Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim të enjten pasdite reagoi për vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila dënoi me dy vite burg ish-Kryeprokurorin Adriatik Llalla.
Znj.Kim kujton se Llalla është një nga ish-zyrtarët e lartë që u ndalua nga SHBA për korrupsion të rëndësishëm.
Vendimi i sotshëm sipas ambasadores amerikane tregon se askush, pavarësisht se sa i fuqishëm është, nuk është mbi ligjin.
Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla u dënua me 2 vite burg nga GJKKO dhe 5 vite ndalim për të kryer funksione publike.
Llalla u dënua për mosdeklarim pasurie dhe gjithashtu iu sekuestruan edhe disa pasuri të patundshme si 4 sipërfaqe toke, në total 22 mijë metra katrore dhe 1 apartament në Durrës.
STATUSI NGA YURI KIM
Mirë që SPAK jep gjithnjë e më shumë rezultate. Kjo çështje, e cila përfshin një ish-zyrtar të lartë të ndaluar nga SHBA për korrupsion të rëndësishëm, tregon se askush – pavarësisht sa i fuqishëm – nuk është mbi ligjin. Kur TË GJITHË janë të barabartë para ligjit, të GJITHË kanë dinjitet. Ky është dinjiteti i vërtetë.
© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al