Dita e XXI e luftës | Zelensky: Bisedimet e paqes me Rusinë duken më realiste (Zhvillimet minutë pas minute)

08:17 16/03/2022

LAJM I PËRDITËSUAR NË ORËN 08:17

Trupat ruse kanë kapur spitalin në qytetin port jugor të Mariupolit dhe kanë marrë peng 500 persona.

Bombardimet në Kiev kanë arritur më afër qendrës me sulme ajrore në qendrat e banimit. Qyteti është nën një shtetrrethim 35-orësh, që zgjat deri nesër.

Forcat ukrainase kanë thënë se zmbrapsën një sulm rus në qytetin e Kharkiv.

“Pozicionet negociuese të Ukrainës dhe Rusisë duken më realiste”, ka thënë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Ai ka dhënë sinjal se Ukraina mund të heqë dorë nga ambiciet e saj për t’u anëtarësuar në NATO – një kërkesë kjo kryesore ruse.

Qeveria ukrainase raporton se rreth 29,000 u evakuuan dje nga qytetet e Ukrainës.

Fox News konfirmon se gazetarja ukrainase Oleksandra “Sasha” Kuvshynova u vra së bashku me kameramanin Pierre Zakrzewski ndërsa raportonte në Ukrainë të hënën.

OKB: Tre milionë ukrainas kanë ikur nga Ukraina gjatë pushtimit deri më tani.

Bombardimet ruse godasin ndërtesat e banimit në Kiev

Në Kiev janë dëgjuar shpërthime këtë mëngjes, sipas raportimeve në rrjetet sociale.

Shërbimet e urgjencës së kryeqytetit të Ukrainës thonë se një ndërtesë banimi 12-katëshe në lagjen Shevchenko u godit nga bombardimet ruse rreth orës 6 të mëngjesit. Autoritetet thonë se një ndërtesë nëntëkatëshe u dëmtua gjithashtu.

Sipas raportimeve, 2 persona janë lënduar dhe 35 janë evakuuar nga ndërtesa. Zjarri u shua në orën 07:45 dhe ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar për persona të mbijetuar.  Videot e shpërndara më herët në mediat sociale treguan shtëllunga të mëdha tymi që dilnin në ajër nga ndërtesat.

Zyrtarët kanë paralajmëruar se është një moment i vështirë dhe i rrezikshëm për kryeqytetin.

Zelensky: Bisedimet e paqes duken më realiste

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky është shprehur se bisedimet e paqes me Rusinë kanë filluar të duken më realiste, por duhet ende kohë për të arritur një përparim.

Në videon e publikuar së fundmi, ai tha se fitorja ndaj Rusisë do të kërkonte punën e të gjithë qytetarëve ukrainas, përfshirë ekipin negociator që mban bisedime përmes Zoom.

Rusia ka vazhduar të bëjë presion ndaj Ukrainës që të heqë dorë zyrtarisht nga çdo synim për t’u bashkuar me NATO-n dhe të njohë zyrtarisht provincat separatiste Donetsk, Luhansk dhe Krime.

Bisedimet do të vazhdojnë ditën e sotme.

REDAKSIA TVKLAN.AL

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.