“E hedh poshtë me neveri bashkëpunimin me autorin e masakrës së 25 prillit”/ Basha ftesë demokratëve: Të vazhdojmë betejën së bashku






basha me demokratet durres

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i krahason zgjedhjet e 25 prillit me 31 marsin e vitit 1991.

Në një takim me demokratët e Durrësit, Basha tha se “25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë, njësoj si në 31 marsin e largët të vitit 1991, këto ishin zgjedhje pa zgjidhje”.

“E di se mbi ju është derdhur jo thjesht një fushatë politike ç’ka do ishte normale kjo edhe nga një parti në pushtet, por hakmarrja barbare e dikujt që nuk do dhe kurrë nuk i ka pranuar rregullat e pluralizmit. Hakmarrja barbare e atyre të cilët janë bërë njësh me këtë përpjekje kriminale për të mbajtur pushtetin e pakicës, duke ju mbivendosur vullnetit të shumicës.

Sepse 25 prilli njësoj si në ‘91 pa përballë dy palë. Nga njëra anë jo Partia socialiste, sepse nuk janë socialistet e Durrësit ata që vendosën Ilir Ndraxhin, Jurgen Çyrben, Rrahman Rrajen e Lefter Kokën me shokë në listën e kandidatëve, siç e dimë fare mirë socialistët e Durrësit dhe ne kundërshtarët e tyre.

Ne nuk kishim përballë një parti qoftë kjo edhe në pushtet, por një shtet të vënë në shërbim të një bande politiko-oligarkiko-kriminale. Dhe nga ana tjetër kishim Partinë Demokratike njësoj si në ‘91, pa asnjë instrument pushteti, me përjashtim të pushtetit më të madh që na fal Zoti, që është pushteti i zemrave të kulluara të demokrateve, është pushteti moral, është pushteti i qëllimeve tona të drejta, është pushteti i vizionit tonë, i programit tonë për Shqipërinë, për shqiptarët, për Durrësin dhe për durrsakët”.

Duke nënvizuar se më 25 prill është “asgjësuar” mekanizmi i vetëm që njeh demokracia, Basha tha se ka dy faktorë kryesorë “se pse masakra jo vetëm nuk na theu, por na bëri më të fortë dhe sepse pas 25 prillit buza e kundërshtarit nuk qesh, sepse është i vetëdijshëm për masakrën, për krimin që ka kryer”.

“Ndaj, i është rikthyer manovrave, dy prej të cilave shquhen. E para, dredhia, hileja e shtrirjes së dorës për gjoja bashkëpunim pa kushte e pa vija të kuqe e me letra të bardha.

Tani më nuk ka shqiptarë që nuk e njeh dredhinë dhe mashtrimin si dy vetitë kryesore të Edi Ramës. Po pse e bën pikërisht tani? Sepse e njeh forcën me të cilën kemi dalë nga kjo betejë. Sepse e di që edhe durrsakët e thjesht, edhe shqiptarët e thjesht, shokut dhe tronditjes po i lë vend zemërimi dhe do në këtë mënyrë të zbus e mundësisht të zhduk betejën që e pret.

Dhe kjo mund të arrihet duke na bërë pjesëtarë të masakrës, pjesëtarë të vjedhjes, pjesëtarë të krimeve zgjedhore dhe të tillë do të bëhemi nëse pranojmë bashkëqeverisjen nëse e kapim dorën e shtrirë te hajdutit të vullnetit të shqiptarëve me 25 prill.

Dy përgjigje të qarta dhe të prera për dy pyetje që shtrohen e rishtohen. Kryetari i Partisë Demokratike nuk i njeh zgjedhjet e 25 prillit si legjitime dhe përfaqësuese të vullnetit të shqiptarëve.

Kryetari i Partisë Demokratike e hedh poshtë me neveri bashkëpunimin me autorin e kësaj masakre dhe i ftoj të gjithë shqiptarët të na bashkohen në të vetmen rrugë që ka një shoqëri e civilizuar, e në veçanti një shoqëri që është nisur për në destinin Europian”, u shpreh Basha.

Në një takim me demokratët e Fushë Krujës, Basha tha sde “ftesa ime është të vazhdojmë betejën së bashku deri në largimin e regjimit, deri në rikthimin e demokracisë, deri në triumfin e vlerave sepse rrugë tjetër për demokracinë, rrugë tjetër për Shqipërinë, rrugë tjetër për shqiptarët nuk ka e nuk mund të ketë”.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *