“Ditët e pandëshkueshmërisë së të fuqishmëve kanë mbaruar”/ Zv.ambasadori i SHBA: BKH-ja do t’i tregojë Shqipërisë se askush nuk është mbi ligjin










ARISTIR LUMEZI/ “Byroja Kombëtare e Hetimit do t’i tregojë Shqipërisë se askush nuk është mbi ligjin dhe se ai zbatohet njësoj për të gjithë”, tha dje zëvendësambasadori amerikan në Tiranë, Demian Smith.

Demian Smith

Në daljen e tij të parë publike pas marrjes së detyrës, Smith mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të hetuesve të rinj të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

“Ditët e pandëshkueshmërisë së të pasurve dhe të fuqishmëve kanë mbaruar”, tha Smith.

“Shqipëria ka ngritur tashmë që të dy institucionet që përbëjnë SPAK-un – Prokurorinë e Posaçme dhe BKH-në. Prokuroria e Posaçme ka qenë duke punuar pa ju, por tashmë ju do të bashkoni forcat kundër korrupsionit dhe krimit. Vetëm me BKH-në, me të gjithë ju, SPAK-u do të jetë një sukses i plotë.

Qëndroni pjesë e luftës. Partnerët tuaj rreth e rrotull botës mund të hedhin dritë mbi aktorët e këqij, por do të jetë SPAK-u që do të bëjë punën e vështirë: hetimin dhe ndjekjen penale, duke punuar dorë për dorë për të përmbysur korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Ndërsa dilni nga ky diplomim, ju do të jeni pjesë e një kapitulli të ri të institucioneve të pavarura, të besuara, efikase dhe të besueshme të gjyqësorit. I sotmi është një hap i rëndësishëm përpara në luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

BKH-ja do t’i tregojë Shqipërisë se askush nuk është mbi ligjin dhe se ai zbatohet njësoj për të gjithë. Ditët e pandëshkueshmërisë së të pasurve dhe të fuqishmëve kanë mbaruar. Këtë e kërkon populli shqiptar.

Si gjithmonë, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme për t’ju mbështetur. Qoftë për ta zhvilluar BKH-në si institucion; qoftë për të rritur aftësitë profesionale; apo për t’i ofruar ndihmë BKH-së”, u shpreh gjatë ceremonisë zëvendësambasadori.

REFORMA

Duke folur për vështirësitë e Reformës në Drejtësi, diplomati amerikan tha se tani po shihen rezultatet e para të saj. “Dhënia e drejtësisë për bashkëqytetarët tuaj është një mision i rëndësishëm dhe sfidues. Siç tha Presidenti John F. Kennedy për programin tonë hapësinor në Hënë, ne i bëjmë këto gjëra ‘jo sepse janë të lehta, por sepse janë të vështira’.

Reforma në drejtësi në Shqipëri nuk ka qenë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por ju e bëni sepse është e vështirë. Dhe tani po shohim rezultate. Të gjitha institucionet e krijuara nga miratimi i Reformës në Drejtësi në vitin 2016 janë tashmë plotësisht funksionale. Vjet në këtë kohë, ambasadorja Yuri Kim e uroi Shqipërinë për emërimin e Aida Hajnajt si Drejtoresha e parë e BKH-së, duke shënuar një gur kilometrazhi kyç në zbatimin e Reformës në Drejtësi”, tha Demian Smith.

FBI

Zëvendësambasadori bëri një analogji me nisjen e historisë së suksesshme të FBI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke lënë të kuptohet se edhe BKH-ja mund të ketë suksesin e saj.

“Sot, kur të ecni nëpër këtë platformë, do të merrni certifikatën e diplomimit tuaj. Do të bëheni hetues të BKH-së. Nga 700 kandidatë, ju jeni të 27-ët që ia dolët mbanë, jeni më të mirët e më të mirëve. FBI-ja filloi gjithashtu me një klasë të vogël të diplomuarish. Në fillim të shekullit të 20-të, Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara nuk kishte agjentët e vet të ligjzbatimit. Në vitin 1908, Kongresi krijoi Byronë e Hetimit. Klasa e parë e FBI-së ishte vetëm me 34 agjentë.

Që nga ai fillim modest, FBI-ja është bërë një agjenci e domosdoshme që e mban vendin tonë të sigurt dhe që mbron institucionet tona demokratike. Ekziston një arsye për suksesin e FBI-së: burra dhe gra të përkushtuar që punojnë çdo ditë për të mbështetur misionin e FBIsë. Ashtu si klasa e parë e agjentëve të FBI, ju keni mundësinë unike për të ndihmuar në ndërtimin e një BKH më të fortë dhe më të aftë.

Trashëgimia juaj, që do të bëhet pjesë e historisë krenare të Shqipërisë, do të jetë një kontribut i madh për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët”, tha zëvendësambasadori i SHBA-së në Tiranë.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *