E kërkon Vllaznia dhe Partizani, sulmuesi drejt firmës me Dinamon! Kryqytetasit piketojnë edhe 3 goditje nga Superiorja






Dinamo është më pranë se kurrë afrimit të sulmuesit Xhuliano Skuka. Ashtu siç ka paralajmëruar prej ditësh “Panorama Sport”, drejtuesit e klubit blu janë futur në bisedime intensive me lojtarin dhe agjentin e tij. Skuka e mbylli sezonin në Kategorinë e Parë si pjesë e Korabit, duke shënuar 14 gola.

Xhulio Skuka

Burime të sigurta në klubin dinamovit i thanë gazetës se ditët e fundit ka pasur një takim mes palëve dhe gjërat duken në rrugë të mbarë.

Mësohet se golashënuesi ka kërkuar rreth 4 mijë euro pagë në muaj për t’u veshur blu, ndërsa drejtuesit e Dinamos duan që ta kenë me çdo kusht në skuadër, por nga ana tjetër, sulmuesi bën “presion” edhe me ofertat e tjera. Për Skukën ka një interesim konkret edhe nga Vllaznia e Partizani, paçka se blutë janë treguar më bindës me ofertën e tyre. Gjithsesi, gjasat janë që Skuka të pranojë ofertën e Dinamos dhe të debutojë në Superiore pikërisht me këtë ekip.

TË TJERËT – Drejtuesit e klubit 18 herë kampion të vendit po punojnë itensivisht për të ndërtuar një ekip serioz që do të kërkojë vendet e para në Superiore. Në këto kushte, trajneri i ri, Bledi Shkëmbi, po kërkon futbollistë të afirmuar, të cilët japin garanci për Dinamon.

DINAMO MERKATO

Nga burime pranë klubit blu, mësohet se pëlqehet shumë qendërmbrojtësi i Vllaznisë, Mevlan Adili. Natyrisht, duhet që së pari lojtari nga Shkupi të largohet nga shkodranët, aty ku ndihet i vlerësuar. Dy emrat e tjerë preferohen nga dinamovitët janë kampionë me Teutën dhe që kanë punuar me Shkëmbin kur ky i fundit drejtonte durrsakët dy sezone më parë. Bëhet fjalë për mbrojtësin e majtë, Aleksandër Kuro, si dhe mesfushorin e qendrës, Albano Aleksi, të cilët kanë qenë titullar me durrsakët në këto dy sezone.

Të dy lojtarëve u ka skaduar kontrata me Teutën dhe tashmë janë futbollistë të lirë për të zgjedhur, por gjithsesi ata mund të jenë pjesë e ekipit edhe në Ligën e Kampioneve me “djemtë e detit”. Nuk është çudi që Aleksi dhe Kuro të lënë Teutën për Dinamon, por kjo mbetet për t’u parë, pasi varet edhe nga interesi që ka klubi durrsak për lojtarët dhe natyrisht kërkesat e tyre. Kryeqytetasit duan të plotësohen sa më shpejt, në mënyrë që Shkëmbi të ketë kohën e duhur në kompaktësinë e grupit për sezonin e ri.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *