Dita e XVII e luftës: Trupat ruse i afrohen Kievit (Zhvillimet minutë pas minute)

FILE PHOTO: Debris is seen on site of the destroyed Mariupol children’s hospital as Russia’s invasion of Ukraine continues, in Mariupol, Ukraine, March 9, 2022 in this still image from a handout video obtained by Reuters. Ukraine Military/Handout via REUTERS

08:38 12/03/2022

LAJM I PËRDITËSUAR NË ORËN 09:43

Përmbledhje:

◾Luftimet intensive raportohen në veriperëndim të Kievit pasi raportet sugjerojnë se pjesa më e madhe e forcave ruse janë tani vetëm 25 kilometra larg qytetit.

◾Sirenat janë dëgjuar gjatë natës në shumë qytete të tjera anembanë Ukrainës, nga Lviv, në perëndim, në rajonin verilindor të Sumy, ndërsa trupat ruse shtyjnë përpara.

◾Ukraina akuzon sërish Rusinë për pengimin e evakuimit të njerëzve nga qyteti port i Mariupolit.

◾Thuhet se njerëzit në këtë qytet po durojnë temperatura të ulëta pa energji elektrike me pak ushqim dhe pak ujë.

◾Rusia ka akuzuar Ukrainën se ka refuzuar pothuajse të gjitha ofertat e saj për korridore humanitare nga “pikat më të nxehta” të luftës.

◾Rusia zgjeroi ofensivën e saj në Ukrainë, duke sulmuar qytetet Lutsk, Ivano-Frankivsk dhe Dnipro.

◾Presidenti i SHBA, Joe Biden, ritheksoi se vendi i tij nuk do të ndërhyjë drejtpërdrejt ushtarakisht kundër Rusisë në Ukrainë.

◾Në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Rusia pretendoi, pa prova, për aktivitete të armëve biologjike të SHBA në Ukrainë.

◾Ukraina mendon se Bjellorusia mund t’i bashkohet pushtimit rus në orët e ardhshme.

Macron: Britania dështoi të përmbushte deklaratat e saj të mëdha për refugjatët ukrainas

The Guardian ka raportuar se Presidenti francez Emmanuel Macron ka kritikuar qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar për dështimin për të përmbushur “deklaratat e saj të mëdha” për të ndihmuar refugjatët ukrainas.

Duke folur në fund të samitit të BE-së në Versajë, Macron kritikoi politikën e vizave të Mbretërisë së Bashkuar. Kjo e fundit kërkon që refugjatët t’i bëjnë aplikimet personalisht ose në Bruksel ose në Paris.

“Pavarësisht të gjitha deklaratave të mëdha qeveria britanike vazhdoi të zbatonte rregullat aktuale që nënkuptojnë se nuk i mirëpriti refugjatët ukrainas që donin të arrinin në tokën britanike duke thënë se duhet të udhëtonin qindra kilometra për të aplikuar për vizë,” mësohet të ketë thënë Macron sipas The Guardian.

“Do të shpresoja që burrat dhe gratë ukrainase që kanë jetuar tmerr dhe kanë kaluar përmes Evropës për të arritur familjet e tyre në territorin e Mbretërisë së Bashkuar që të trajtohen më mirë”, ka thënë ai.

E njëjta problematikë është vënë në dukje nga vetë Zyra e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar. Sekretarja Priti Patel tha se Britania “tani po e bënte procesin më të shpejtë dhe më të thjeshtë” për pranimin e ukrainasve.

Trupat ruse, 25 kilometra larg nga qendra e Kievit

Në përditësimin e fundit të inteligjencës, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar thotë se “pjesa më e madhe” e forcave ruse janë tani 25 kilometra nga qendra e qytetit të Kievit.

Në një njoftim thuhet se kolona e madhe ruse në veri të kryeqytetit është shpërndarë. Me shumë gjasa sipas ekspertëve ushtarak kjo bëhet për të mbështetur një përpjekje “për të rrethuar qytetin”.

“Mund të jetë gjithashtu një përpjekje e Rusisë për të reduktuar cenueshmërinë e saj ndaj kundërsulmeve ukrainase, të cilat kanë sulmuar në mënyrë të konsiderueshme mbi forcat ruse”, thotë Ministria e Mbrojtjes.

Ndërkohë qytetet e Chernihiv, Kharkiv, Mariupol dhe Sumy janë të rrethuar dhe përballen me bombardime të rënda.

Hapen disa korridore humanitare në Ukrainë

Disa korridore humanitare në Ukrainë, duke përfshirë ato nga qyteti i Mariupol dhe nga Zaporizhia janë hapur sot, sipas zv/kryeministres së Ukrainës Iryna Vereshchuk.

Ajo shtoi se shpresonte se Rusia do t’i respektonte premtimet e saj për një armëpushim.

Vereshchuk tha se Ukraina ka planifikuar të evakuojë banorët e disa qyteteve dhe fshatrave në rajonet e Kievit dhe Sumy-t dhe disa zonave të tjera ku ka luftime të vazhdueshme.

Shpresoj që dita të shkojë mirë, të gjitha rrugët e planifikuara do të jenë të hapura dhe Rusia do të përmbushë detyrimet e saj për të garantuar armëpushimin”, tha ajo.

Përpjekjet për të siguruar kalim të sigurt për banorët e Mariupolit kanë dështuar vazhdimisht këtë javë.

Fotot | Për ditë të tëra nën bombardime, si është shkatërruar Mariupoli

Shkalla e shkatërrimit në qytetin e rrethuar nga forcat ruse në Mariupol është zbuluar në një seri fotografish dhe imazhesh satelitore të publikuar nga mediat ndërkombëtare.

Zonat e banuara janë rrafshuar, një qendër tregtare është shkatërruar dhe një maternitet është sulmuar. Qytetarët në Mariupol kanë përdorur të paktën një varr masiv për të varrosur të vdekurit.

Mariupol, një qytet me rreth 400,000 banorë, i është nënshtruar ditëve të tëra bombardimesh të rënda nga ana e Rusisë.

Civilët kanë mungesa ushqimi dhe ujë, ka thënë nënkryetari i bashkisë së qytetit Sergei Orlov, dhe “nuk ka energji elektrike, nuk ka furnizim me ujë, nuk ka ngrohje, nuk ka sistem sanitar”.

Orlov ka thënë se njerëzit janë detyruar të shkrijnë borën për të pirë ujë dhe të presin dru për të gatuar e për të mbajtur veten ngrohtë në temperaturat, të cilat në Ukrainë shkojnë nën zero.

Mariupol është një objektiv kryesor strategjik për Rusinë. Marrja e tij do të lejonte rebelët e mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore të bashkojnë forcat me trupat në Krime, gadishulli jugor i aneksuar nga Rusia në 2014.

Ukraina akuza Rusisë: Civilët në Mariupol po përballen me temperatura të ulëta dhe pakësim të ushqimit

Qeveria ukrainase thotë se sulmet ruse kanë penguar njerëzit të evakuohen sërish nga qyteti port i Mariupolit. Sipas asaj që shkruan BBC, kushtet në qytet po bëhen gjithnjë e më të dëshpëruara.

Autoritetet kanë thënë se më shumë se 1500 njerëz janë vrarë në Mariupol dhe ata që kanë mbetur përballen me temperatura të ulëta dhe të ftohtë të acartë. Aktualisht atje ka pak energji elektrike dhe pak ushqim e ujë.

Në fjalimin e tij të fundit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dënoi Rusinë për bllokimin e njerëzve në qytet dhe refuzimin për të lejuar dërgimin e ndihmave humanitare të nevojshme urgjentisht.

Zelensky shtoi se janë bërë më pak evakuime nga katër qytete kyçe ditët e fundit për shkak të breshërisë së vazhdueshme të artilerisë ruse.

REDAKSIA TVKLAN.AL

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com