E BUJSHME/ Alegri merr kohë, Juventusi mendon t’i besojë stolin një ish-milanisti



Atëherë kur mendohej se po luftonin dy persona për një stol, ndërsa një tjetër mbetet një ëndërr disavjeçare e presidentit Andrea Anjeli, ja tek vjen një lajm bombastik. Juventusi, i cili tashmë duket se e ka vendosur që do të shkëpusë në fund të sezonit marrëdhëniet me Andrea Pirlon, ka vendosur që të vlerësojë edhe hipotezën Xhenaro Gatuzo. Po, pikërisht kështu, në skenë del një tjetër ish-milanist, i cili sido që ta mbyllë këtë sezon në radhët e Napolit, do të largohet nga skuadra jugore, duke parë krisjen totale të marrëdhënieve me presidentin Aurelio de Laurentis.

Juventus-v-AC-Milan-Italian-Supercup-1569592376

Xhenaro Gatuzo është një figurë shumë e fortë, i cili edhe pse ndoshta nuk hyn në rangun e atyre trajnerëve të mëdhenj dhe fitues, ka si armë kryesore personalitetin, atë karakteristikë që ndoshta i ka munguar Pirlos dhe Juventusit në këtë sezon, të cilit po i vjen fundi. Sipas vlerësimeve të bëra deri tani, ndoshta edhe stafi drejtues bardhezi është bindur se basti “Pirlo” ka qenë një gabim, duke parë faktin se ishfantazisti bardhezi dhe i Milanit nuk kishte asnjë eksperiencë më parë, aq më tepër bagazhin për ta nisur këtë profesion të ri nga një skuadër e madhe siç është “Zonja e Vjetër”, diktatorja e 9 viteve të fundit të Serisë A, e cila tashmë rrezikon që të mbetet edhe pa luajtur Champions-in sezonin e ardhshëm. Xhenaro Gatuzo, pas eksperiencës me “Djallin”, ka treguar te Napoli se jo vetëm idetë e lojës së bukur nuk i mungojnë, por në të njëjtën kohë ka ditur që të përballojë me shumë sukses edhe presionin e një skuadre të madhe siç është Napoli në dekadën e fundit. Kjo risi në listën e dëshirave të Andrea Anjelit ka ardhur si rrjedhojë e faktit se pas kontakteve që kanë nisur ditë më parë për rikthimin e Masimiliano Alegrit, ky i fundit ka kërkuar disa ditë kohë që të kuptojë diçka më shumë dhe të bëjë studimet e tij.

gattuso.napoli.2020.21.vieni.750x450

Pozitiv është fakti se “Konti Maks” ka dhënë siguri se nëse i thotë “po” rikthimit në Torino, do ta bëjë atë qoftë me Champions-in, ashtu sikurse pa pjesëmarrjen në turneun më të rëndësishëm për klube. Por, mes Alegrit dhe Gatuzos ka edhe një alternativë tjetër, më saktë një ëndërr që askush nuk kërkon të perëndojë… Bëhet fjalë për Zinedin Zidanin, i cili pasi të mbyllë këtë sezon me Realin e Madridit, ku është në garë për titullin dhe biletën e finales së Ligës së Kampioneve, do të bëjë publike të ardhmen e tij. Pasi eliminoi Atalantën në 1/8-at, më shumë sesa analiza për kalimin e turit, Zinedin Zidan bëri jehonë në Itali, pasi pyetjes nëse një ditë do të rikthehej te Juventusi, ai iu përgjigj pozitivisht dhe bindshëm madje, njësoj sikur theksoi se drejtimi i bardhezinjve, aty ku u ngjit në piedestal si futbollist, është pa dyshim një prej hapave që do të hedhë në karrierën e tij si trajner. Shkurt, Juventusi dhe Andrea Anjeli e kanë rrotulluar ruletën. Tani pritet vetëm ku ajo do të ndalojë: Alegri, Gatuzo apo Zidan…

Përgatiti: JETON STAMOLLA

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *