Drafti i qeverisë për bastet pëson ndryshime, PS propozon mekanizmin ‘mirroring’, si do të ndalohet ndryshimi i koeficienteve

Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi të enjten propozimet e reja për riformulimin e draftit të qeverisë për ligjin e “Lojrave të Fatit”, që synon rikthimin e tregut të basteve online dhe formalizimin e tij 5 vite pas mbylljes së tyre.

Kryetari i komisionit, Eduart Shalsi, prezantoi riformulimin e disa neneve që, sipas tij, kanë ardhur nga një proces konsultimi i grupit të punës së ngritur nga Ministria e Financave dhe stafi teknik i parlamentit dhe pas konsultave me grupet e interesit.

Sipas këtyre ndryshimeve, dhënia e licencave për kompanitë që do të operojnë në këtë treg do të bëhet me prokurim publik dhe do të ngrihet një mekanizëm i ri për sigurinë e sistemit.

“Elementi shtesë i propozuar është që të organizohet me garë, me kritere vlerësimi, në ofrimin e ofertës më të mirë ekonomike”, tha Shalsi, ndërkohë që në propozimin fillestar përzgjedhja e tyre bëhej nëpërmjet një komisioni të veçantë.

Një pikë shtesë në draft lidhet me sigurinë e sistemit duke vendosur një mekanizëm kontrolli nga shteti përveç monitorimit nga kompania konçensionare për të cilën ka një kontratë në fuqi.

Shalsi e quajti këtë mekanizëm “mirroring” ose efekti pasqyrë, ku çdo veprim që bëhet në platformat e basteve të ruhet dhe një server paralel në Ministrinë e Financave.

“Për të shtuar garancitë për moslejimin e ndërhyrjeve në platformat”, shpjegoi ai duke shtuar se, “sa më strikt kontrolli ndaj kompanive aq më e pamundur është ndërhyrja në koefiçentët e basteve”.

Zëvendësministrja e Financave, Vasilika Vjero, tha se drafti ka pësuar shumë ndryshime duke vënë theksin tek shtimi i anëtarëve të komisionit të dhënies së licencave, me synimin për të verifikuar burimin e financave të kompanive të interesuara.

Ajo tha se, “duke marrë parasysh se shpeshherë të ardhurat apo burimet e financimit nuk janë burime shumë të pastra, për këtë arsye është shtuar përfaqësuesi nga drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave”.

Sipas saj janë forcuar dhe kriteret për kompanitë fituese duke vendosur një shifër limit aksionesh për aksionerët e huaj në kompanitë që do të licencohen.

Gjithashtu ministria e Financave propozon dhe uljen e normave të fitimit që i shpërndahet lojtarëve për bingon televizive dhe llotarinë kombëtare në masën 50 përqind, por komisioni pas dsikutimesh nuk mori një vendim për këtë pikë.

Vjero theksoi se drafti i përpunuar garanton uljen e informalitetit, por deputetët socialistë kërkuan që ndryshimet e re të japin më shumë garanci për legalizimin e sektorit dhe të përcaktojë mekanizmat mbrojtjës për lojtarët.

Deputeti Erjon Braçe tha se “këto nene nuk janë të mjaftueshme që sektori të shkriminalizohet” dhe vuri në dukje se propozimet e tij nuk ishin reflektuar në ndryshimet e reja.

Ndërsa deputetët Alban Xhelili dhe Pranvera Resulaj ngritën shqetësimin për mbrojtjen e lojtarëve duke kërkuar që ligji të japë më tepër garanci për dekurajimin e tyre për të luajtur. “Qëllimi nuk është të lozin sa më shumë”- tha Xhelili, ndërsa Resulaj shtoi se “po i japim kompanive më shumë mundësi për të fituar dhe prapë lojtarin nuk jemi duke e mbrojtur”.

Por, sipas Shalsit, nuk mund të ketë një formalizim 100 për qind të tregut dhe pse qëllimi i ndryshimeve të ligjit ky është.

Dokumenti i ri i përpunuar nga komisioni nuk është bërë ende publik, ndërkohë që pritet të votohet në seancën plenare të datës 8 shkurt.

Ky projektligj është kundërshtuar nga opozita si një rrezik potencial për pastrimin e parave, ndërsa shoqata e basteve shprehu rezerva për lënien jashtë sektorit të kompanive të vjetra që kanë operuar në këtë treg.

Qeveria shqiptare e targetoi tregun e paligjshëm të lojërave të fatit përmes operacionit “Fundi i Marrëzisë” në vitin 2013, dhe në vitin 2015, miratoi një ligj që u komentua si radikal për frenimin e kësaj industrie.

Megjithatë, lojërat e fatit lulëzuan edhe më shumë pas miratimit të ligjit të ri, çka e shtyu qeverinë të vendoste ndalimin e plotë të tyre në vjeshtën e vitit 2018./BIRN

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts