Dita e 37 e luftës: Autokolona humanitare për në Mariupol ndalohet nga forcat ruse

08:56 01/04/2022

◾Bllokohet autokolona humanitare e Kryqit të Kuq që transportonte ndihma humanitare në Mariupol.

◾Një guvernator rus ka akuzuar se helikopterët ukrainas kanë sulmuar një depo nafte në qytetin Belgorod, pasi një zjarr shpërtheu ditën e sotme.

◾Ministri Britanik i Mbrojtjes: Presidenti Putin është një burrë në një kafaz që e ndërtoi vetë.

◾Udhëheqësi rus kërcënon se do të ndalojë furnizimin me gaz për vendet “jomiqësore” nëse ato nuk blihen monedhën ruse (rubla) nga e premtja.

◾Presidenti ukrainas Zelensky ka njoftuar se ka shkarkuar dy gjeneralë pasi ata ishin “tradhtarë”.

◾Presidenti Joe Biden ka njoftuar nxjerrjen e një sasie prej 180 milionë fuçi nafte nga rezervat strategjike të SHBA-së.

◾Qeveria e Ukrainës po dërgon dhjetëra autobusë në Mariupol, në një përpjekje të re për të evakuuar civilët dhe për të ofruar ndihma humanitare.

Bllokohet autokolona humanitare e Kryqit të Kuq që transportonte ndihma humanitare në Mariupol

Një autokolonë e Kryqit të Kuq që transportonte ndihma humanitare dhe mjekësore në Mariupol është bllokuar në Zaporizhzhia pasi garancitë e kërkuara të sigurisë për ekipin nuk janë marrë ende. Karvani me ndihma shpresohej se do të sillte lehtësim në qytetin e rrethuar ku dhjetëra mijëra njerëz mbeten të bllokuar.

Sipas zyrtarëve ukrainas, autokolonat u përballën me disa probleme duke përfshirë trupat ruse që konfiskuan ndihmën dhe bllokuan autobusët.

Forcat ruse konfiskuan 14 tonë ndihma humanitare nga autobusët e nisur për në Melitopol në Ukrainën jugore, sipas Vereshchuk, ministrja ukrainase e riintegrimit të territoreve të pushtuara përkohësisht.

Vereshchuk tha se ushqimi dhe ilaçet ishin ngarkuar në 12 autobusë.

“Ne jemi duke negociuar që autobusët të kthehen dhe banorët e Melitopolit nesër të evakuohen duke përdorur këta autobusë”, tha ajo.

Presidentja e PE-së viziton Ukrainën

Presidentja e Parlamentit Europian ka udhëtuar drejt Kievit në Ukrainë.

Rrugës për në Kiev”, shkroi Roberta Metsola në një postim në Twitter të enjten në darkë.

Detajet nga udhëtimi i saj nuk janë bërë publike. Po ashtu nuk dihet nëse ajo ka arritur në kryeqytetin ukrainas pasi që prej njoftimit të parë nuk ka asnjë reagim tjetër.

Po ashtu sipas një zyrtari nuk është zbuluar se me kë do të takohet Metsola “për arsye sigurie”.

Gjatë kësaj jave, Presidentja e PE-së tha se është e rëndësishme që parlamenti të mbështesë aspiratat e Ukrainës që të jetë një vend kandidat për integrimin.

Rinisin sot bisedimet për paqen

Rusia dhe Ukraina do të rinisin sërish sot bisedimet për gjetjen e një marrëveshje për paqen. Komunikimi do të jetë online, sipas kreut të delegacionit ukrainas.

Shefi i shtabit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i tha CNN se ai ka shumë pak optimizëm se do të ketë një zgjidhje  pas negociatave diplomatike në  Stamboll në  fillim të kësaj jave.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se situata në jug dhe në rajonin e Donbasit mbetej jashtëzakonisht e vështirë dhe përsëriti se Rusia po krijonte forca pranë qytetit të rrethuar të Mariupolit.

Po ashtu në një mesazh online Zelensky njoftoi se kishte shkarkuar dy anëtarë të lartë të shërbimit të sigurisë kombëtare me arsyetimin se ishin tradhtarë.

Sipas Sekretarit të Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar Rusia është tani një “vend më i vogël” si rezultat i pushtimit të saj në Ukrainë. Sipas zyrtarit britanik: “Presidenti Putin nuk është forca që ka qenë. Ai tani është në një kafaz që e ndërtoi vetë. Ushtria e tij është e rraskapitur, ka pësuar humbje të konsiderueshme”.

Ndërkaq Zyrtarët ukrainas raportuan bombardime të rënda në Ukrainën lindore, veçanërisht në rajonet Luhansk dhe Donetsk të Donbasit dhe rreth qytetit verilindor të Kharkiv. Zyrtarët ukrainas dhe  amerikanë thonë se  rusët mund të  rigrupohen në Bjellorusi.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike thotë se Ukraina tani u ka thënë atyre se trupat ruse tani janë larguar nga Çernobili.

Disa autobusë evakuimi që  udhëtonin për në Mariupol u mbajtën në një pikë kontrolli ruse dhe 14 tonë ndihma humanitare për në Melitopol u konfiskuan nga trupat ruse të enjten.

Forcat ruse thanë se  do të rihapin  sot korridorin e evakuimit nga Mariupoli i rrethuar në Zaporizhja me kërkesë të liderëve francezë dhe gjermanë. Nga ana tjetër Presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola ndodhet për një vizitë në Kiev, por pa zbuluar detaje të agjendës së saj.

REDAKSIA TVKLAN.AL

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.