i Rusisë zgjidhet nga rusët”.

◾Qyteti perëndimor i Lviv, që deri më tani i ka shpëtuar luftimeve të ashpra, është goditur me raketa.

◾Kryebashkiaku i Chernihiv thotë se qyteti verior i Ukrainës tani është i rrethuar plotësisht nga forcat ruse.

◾Zhvillimet vijnë pavarësisht se Rusia thotë se do ta përqendrojë pushtimin e saj në lindje.

Ukrainë-Rusi, 3 ditë takime në Turqi

Raundi i radhës i bisedimeve ballë për ballë mes Ukrainës dhe Rusisë do të zhvillohet në Turqi.

Takimet do të nisin të hënën dhe do të vijojnë deri të mërkurën, tha në mediat sociale negociatori ukrainas David Arakhamia.

Ukraina i përshkroi bisedimet e mëparshme me Rusinë, si “shumë të vështira”.

Kreu i inteligjencës: Rusia synon ta ndajë Ukrainën në dysh

Shefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës ka paralajmëruar se Rusia po përpiqet të zbatojë atë që ai e quan “skenari korean” në Ukrainë, pasi nuk arriti të marrë kryeqytetin dhe të rrëzojë qeverinë legjitime.

Kyrylo Budanov thotë se prioritetet e Vladimir Putinit janë lindja dhe jugu i Ukrainës, pasi ofensiva e tij ka ngecur në masë.

Nëse arrin ta lidhë atë territor, ai thotë se Putin më pas do të përpiqet të krijojë një vijë demarkacioni që ndan atë zonë nga pjesa tjetër e Ukrainës, e ngjashme më atë që ndodhi pas luftës së Koresë.

Por sipas Budanov një nga problemet kryesore të Rusisë është krijimi dhe mirëmbajtja e një korridori tokësor midis lindjes dhe Krimesë. Në mes qëndron Mariupoli “i pathyeshëm”.

Në çdo rast, parashikon gjenerali Budanov, ky pseudo-shtet do të ishte i paqëndrueshëm, duke pasur parasysh rezistencën e popullatës vendase.

Blinken: SHBA nuk ka strategji për të ndryshuar regjimin në Rusi

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka deklaruar se SHBA nuk ka asnjë strategji për të ndryshuar regjimin e Rusisë.

Pohimi vjen pas deklaratës së një dite më parë nga Presidenti amerikan Biden, i cili nga Varshava deklaroi se Presidenti rus Vladimir Putin nuk mund të qëndrojë në pushtet.

Unë mendoj se Presidenti, Shtëpia e Bardhë, mbrëmë theksoi se thjesht Presidenti Putin nuk mund të fuqizohet duke bërë luftë ose duke u përfshirë në agresion kundër Ukrainës apo dikujt tjetër. Siç e dini dhe siç na keni dëgjuar ta themi vazhdimisht, ne nuk kemi një strategji të ndryshimit të regjimit në Rusi apo askund tjetër. Në këtë rast i takon vetë popullit të vendit në fjalë, varet nga populli rus”, tha Sekretari Blinken nga Izraeli ku zhvilloi një vizitë. 

Rusia goditi Lvivin me raketa me precizion të lartë

Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar se një ditë më parë qyteti Lviv në Ukrainë u godit me raketa me precizion të lartë të lëshuara nga anijet luftarake.

Forcat ruse goditën me raketa me rreze të gjatë një depo karburanti që përdorej nga forcat ukrainase pranë Lviv, si dhe një fabrikë që shërbente për riparimin e sistemeve anti-ajrore.

“Forcat e Armatosura të Federatës Ruse vazhdojnë aksionet sulmuese si pjesë e operacionit special ushtarak”, deklaroi Ministria ruse e Mbrojtjes.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se Rusia përdori raketa me rreze të gjatë me precizion të lartë për të shkatërruar një arsenal të sistemit raketor S-300 dhe sisteme raketore anti-ajrore pranë Kievit. Ministri bëri të ditur edhe se kishin shkatërruar disa dronë ushtarakë të përdorura nga Ukraina.

“Çfarë po bën NATO”, Zelenskyy kërkon armatime nga Perëndimi: Avionët rusë nuk rrëzohen me mitralozë

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy i ka bërë thirrje vendeve Perëndimore që të furnizojnë vendin e tij me më shumë armë. Ai kërkon avionë, tanke dhe sisteme të mbrojtjes raketore.

Përmes një video-deklarate gjatë natës, Zelensky tha se avionët e Rusisë nuk mund të rrëzohen me mitralozë, duke kërkuar kështu me shumë armë dhe sisteme të sofistikuara.

“Çfarë po bën NATO? A po e udhëheq Rusia? Çfarë presin? Kanë kaluar 31 ditë. Ne kërkojmë vetëm 1% të asaj që ka NATO, asgjë më shumë”, tha Zelenskyy.

Ndërkohë, Kryeministri i Sllovakisë, Eduard Heger, i tha BBC se është i gatshëm që t’i dërgojë Ukrainës sistemin e raketave të mbrojtjes ajrore S-300, prodhim sovjetik.

“Sanksionet mund të hiqen nëse Rusia ndalon pushtimin kundër Ukrainës”

Sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss thotë se sanksionet kundër Rusisë mund të hiqen nëse Moska i jep fund pushtimit të Ukrainës. Nëse kjo ndodh, sanksionet mund të hiqen edhe ndaj bizneseve e oligarkëve rusë.

“Këto sanksione mund të hiqen vetëm me një armëpushim dhe tërheqje të plotë, por edhe me angazhimin se nuk do të ketë agresion tjetër”, tha Truss.

Por Sekretarja e Jashtme theksoi se këto sanksione do të vendoseshin sërish nëse Presidenti Putin do të sulmonte sërish.

Në Ministrinë e Jashtme të Britanisë është krijuar një ekip negociatash, tha ministrja Truss, që mund të ndihmojë në bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Rusia godet magazinat ushqimore dhe depot e naftës”

Rusia ka nisur të shkatërrojë depot e naftës dhe magazinat ushqimore të Ukrainës. Deklarata është bërë nga një këshilltar i ministrit të Brendshëm të Ukrainës.

Kjo do të thotë që qeveria ukrainase do të duhet që së shpejti të shpërndajë stoqet e rezervave ushqimore dhe naftës.

Vadym Denysenko tha gjithashtu për një televizion ukrainas se Rusia po dërgon më shumë forca ushtarake dhe mund të tentojë të avancojë akoma më shumë.

REDAKSIA TVKLAN.AL

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.