“E kaluara të trajtohet me objektivitet”- Presidenti Meta: Të dëmshpërblehen plotësisht shtresa e të përndjekurve politikë









Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar me titullin “Për Merita të Veçanta Civile”, tre anëtarë të familjes Plaka të cilët kanë qenë të përndjekur politik nga regjimi komunist.

ilirmeta1

Me propozim të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Presidenti Meta dekoroi tre anëtarët e familjes të cilët kanë ndërruar jetë.

Më konkretisht, janë vlerësuar me titullin “Për Merita të Veçanta Civile”:

Hanko Plakën (pas vdekjes): Në vlerësim të qëndresës dhe integritetit njerëzor të treguar në kushtet e shtypjes dhe të dhunës së ushtruar nga pushteti diktatorial. Me mirënjohje të veçantë për sjelljen fisnike dhe pa bujë si dhe për shembullin frymëzues të humanizmit, rezistencës dhe solidaritetit të rrallë.

Shaban Plakën (pas vdekjes): Në vlerësim të qëndresës dhe integritetit njerëzor të treguar në kushtet e shtypjes dhe të dhunës së ushtruar nga pushteti diktatorial. Me mirënjohje të veçantë për sjelljen fisnike dhe pa bujë si dhe për shembullin frymëzues të humanizmit, rezistencës dhe solidaritetit të rrallë.”;

Behije Plakën (pas vdekjes): “Në vlerësim të qëndresës dhe integritetit njerëzor të treguar në kushtet e shtypjes dhe të dhunës së ushtruar nga pushteti diktatorial. Me mirënjohje të veçantë për sjelljen fisnike e pa bujë si dhe për shembullin frymëzues të humanizmit, rezistencës dhe solidaritetit të rrallë.

Në fjalën e tiij gjatë ceremonisë ku merrnin pjesë përfaqësues të shtresës dhe shoqatave të ish-të përndjekurve politikë, Presidenti Meta u shpreh:

“Jam i nderuar të jemi së bashku për të dhënë një vlerësim, mëse të merituar, tre anëtarëve të një familjeje të persekutuar e të përndjekur padrejtësisht, gjatë regjimit komunist, Shaban Plaka, Hanko Plaka dhe Behije Plaka. Ditë, si kjo e sotmja, janë të rëndësishme, për familjet, për shoqërinë dhe për të ardhmen, sepse nderojmë ‘Për Merita të Veçanta’, tre njerëz, sa të thjeshtë, aq edhe të rrallë.  Tre njerëz, pa bujë në jetën që kaluan dhe mënyrën se si u përballën me të, por të zëshëm në kontributin që dhanë në shoqëri dhe për shoqërinë. Familja Plaka, në Gostimë të Cërrikut, me burra e gra të zotë, ndihmoi lëvizjet për liri, për të drejta dhe dinjitet njerëzor, ashtu si shumë familje të tjera atdhetare dhe u përfshi, edhe në luftën për çlirimin e vendit.

Dera e tyre patriotike bëri emër për kontributet, në përballje me pushtuesit e huaj, por fatkeqësisht ëndrrat e tyre, për liri e drejtësi u shkrumbuan me vendosjen e regjimit komunist në vend. Edhe pse më një djalë dëshmor në luftë, Hanko Plaka u mënjanua nga jeta publike.

Ndërkohë, i biri, Shaban Plaka, vëllai i dëshmorit dhe pjesëmarrës në luftë në batalionin Dumreja, u akuzua si “Armik i Popullit”, edhe pse dëshmitë provuan se, ai dhe vëllai tjetër, kishin ndihmuar Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe familjet në nevojë. E gjithë historia e familjes Plaka, në përballje e saj me diktaturën, dëshmon dinjitetin me të cilin zonjat dhe zotërinjtë e kësaj familje, sfiduan dhunën e pushtetit, pavarësisht konfiskimeve, dënimeve të përsëritura, survejimeve, izolimit, mohimit të së drejtës për t’u arsimuar, trajtimit si ‘Armiq të Popullit’, dhe demaskimit publikisht si kulakë. Në nderim të 11 burrave të fisit të njohur Plaka, të dënuar politikisht nga regjimi komunist, me pushkatim, burgim, punë të detyruar dhe internim dhe zonjave që i mbështetën në ditë të vështira, në Gostimë ka një rrugë që mban emrin e Shaban Plakës.

Pasardhësit e familjes, që kaluan një kalvar të madh vuajtjesh, për dekada me radhë, sot ruajnë me nder e dinjitet trashëgiminë e vlerave të familjes Plaka. Përballja me të shkuarën mbetet prioritet serioz për të gjithë politikën dhe shoqërinë tonë, dhe ditë vlerësimi si kjo janë të rëndësishme, për të kujtuar dhe reflektuar. Disidenca shqiptare meriton, jo vetëm të kujtohet në ngjarje dhe ditë të veçanta, por edhe të shkruhet e të plotësohet e gjithë historia e saj.

Vendi ynë duhet të vazhdojë trajtimin e të kaluarës me objektivitet, transparencë dhe drejtësi, për rehabilitimin, integrimin dhe dëmshpërblimin e plotë të shtresës së të përndjekurve politikë. Përvoja botërore na mëson se nëse harrohen, tragjeditë e së kaluarës janë të destinuara të rikthehen, në një formë apo në një mënyrë tjetër. Ndaj e vlerësoj lart misionin e ‘Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, për ndriçimin e së vërtetës së përndjekjes dhe të terrorit të diktaturës komuniste dhe punën e vazhdueshme  për lartësimin dhe rivlerësimin e figurave të rezistencës demokratike. Falënderoj kryetaren e Autoritetit, zonjën Gentiana Sula për sjelljen në vëmendjen time si President i Republikës, të figurave që meritojnë mirënjohjen dhe vlerësimin e shtetit shqiptar. Nder përjetë gjithë luftëtarëve, disidentëve dhe ish-të përndjekurve politikë të Shqipërisë!”

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.