Dy nga katër koncesionet në shëndetësi i shpëtojnë hetimit parlamentar të opozitës

dy nga kater koncesionet ne shendetesi i shpetojne hetimit parlamentar te opozites
dy nga kater koncesionet ne shendetesi i shpetojne hetimit parlamentar te opozites

Kërkesa e opozitës për një komision hetimor në lidhje me koncesionet e qeverisë së kryeministrit Edi Rama në sektorin e shëndetësisë përfshin vetëm dy nga katër të tilla, dy të cilat janë sakaq nën hetim nga SPAK, ku njëri i ka të pandehurit në proces. Kërkesa e miratuar është e ndryshme nga ajo që grupi i Rithemelimit bëri gjashtë muaj më parë

Fushata e grupit të Rithemelimit në opozitë për hetimin e koncesioneve të dyshuara korruptive të qeverisë aktuale në sektorin e shëndetësisë duket se ka harruar dy nga katër koncesionet e këtij sektori, bëhet e ditur nga kërkesa e depozituar në kuvend nga grupi kryesor i opozitës parlamentare dhe i publikuar së fundmi në faqen e internetit të kuvendit.

Grupi parlamentar më i madh i opozitës, i cili drejtohet nga deputeti Gazmend Bardhi dhe që njihet gjerësisht si “Rithemelimi”, arriti një kompromis politik me maxhorancën e kryeministrit Edi Rama, në të cilën, sjellja e tyre trazuese në proceset parlamentare ndërpritej ndërsa socialistët pranonin ngritjen e dy komisioneve parlamentare, të cilat më herët ata ia kishin mohuar opozitës me mjete të dyshimta ligjore dhe në shkelje të të drejtave kushtetuese të opozitës.

Ndërsa marrëveshja mes dy grupimeve kryesore politike në vend u përshëndet si një rikthim në normalitet në proceset parlamentare në Shqipëri, shumë vëzhgues ngritën pyetjen nëse, përveç kompromiseve të njohura, marrëveshja mbart edhe kompromise të fshehta. Në veçanti, pyetje u ngritën në lidhje me arsyen se pse opozita ka zgjedhur dy komisione hetimore, nga të teta të kërkuara prej saj, të cilat janë çështje kryesisht nën hetim nga SPAK dhe me potencial jo shumë të fortë politik. Por potenciali praktik i komisionit parlamentar për koncesionet në shëndetësi pritet të bjerret edhe më tutje, nëse shihet se dy nga katër të tilla, janë lënë jashtë objektit të hetimit.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama dha në fillesat e mandatit të saj të parë dhe të dytë katër koncesione në sektorin e shëndetësisë, të cilat, i kushtojnë taksapaguesve shqiptarë mbi 50 milionë euro në vit. Që në kohën e procedurave të prokurimit, media dhe shqiptarët ngritën pikëpyetje, si sa i përket logjikës së dhënies së këtyre koncesioneve, ashtu edhe procedurës së përzgjedhur apo profilit të fituesve. Të katër koncesionet janë: Kontrolli bazë i popullsisë, njohur gjerësisht si Check Up, me kosto mbi tetë milionë euro në vit; ofrimi i setit të instrumenteve kirurgjikale, i njohur më së shumti si “sterilizimi”, i cili po kushton aktualisht rreth 17 milionë euro në vit; Koncesioni i shërbimit të dializës në pesë spitale, i cili po kushton aktualisht mbi 9 milionë euro në vit, dhe; shërbimet laboratorike spitalore, i cili po kushton mbi 18 milionë euro në vit.

Ndërkohë, kërkesa e grupit parlamentar të opozitës për komision hetimor parlamentar shkruan: “Në vijim të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve të datës 12.03.2024 dhe detyrave të lëna në atë mbledhje, lutemi gjeni bashkëlidhur projektvendimet e dakordësuara midis maxhorancës dhe opozitës, lidhur me:

Ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për shërbimin publik të Sterilizimit dhe shërbimin publik të Check-Up në shëndetësi.

Ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit të Shqipërisë për Trajtimin e të Dënave në sitemin TIMS.”

Siç shikohet, kërkesa e opozitës nuk përfshin hetimin e koncesionit të shërbimit të dializës dhe as atë të shërbimeve laboratorike.

Dy koncesionet e përfshira janë sakaq nën hetim nga SPAK. I pari, ai i sterilizimit, ka sjellë deri më tani arrestimin dhe ngritjen e akuzave ndaj ish-zëvendësministrit të shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj. Të dy përfunduan në pranga për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe mashtrimit, ndërsa gjykata kërkoi hetim edhe për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja dhe ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani.

Sipas prokurorisë, Rrjepaj manipuloi kostot e shërbimit ndërsa transferoi fitimet në formën e kontratave të konsulencës te një kompani e cila ishte gjithashtu nën pronësinë e tij dhe që kishte vetëm një klient të madh, pra kompaninë koncesionare. Pasi prokurorët nuk gjetën fillimisht vepër penale nga ana e ish-ministrit Ilir Beqaj, gjykata urdhëroi hetime të mëtejshme, të cilat sollën thirrjen e tij si të pandehur për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Rezultatet e hetimit për koncesionin e Check Up nuk janë ende të ditura.

Kërkesa e opozitës sot për të hetuar vetëm këto dy koncesione nga katër, është në fakt e ndryshme edhe nga kërkesa e saj e mëparshme e shtatorit 2023. Në atë kohë, Rithemelimi kërkoi në kuvend ngritjen e një komisioni për hetimin e që të katërtave koncesioneve [link kërkesa], ndryshe nga kërkesa e pas kompromisit, e cila heq dy nga katër koncesionet nga objekti i hetimit.

Koncesionet e të dyja qeverive, asaj të Partisë Demokratike, 2005-2013, por në veçanti, asaj të Partisë Socialiste pas vitit 2013 kanë ngritur pikëpyetje për korrupsion dhe abuzime, nga shqiptarët apo nga institucionet ndërkombëtare. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje duke i konsideruar ato si një përdorim “joefikas” i fondeve publike ndërsa ka paralajmëruar për rrezikun për stabilitetin financiar të vendit./BIRN/ 

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts