Dita XXV e luftës | Zelensky: Terrori në Mariupol do të hyjë në histori (Zhvillimet minutë pas minute)

08:13 20/03/2022

LAJM I PËRDITËSUAR NË ORËN 08:30

◾Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje sërish për bisedime paqeje me Rusinë dhe ka dënuar “krimet e luftës” në Mariupol, të cilat sipas tij do të mbahen mend me shekuj.

◾Zyrtarët e Mariupolit thonë se mijëra banorë të evakuuar janë dërguar me forcë në Rusi gjatë javës së kaluar.

◾Më shumë se 6,000 njerëz u evakuuan ditën e djeshme pas marrëveshjes për korridoret humanitare me Rusinë, sipas zëvendëskryeministrit ukrainas. Këtu përfshihen më shumë se 4000 njerëz nga Mariupol-i.

◾Dje, u konfirmua se një raketë ruse goditi një kazermë ushtarake në qytetin jugor të Mykolaiv, ku flinin 200 ushtarë.

◾Sipas OKB-së, të paktën 847 civilë ukrainas, duke përfshirë 64 fëmijë, janë vrarë që nga fillimi i luftës.

◾Rreth 3.3 milionë refugjatë ukrainas janë larguar nga vendi i tyre deri më tani, më shumë se dy milionë prej të cilëve kanë hyrë në Poloni.

Bombardohet shkolla e artit në Mariupol

Këshilli i qytetit të Mariupolit pretendon se trupat ruse kanë bombarduar një shkollë arti në qytetin jugor të rrethuar, ku 400 njerëz po strehoheshin nga lufta. Zyrtarët thonë se ndërtesa u shkatërrua të shtunën mbrëma dhe njerëzit kanë ngecur nën rrënoja. Mësohet se brenda ishin strehuar gra, fëmijë dhe të moshuar.

Akoma nuk dihet nëse ka viktima.

Ky sulm pason bombardimin e një teatri në Mariupol javën e kaluar, i cili la qindra njerëz të bllokuar nën rrënoja në një strehë bodrumi.

Mariupol është përballur me disa nga bombardimet më të këqija të luftës me Rusinë, me mijëra të tjerë të mbetur pa akses në energji elektrike dhe ujë për ditë të tëra.

Mësohet se më shumë se 2,400 njerëz janë vrarë në qytet.

Zelensky: Rrethimi i Mariupolit, akt terrori që do të mbahet mend për shekujt e ardhshëm

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se rrethimi i Mariupolit nga Rusia do të shënohet në historinë e përgjegjësisë për krimet e luftës. Gjatë fjalimit të tij, drejtuar popullit ukrainas, ai tha:

“Ta bësh këtë në një qytet paqësor, ajo që bënë pushtuesit, është një akt terrori që do të mbahet mend për shekujt e ardhshëm.”

Ai u tha ukrainasve se negociatat në vazhdim me Rusinë nuk ishin “të thjeshta apo të këndshme, por ato janë të nevojshme”.

“Ukraina ka kërkuar gjithmonë një zgjidhje paqësore,” tha ai. “Për më tepër, ne jemi të interesuar për paqen tani.”

REDAKSIA TVKLAN.AL

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.