Dita 35 e luftës | Sulme intensive në Ukrainën Lindore, Rusia rigrupon forcat ushtarake

08:18 30/03/2022

◾Ushtria e Ukrainës: Premtimi rus për të reduktuar ndjeshëm operacionet ushatrake në dy fusha kyçe synon të mashtrojë.

◾Kjo deklaratë vjen pasi Moska njoftoi se do të ulë në mënyrë drastike operacionet luftarake rreth Kievit dhe qytetit verior të Chernihiv për të rritur besimin e ndërsjelltë.

◾Njoftimi pasoi bisedimet e paqes midis dy palëve në Turqi, por është pritur me skepticizëm nga udhëheqësit perëndimorë.

◾Presidenti i SHBA, Joe Biden shprehet skeptik dhe deklaron se duhet shikuar se çfarë ndodh në terren, ndërsa Mbretëria e Bashkuar thotë se Rusia do të gjykohet nga veprimet dhe jo nga fjalët.

◾Presidenti i Ukrainës Zelensky thotë se deklaratat “pozitive” nuk i “mbysin” tingujt e sulmeve ruse.

◾Delegacioni i Ukrainës në bisedimet e paqes me Rusinë ditën e djeshme në Stamboll paraqiti planet për t’u bërë një shtet neutral në këmbim të garancive të sigurisë në bisedime.

◾Zyrtarët amerikanë dhe ukrainas thonë se Rusia po vazhdon të ripozicionojë forcat larg Kievit, me gjasë si pjesë e një përpjekjeje për t’u ripërqendruar në rajonet lindore.

“Reduktimi i sulmeve ndaj Kievit, forcat ushtarake thjesht po rigrupohen”

Oleksander Danylyuk, një ish-këshilltar për sigurinë kombëtare të Ukrainës i Presidentit Volodymyr Zelensky është shprehur se nuk e beson premtimin e Rusisë për të reduktuar operacionet ushtarake rreth Kievit dhe Chernihiv.

Ai thotë se zhurma e bombardimeve këtë mëngjes ka konfirmuar frikën e tij.

“Ndërsa nuk ka përshkallëzim dhe disa trupa janë larguar nga Kievi, ky është vetëm rigrupim. Rusia tashmë e ka ripërqendruar sulmet e saj në rajonet lindore të Ukrainës, pasi kishte një sërë pengesash në veri të kryeqytetit”, tha ai.

Danylyuk beson se Rusia do të bëjë të gjitha përpjekjet e saj për të marrë Donetsk dhe Luhansk, në lindje, pasi Vladimir Putin duhet të tregojë një fitore.

“Pra, tani nëse ne thjesht vazhdojmë të çlirojmë qytete pranë Kievit, Rusia do të na akuzojë se po punojmë kundër de-përshkallëzimit. Si gjithmonë ka lojëra ushtarake dhe diplomatike të KGB-së të gjitha të kombinuara, kjo është vetëm një lojë,” shton ai.

Zyrtarët e Luhansk: Forcat ruse synojnë zonën e banimit në Lysychansk

Sipas agjencisë së lajmeve Interfax, forcat ruse në Ukrainën lindore raportohet se kanë bombarduar zonat e banuara të qytetit Luhansk të Lysychansk.

Kreu ushtarak rajonal i Luhansk, Serhiy Haidai, shkroi në kanalin e tij Telegram se bombardimet filluan rreth orës 6:30 të mëngjesit me kohën lokale.

Haidai është shprehur se ndërtesat e larta janë shkatërruar shumë dhe janë raportuar viktima.

“Po saktësohet informacioni për numrin e të vdekurve dhe të plagosurve. Ka shumë rrënoja”.

Pavarësisht premtimit rus, nuk ndalen sulmet ruse në Chernihiv

Guvernatori ukrainas është shprehur se nuk sheh asnjë ndryshim të sulmeve ruse në Chernihiv, pavarësisht nga premtimi rus për të reduktuar ndjeshëm operacionet ushtarake.

Përmes një postimi në “Telegram”, guverantori Viacheslav Chaus tha se nuk e besojnë premtimin rus në bisedimet e djeshme të paqes.

Chaus u shpreh se forcat ruse kanë kryer sulme në Nizhyn dhe gjatë natës kanë goditur me bombardime Chernihiv-in.

Ditën e djeshme, rusët kanë njoftuar se do të ulnin në mënyrë drastike operacionet luftarake ushtarake rreth Chernihiv, si dhe kryeqytetit, Kiev.

Ministri i Jashtëm kinez takohet me homologun rus

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, është takuar ditën e sotme me homologun e tij rus Sergei Lavrov në provincën lindore kineze të Anhui.

Rusia është përpjekur të rreshtohet me Kinën për të krijuar një front të bashkuar lindor dhe Ministri i Jashtëm Rus, Lavrov tha së fundmi se dy vendet po shijonin marrëdhëniet e tyre më të forta deri më tani.

Lavrov do të marrë pjesë në dy takime për situatën në Afganistan së bashku me përfaqësues nga Pakistani, Irani, Taxhikistani, Turkmenistani dhe Uzbekistani.

Bisedimet vijnë pasi Afganistani po vuan një krizë ekonomike dhe humanitare të përkeqësuar nga një ndërprerje e ndihmës financiare pas marrjes së pushtetit nga Talibanët.

Po ashtu, kjo vjen gjithashtu pasi Ukraina dhe Rusia zhvilluan dje bisedimet e paqes në Turqi. Ende nuk ka pasur ndonjë marrëveshje për një armëpushim.

Nënkryetari i bashkisë: Nuk ka pasur bombardime brenda Kievit gjatë natës

Sirenat e alarmit dhe zhurma e armëve dëgjoheshin jashtë Kievit mbrëmjen e djeshme, por vetë kryeqyteti ukrainas nuk u bombardua nga forcat ruse, sipas nënkryetarit të bashkisë, Mykola Povoroznyk

“Nata kaloi relativisht e qetë, nën tingujt e sirenave dhe tingujt e armëve nga betejat rreth qytetit, por nuk pati asnjë bombardim brenda qytetit të Kievit”, tha Povoroznyk.

Kjo erdhi pasi ushtria ruse tha se do të reduktonte ndjeshëm operacionet pranë Kievit gjatë bisedimeve të paqes dje në Stamboll.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ditën e djeshme shprehu skepticizmin e tij në lidhje me premtimin e Rusisë për t’u tërhequr dhe tha se ai “nuk sheh asnjë bazë” për të besuar fjalët e shtetit që sipas tij po vazhdon të luftojë për shkatërrimin e Ukrainës.

SHBA paralajmëron: Moska mund të arrestojë amerikanët që ndodhen në Rusi

SHBA ka paralajmëruar të gjithë qytetarët amerikanë përsa i përket udhëtimeve në Rusi, duke deklaruar se autoritetet ruse mund t’i ndalojnë amerikanët në vend.

Në këtë paralajmërim përsëriten thirrjet për amerikanët që të mos udhëtojnë në Rusi ose të largohen në mënyrë të menjëhershme nëse ndodhen atje.

Po ashtu, Këshilli tha se kishte raporte të vazhdueshme për shtetasit amerikanë të ndaluar nga ushtria ruse kur ishin duke u evakuuar nga Ukraina.

Sjellim në vëmendje se SHBA pezulloi ambasadën dhe konsullatën e saj në Ukrainë disa ditë pasi presidenti Putin njoftoi pushtimin e tij në Ukrainë.

Zelensky: Vetëm një rezultat konkret nga bisedimet mund të jetë i besueshëm

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pas bisedimeve të paqes mes Rusinë dhe Ukrainës që përfunduan në Stamboll ditën e djeshme është shprehur se sinjalet nga bisedimet mund të quhen pozitive, por “këto sinjale nuk i mbysin shpërthimet e predhave ruse”.

Ai shtoi se “vetëm një rezultat konkret nga bisedimet mund të besohet”.

Rusia dje tha se do të reduktonte në mënyrë të ndjeshme aktivitetin e saj ushtarak të fokusuar në Kiev dhe Chernihiv.

Megjithatë, njoftimi është pritur me njëfarë skepticizmi, me SHBA-të që thonë se trupat ruse që po zhvendoseshin nga dy qytetet, po “rivendosen” në pjesë të tjera të Ukrainës.

REDAKSIA TVKLAN.AL

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.