Dita e 71 e luftës: Beteja të përgjakshme në uzinën Azovstal në Mariupol

09:31 05/05/2022

◾Një komandant ukrainas në uzinën Azovstal ka thënë se po luftohen beteja të vështira dhe të përgjakshme.

◾Fabrika e çelikut është rezistenca e fundit në Mariupol dhe marrja e këtij qyteti është qëllimi kyç i Rusisë.

◾Një armëpushim 3-ditor i shpallur nga Rusia pritet që të nisë të enjten për të lejuar rreth 200 civilë që të largohen nga zona.

◾Por Ukraina është skeptike në lidhje me këtë dhe i ka kërkuar shefit të OKB-së që të ndihmojë të evakuohen të plagosurit në uzinë.

◾Forcat ruse raportohet se kanë hyrë në uzinë për herë të parë.

◾Hungaria ka thënë se do të vendosë veton ndaj një propozimi për të ndaluar të gjitha importet me naftë ruse deri në fund të vitit.

Instituti amerikan: Trupat ruse po operojnë nga brenda fabrikës Azovstal

Forcat ruse kanë mundur për herë të parë që të futen në brendësi të uzinës Azovstal në Mariupol. Instituti për Studimet e Luftës ka thënë gjatë një përditësimi të situatës ushtarake në Ukrainë se ka shumë mundësi që trupat ruse të jenë duke operuar nga brenda fabrikës.

Ky lajm vjen pas disa ditësh luftimesh në fabrikën e çelikut, ku po strehohen ushtarë ukrainas, por edhe qindra civilë.

Gjithashtu mendohet se mbrojtja e Ukrainës ka penguar kryesisht përparimet ruse në Ukrainën lindore.

Ditët e fundit Rusia ka intensifikuar sulmet kundër infrastrukturës së transportit pranë stacioneve hekurudhore në Lviv dhe Transcarpathia, megjithatë nuk ka arritur që të krijojë dëme seroze.

Azovstali, prioriteti kryesor i Ukrainës

Fabrika e çelikut Azovstal është kthyer në prioritetin numër një të udhëheqjes politike e ushtarake të Ukrainës. Yuri Sak, një këshilltar i ministrit të Mbrojtjes së Ukrainës ka thënë se përpjekjet janë fokusuar në mbrojtjen e kompleksit industrial dhe kryerjen e sa më shumë evakuimeve.

Azovstali është fortesa e fundit e rezistencës ukrainase në qytetin e rëndësishëm port dhe strategjik të Mariupolit. Sak tha se ky qytet ka qenë “zemra” e luftës.

Po ashtu gjatë intervistës ai pohoi gjendjen e vështirë të trupave ukrainase. Këshilltari shtoi më tej se ushtarët ruse kanë nisur një ofensivë tokësore pas bombardimeve ajrore.

Sak tha se shpreson që palët të bien dakord për disa korridore humanitare në mënyrë që të lihen të lirë civilët dhe ushtarët e plagosur.

“Jemi optimistë. Por sigurisht kemi eksperienca të hidhura të Rusisë që nuk respekton angazhimet e saj”, tha ai.

Ndërkohë nga ana tjetër, Rusia ka fajësuar Ukrainës për prishje të marrëveshjeve duke shkaktuar prishjen e korridoreve humanitare në Mariupol.

Shqipëria në Varshavë për Ukrainën

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Varshavë, Poloni, ku do të jetë pjesëmarrës në Konferencën e Donatorëve për Ukrainën, e bashkëorganizuar nga Kryeministri i Polonisë Mateusz Morawiecki dhe Kryeministrja e Suedisë Magdalena Andersson, në partneritet me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.

Konferenca, me pjesëmarrje të nivelit të lartë të kryetarëve të shteteve dhe qeverive i dedikohet qëllimit të përbashkët për të mbështetur reagimin humanitar të OKB-së në Ukrainë dhe për të diskutuar hapat e mëtejshëm drejt mbështetjes së përpjekjeve të Ukrainës për të trajtuar sfidat ekonomike të krijuara nga lufta.

Konferenca do të diskutojë masa konkrete për t’ju përgjigjur fatkeqësisë humanitare të shkaktuar nga lufta, ku sipas vlerësimit të OKB-së, miliona njerëz kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare, duke përfshirë ushqim, furnizime mjekësore dhe strehim.  

Në përgjigje të rritjes së shpejtë të nevojave,  OKB-ja ka ngritur strukturat e posaçme për të hyrë në zonat më të goditura në ndihmë për shpëtimin e jetëve, duke vendosur ekspertë, për koordinimin, angazhimin e komunitetit, mbrojtjen dhe menaxhimin e informacionit. Ndërkohë, që kërkohet më tepër nga komuniteti ndërkombëtar për t’iu përgjigjur intensitetit të këtyre nevojave.

Edhe Shqipëria do të radhitet përkrah vendeve kontribuese, angazhim të cilin Kryeministri Edi Rama do ta shprehë gjatë kësaj Konference. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky do t’i drejtohet gjithashtu Konferencës përmes një video mesazhi.

Komandanti ukrainas: Po luftojmë beteja të përgjakshme në Azovstal

Komandanti i regjimentit Azov ka thënë se forcat ukrainase në uzinën e çelikut Azovstal janë duke luftuar beteja të vështira dhe të përgjakshme kundër trupave ruse.

Në një mesazh të postuar në Telegram, Denis Prokopenko lavdëroi “përpjekjet mbinjerëzore” të ushtarëve të tij për të zmbrapsur sulmet ruse dhe duke shtuar se situata ishte shumë e vështirë.

Mesazhi i tij erdhi pasi zyrtarët ukrainas konfirmuan që forcat ruse kanë hyrë në territorin e fabrikës, fortesa e fundit e ushtarëve ukrainas në qytetin e shkatërruar të Mariupolit.

Presidenti Zelensky ka thënë që do të vazhdojë përpjekjet e tij për të evakuuar civilët nga uzina.

Pritet nisja e armëpushimit treditor në Mariupol

Një armëpushim i paralajmëruar nga Rusia pritet të nisë të enjten në fabrikën Azovstal në Mariupol, me qëllim të evakuimit të civilëve, teksa ushtarët ukrainas që gjenden brenda fabrikës janë zotuar se do të luftojnë deri në fund.

Rusia njoftoi për një armëpushim treditor në Azovstal, teksa shtetet e Bashkimit Evropian debatuan për ndalimin e importeve të naftës ruse më 4 maj.

“Forcat e armatosura ruse do të hapin korridoret humanitare nga ora 08:00 deri në orën 18:00, sipas kohës së Moskës, më 5, 6 dhe 7 maj nga fabrika e Azovstalit, në mënyrë që të evakuohen civilët”, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes së Rusisë.

Civilë, përfshirë gra dhe fëmijë, janë ende të bllokuar brenda qytetit të rrethuar ukrainas të Mariupolit dhe një armëpushim i zgjatur është i nevojshëm për të siguruar evakuimin e tyre, tha të enjten presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Pasi dështoi që të marrë kontrollin e kryeqytetit ukrainas, Kiev, në javët e para të luftës që ka lënë mijëra të vrarë, Rusia ka intensifikuar sulmet në lindje dhe jug të Ukrainës, ku gjendet edhe qyteti-port i Mariupolit.

Rusia shpalli fitore në Mariupol më 21 prill, pas javësh të rrethimit dhe granatimeve. Ky qytet është kyç për përpjekjet e Moskës që ta shkëpusë Ukrainën nga Deti i Zi dhe të lidhë territoret që janë nën kontrollin rus.

Kombet e Bashkuara dhe Kryqi i Kuq gjatë kësaj jave kanë evakuuar qindra persona nga Mariupoli dhe zona të tjera. Por, edhe afër 200 civilë, si dhe ushtarë ukrainas, ende gjenden në bunkerët nën fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, thonë zyrtarët ukrainas.

Gjatë një adresimi në orët e para të së enjtes, Zelensky tha se Ukraina është e gatshme për të siguruar një armëpushim në Mariupol.

“Do të duhet kohë thjesht për të nxjerrë njerëzit nga ato bodrume, nga ato strehimore nëntokë. Në kushtet aktuale, ne nuk mund të përdorim pajisje të rënda për të larguar rrënojat. Gjithçka duhet të bëhet me dorë”, tha Zelensky.

Luftëtarët ukrainas brenda Azovstalit janë duke luftuar “beteja të përgjakshme dhe të vështira” kundër trupave ruse, tha më herët Denis Prokopenko, komandant i batalionit Azov të Ukrainës. Ndërkaq, një deputet ukrainas tha se forcat ruse kanë hyrë brenda fabrikës.

Më 4 maj, mbi 300 civilë janë larguar nga Mariupoli dhe nga zonat e tjera në jug të Ukrainës, në operacionin e përbashkët të OKB-së dhe Kryqit të Kuq, tha koordinatori i Kombeve të Bashkuara për çështje humanitare në Ukrainë, Osnat Lubrani.

“Përderisa ky evakuim i dytë i civilëve nga zonat në Mariupol dhe zona të tjera është i rëndësishëm, duhet të bëhet më shumë për t’u siguruar që të gjithë civilët që gjenden në zonat e luftës të mund të largohen”, tha Lubrani.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, duke e cilësuar luftën si “operacion të posaçëm ushtarak” për çarmatosjen e Ukrainës dhe për mbrojtjen nga fashistët të popullsisë rusishtfolëse.

Kievi dhe mbështetësit perëndimorë thonë se ky ishte pretekst për luftën e paprovokuar të presidentit rus, Vladimir Putin, luftë që ka detyruar mbi 5 milionë ukrainas të largohen jashtë vendit.

Ushtria ukrainase tha të enjten se forcat e saj kanë zmbrapsur 11 sulme ruse, kanë rrëzuar katër avionë rusë dhe kanë shkatërruar dhjetëra makina ushtarake, përfshirë edhe tanke.

Beteja po ashtu po zhvillohen edhe në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës.

Së fundmi, Moska ka thënë se ka përqendruar ofensivën e saj për të marrë kontrollin e rajonit lindor ukrainas të Donbasit, që përbëhet nga rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut, të cilat pjesërisht janë nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Rusia.

REDAKSIA TVKLAN.AL

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.