
08:21 28/04/2022
◾Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Rusia po përdor gazin dhe tregtinë si një armë kundër Evropës.
◾Deklarata e Zelenskyt vjen pasi firma shtetërore ruse e energjisë Gazprom ndërpreu furnizimin me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë.
◾Këtë veprim, BE-ja e quajti shantazh, ndërsa Polonia thotë se Rusia po përpiqet që të përçajë aleatët e Ukrainës.
◾Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se çdo vend që ndërhyn në Ukrainë do të përballet me një përgjigje të shpejtë.
Shefi i OKB-së do të takohet në Kiev me Zelenskyn

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres do të takohet ditën e sotme me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Kiev për të zhvilluar bisedime.
Kujtojmë se në fillim të kësaj jave, Guterres ka udhëtuar në Moskë për t’i bërë thirrje Vladimir Putinit për luftën.
Në bisedimet e Moskës, Guterres bëri të qartë se OKB-ja i konsideronte veprimet e Rusisë një pushtim dhe përsëriti thirrjet për Rusinë dhe Ukrainën që të punojnë së bashku për të krijuar korridore të sigurta humanitare.
Pasi mbërriti në Ukrainë, përmes një postimi në Twitter, Guterres premtoi që OKB do të vazhdojë punën për të rritur mbështetjen humanitare dhe për të siguruar evakuimin e civiëlev nga zonat e konfliktit.
Për mediat portugeze, shefi i OKB-së tha se Putin kishte rënë dakord në parim për të ndihmuar në evakuimin e qindra civilëve të bllokuar në një fabrikë çeliku në Mariupol.
Zelensky: Rusia e konsideron jo vetëm gazin, por të gjithë tregtinë si një armë

Në fjalimin gjatë natës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Rusia po përdor energjinë për të shantazhuar Evropën.
Zelensky tha se vendimi i Rusisë për të ndërprerë furnizimet me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë ditën e djeshme tregoi se “askush në Evropë nuk mund të shpresojë të mbajë bashkëpunim normal ekonomik me Rusinë”.
“Rusia nuk e konsideron vetëm gazin, por çdo tregti si armë”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas shtoi se sa më shpejt të gjitha shtetet të bien dakord se nuk mund të varen nga Rusia për tregti, aq më shpejt do të ketë stabilitet.
REDAKSIA TVKLAN.AL