Dritëhije kuqezi, si anon peshorja për Kombëtaren. Ja çështjet për t’u zgjidhur në vijimësi



Shqipëria nisi edicion in kualifikues drejt “Katar 2022”, ku evidentohen aspekte pozitive, rekorde dhe vlerësime për t’u ruajtur edhe në të ardhmen. Mirëpo, shqetësimet kanë qenë jo të pakta, sidomos duke parë ndeshjet dhe lojën përballë kundërshtarëve si Andorra dhe San Marino, vendet 151 dhe 210 në renditjen e FIFA-s. “Panorama Sport” rendit disa nga aspektet pozitive dhe ato negative:

Kombetarja

ÇFARË SHKON

* Gjashtë ndeshje në transfertë pa humbje, është një rekord i arritur nga Kombëtarja shqiptare së fundmi: San Marino, Andorra, Lituania, Kazakistani, Bjellorusia dhe Moldavia. Kjo e fundit për llogari të kualifikueseve të shkuara për në “Euro 2020”. Bjellorusia, Kazakistani dhe Lituania janë transferta të luajtura për Ligën e Kombeve, ku kuqezinjtë ia dolën të sigurojnë objektivin për t’u ngjitur në Ligën B. Dy ndeshjet jashtë të luajtura brenda pak ditësh në mars të këtij viti, janë starti i Kombëtares në edicionin kualifikues drejt “Katar 2022”.

* Rekord! Jo vetëm kaq, por kuqezinjtë në të gjashta këto takime, kanë siguruar portën të paprekur, herë me Berishën mes katërkëndëshit dhe në të tjera ndeshje me Berishën në portë.

* Mbrojtja bunker! Këtë sezon, por edhe më herët në Ligën e Kombeve, Shqipëria ka arritur të konsolidojë fazën mbrojtëse. Me treshen Gjimshiti-Ismajli-Kumbulla, u pa qartë që Andorra bëri vetëm një gjuajtje në kuadrat. Mirëpo edhe në San Marino, me Gjimshitin, Ajetin dhe Veselin, sërish kuadrati ynë pësoi vetëm një goditje në minutën e 61-të në duart e Strakoshës, aspak e rrezikshme. Anglia triumfoi në vendin tonë me rezultatin 0-2 dhe goditi edhe dy herë shtyllën, por në kuadrat “Tre Luanët” kanë goditur vetëm katër herë. Jo shqetësuese, kur referuar ish-bomberit rekordmen Erjon Bogdani, përballë kishim “sulm si një artileri e rëndë”. Kësisoj, një nga repartet për t’u ruajtur dhe krenuar është mbrojtja me një “bunker” shtatlartë dhe cilësor.

* Pikët: Ajo që është brenda objektivit në këto tri ndeshje, është fakti se Shqipëria nuk çedoi për pikët. Pritej fitore në Andorrë dhe San Marino dhe u arritën. Tanimë, Shqipëria ka gjashtë pikë duke arritur të lërë pas edhe Poloninë. Gjithashtu, Hungaria, një tjetër rivale, është para kuqezinjve me vetëm një pikë pa luajtur ende asnjë prej përballjeve direkte me këto dy kundërshtarë.

* Skuadra: Elementë cilësorë, alternativa në çdo repart dhe të rinj premtues janë afruar në Kombëtare, ç’ka janë një brumë i mirë për t’u punuar dhe përdorur taktikisht dhe skematikisht në mënyrë që në të ardhmen të përballohen me sukses edhe kundërshtarë të të njëjtit nivel apo edhe pak më lart sesa Shqipëria.

Shqiperia2

ÇFARË NUK SHKON

* Shqipëria vuan edhe përballë ekipeve si San Marino dhe Andorra, gjë e cila nuk është aspak normale, për të mos thënë shqetësuese për vazhdimësinë.

* Kombëtarja nuk është ende kolauduar si duhet, megjithëse ka zhvilluar 18 ndeshje nën drejtimin e trajnerit Reja. Jo vetëm kaq, por nuk shfrytëzohet as forma e shkëlqyer e pjesës dërrmuese të lojtarëve të përzgjedhur në formacion.

* Armando Broja, një nga sulmuesit që po shkëlqen në kampionatin holandez, me Kombëtaren nuk tregon asgjë nga sa pritet për të. Kjo, jo plotësisht për fajin e tij, por edhe për mungesë të furnizimit me topa, për skemën, filozofinë sulmuese të skuadrës etj,. Çështje për t’u zgjidhur.

* Ka një çështje “Bajrami” në ekip, që prek gjithkënd në FSHF dhe në stafin e Kombëtares. Djaloshi u kërkua me insistim. U bind të deklaronte edhe patriotizmin e tij duke refuzuar Europianin me U-21 të Zvicrës, por tanimë del në pah një rregull që mund edhe t’i djegë karrierën në arenën ndërkombëtare.

* Edi Reja e dribloi rastin Kamberi me çfarë ndodhi të dielën e ndeshjes me Anglinë. Madje, shkoi krejt përtej, duke akuzuar mediat, por mbetet për t’u parë në të ardhmen. Italiani tha se lojtari nuk ka luajtur për shkak dëmtimi.

* Roshi-Uzuni janë rast për t’u shfrytëzuar. Si? Në ç’mënyrë? Me ç’skemë? Këtë duhet ta zgjidhë trajneri dhe stafi i tij, por dy lojtarët më produktivë meritojnë vëmendjen dhe hapësirën duhur.

* U deshën tri ndeshjet e para zyrtare në një fushatë të rëndësishme kualifikuese, që trajneri Reja të pranojë se po reflekton për skema të tjera, duke qenë se ka gjëra që nuk shkojnë me lojën e Kombëtares. Diçka që duket e vonuar, pasi duhet të kish marrë zgjedhje alternative qoftë edhe në Ligën e Kombeve kur vlera e kompeticionit ishte pavarësisht për të kolauduar ekipin.

* Edhe një herë tjetër vërtetohet se dyshja Gjasula dhe Memushaj, janë ende shumë të rëndësishëm për mesfushën e Kombëtares. Edhe në këto ndeshje u vërtetua se Keidi Bares nuk po i gjendet ende një zgjidhje taktike që të mund të shkëlqejë edhe kur përkrah nuk ka mesfushorët Memushaj dhe Gjasula.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *