Dita e 60 e luftës: Zelensky paralajmëron Rusinë: Nëse vriten ushtarët e fundit në Mariupol ndërpresim bisedimet

08:40 24/04/2022

◾Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se ai do të ndërpresë bisedimet me Rusinë nëse vriten ushtarët që po mbrojnë Mariupolin.

◾Qyteti strategjik ka qenë nën sulmet ruse prej javësh. Zyrtarët thonë se evakuimet e planifikuara janë ndalur si pasojë e bombardimeve intensive.

◾Në fabrikën ku po qëndrojnë mbrojtësit e fundit të Mariupolit është publikuar një video ku shfaqeshin femra dhe fëmijë të cilët qëndronin aty për t’u strehuar.

◾Zelensky ka lajmëruar që këtë të diel Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do ta vizitojë Kievin.

◾Shtëpia e Bardhë nuk e ka konfirmuar vizitën, në të cilën Zelensky thotë se do të jetë pjesë edhe sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin. 

◾Ukraina thotë se 8 persona kanë ndërruar jetë në Odesa si pasojë e sulmit me raketa. Mes viktimave është edhe një fëmijë.

◾Kryeministri Boris Johnson i ka thënë liderit ukrainas se vendit të tij do t’i dërgohen më shumë pajisje ushtarake.

Zelensky paralajmëron Putin

Presidenti Zelensky deklaroi nga një konferencë për shtyp në metronë e Kievit se Ukraina do të tërhiqej nga bisedimet me Moskën nëse ushtarët të ngujuar në një punishte të madhe çeliku në Mariupol vriten nga trupat ruse dhe nëse Rusia mban një referendum për aneksimin e Mariupolit dhe pjesëve të tjera të vendit të tij.

Nëse njerëzit tanë vriten në Mariupol dhe nëse mbahen pseudo-referendume në rajonin jugor të Khersonit atëherë Ukraina do të tërhiqet nga çdo proces negocimi”, theksoi Zelensky.

Zelensky përsëriti gatishmërinë e tij për t’u takuar me homologun e tij rus, Vladimir Putin, duke thënë “nuk kam të drejtë të kem frikë, pasi populli ukrainas ka treguar se nuk ka frikë nga ushtria ruse. Besoj se ai që e filloi këtë luftë mund t’i japë fund”, tha Zelensky duke shtuar se “është e vështirë të besosh atë që thotë Rusia”.

Presidenti ukrainas foli edhe për një vizitë të pritshme në Kiev të Sekretarit amerikan të shtetit Blinken dhe atij të Mbrojtjes Lloyd Austin. Ndërkaq nga zhvillimet në terren trupat ruse kanë goditur me raketa një objekt ushtarak dhe dy godina banimi në Odesa, duke shkaktuar të paktën 8 viktima dhe disa të plagosur.

Ndërkaq autoritetet ukrainase kanë shpallur shtetrrethimin këtë fundjavë të Pashkës Ortodokse. Ushtria ruse po vijon sulmin e saj ndaj mbrojtësve të fundit ukrainas të grumbulluar në punishten gjigante të çelikut në Mariupol, Azovstal.

Gratë dhe fëmijët që thuhet se po qëndrojnë në bunkeret nëntokësorë të kompleksit të çelikut Azovstal në Mariupol të rrethuar, thanë në një video se donin të ktheheshin në shtëpitë dhe familjet e tyre.

REDAKSIA TVKLAN.AL

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *