Drejtori i CIA-s, vizitë në Izrael

08:20 11/08/2021

Drejtori i Agjencisë Qendrore amerikane të Zbulimit William Burns, ndodhet në Izrael për bisedime që zyrtarët thonë se do të përqëndrohen kryesisht tek Irani. Vizita e tij të martën vjen mes tensionesh që po rriten me shpejtësi në rajon dhe një sulmi me dron mbi një cisternë nafte të menaxhuar nga Izraeli që ndodhet në Gjirin e Omanit, për të cilin qeveritë perëndimore fajësojnë Teheranin.

Javën e kaluar, pati gjithashtu një përshkallëzim të konfliktit ndërkufitar mes Hezbollahut, grupit radikal libanez të mbështetur nga Irani, dhe Izraelit. Hezbollahu lëshoi disa raketa që ranë pranë pozicioneve ushtarake izraelite, çka nxiti sulme hakmarrëse nga ana e Izraelit mbi Libanin jugor.

Të dyja palët u treguan të kujdesshme për të shmangur viktimat, por të shtunën, udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah paralajmëroi se mund të urdhërojë një përshkallëzim të sulmeve.

Irani ka mohuar se qëndron pas sulmit me dron të muajit të kaluar ndaj cisternës së naftës HV Mercer Street, gjatë të cilit u vranë dy anëtarë të ekuipazhit, një britanik dhe një rumun. Por zyrtarët dhe analistët perëndimorë thonë se ky zhvillim i përshtatet një modeli të sjelljes luftarake në rritje nga ana e Iranit, veçanërisht gjatë gjashtë muajve të fundit.

Gjatë vizitës së tij tre-ditore, zoti Burns pritet të takohet me Kryeministrin Naftali Bennett, homologun e tij izraelit, David Barnea, i cili kryeson Agjencinë izraelite të Zbulimit Mossad si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të mbrojtjes. Temat kryesore do të jenë programi bërthamor i Iranit, veprimet rajonale të Teheranit dhe drejtimi i mundshëm i politikës së jashtme të Presidentit të ri të Iranit, Ebrahim Raisi, një ish-gjykatës islamik i vijës së ashpër, ndaj të cilit SHBA ka vendosur sanksione lidhur me dyshimet për përfshirje në ekzekutimet masive të të burgosurve politikë në fund të viteve 1980 në Iran.

Ardhja e një presidenti të vijës së ashpër në Iran ka nxitur parashikime të zymta në lidhje me drejtimin e politikave të brendshme dhe të jashtme të Iranit“, vuri në dukje Grupi Ndërkombëtar i Krizave, një grup kërkimor me bazë në Bruksel, në një raport të lëshuar më 5 gusht.

Ekzistojnë arsye për shqetësim. E kaluara e Raisit, retorika e tij gjatë dhe pas fushatës elektorale si dhe kontrolli i konsoliduar i ekstremistëve mbi instrumentet e pushtetit në Iran mund të sinjalizojnë një qasje më ideologjike dhe më pak pragmatiste, veçanërisht ndaj Perëndimit“, shtohet në raport.

Të hënën, gjatë një bisede telefonike zoti Raisi i shprehu Presidentit Francez Emmanuel Macron vendosmërinë e Teheranit për të “ruajtur” siç tha kapacitetet e vendit për “parandalimin” e sulmeve në Gjirin Persik.

Takimi me zotin Barnea kreun e Mossad-it, do të jetë i pari i zotit Burns si drejtor i CIA -s. Ai vjen mes një ngërçi në përpjekjet e SHBA-së për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të arritur në vitin 2015. Presidenti Donald Trump e tërhoqi Uashingtonin nga marrëveshja dhe që nga ajo kohë Irani është akuzuar për shkelje të saj dhe për përpjekje për të prodhuar një bombë bërthamore. Irani thotë se programi i tij bërthamor është për qëllime paqësore.

Bazuar në marrëveshjen e vitit 2015, sanksionet ndaj Iranit u hoqën në këmbim të angazhimit të Teheranit për të respektuar kufizimet e rrepta lidhur me programin e tij bërthamor. Presidenti Joe Biden ka bërë të ditur se do ta bëjë sërish SHBA pjesë të marrëveshjes nëse Irani do të zbatojë kushtet e saj.

Megjithatë, negociatat kanë ngecur. Javën e kaluar, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha në Uashington se “SHBA i bën thirrje Iranit t’u kthehet negociatave së shpejti në mënyrë që të mund të të përfundojmë punën tonë”. Ai tha se koha po kalonte, duke shtuar, se “mundësia për të arritur një kthim reciprok në përputhje me marrëveshjen nuk do të zgjasë përgjithmonë”.

Në një raport të Bloomberg-ut, që citon zyrtarë amerikanë, thuhej se administrata po shqyrton mundësinë për të nxitur arritjen e një marrëveshjeje të përkohshme sipas së cilës do të lehtësoheshin disa sanksioneve ekonomike ndaj Iranit, në këmbim të pranimit nga ana e tij që të ngrirje programin bërthamor. Zyrtarët izraelitë u kanë thënë mediave lokale se ata presin që zoti Burns t’u japë detaje mbi këtë qasje të re.

Izraeli, së bashku me disa vende arabe të Gjirit Persik kundërshtare të Iranit, kanë qenë prej kohësh kundër marrëveshjes së vitit 2015 me Teheranin dhe janë kundër ringjalljes së saj.

Javën e kaluar, ministri izraelit i Mbrojtjes Benny Gantz i tha Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se Irani ka mjaft materiale bërthamore për të prodhuar një bombë brenda pak javësh.

Zyrtarët izraelitë thonë se veprimet e fundit të Iranit në Gjirin Persik me sulme të përshkallëzuara ndaj cisternave të naftës, anijeve të mallrave dhe anijeve të tjera duhet ta bëjnë administratën Biden të mendojë dy herë përpara së të kërkojë ringjalljen e marrëveshjes bërthamore./VOA

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *