E mbijetuara e përdhunimit gjatë luftës në Kosovë, jep mbështetje për Izraelin

e mbijetuara e perdhunimit gjate luftes ne kosove jep mbeshtetje per izraelin

11:41 18/02/2024

Vasfije Krasniqi shprehet se drama e saj e njëjtë me viktimat në Izrael do të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit për këto mizori

Vasfije Krasniqi Goodman ecën mes memorialeve të shpërndara në jug të Izraelit, 25 vjet pasi ka përjetuar dramën më të madhe të jetës së saj kur u përdhunua në adoleshencë gjatë luftës në Kosovë. Ajo ndalon për të fotografuar fotografitë e izraelitëve që u qëlluan, u dogjën për vdekje në festivalin Nova pranë Kibbutz Reim. Sipas autoriteteve izraelite, gjithsej 364 persona u vranë atje dhe disa u sulmuan seksualisht.
“Kanë kaluar 25 vjet. Nuk kemi drejtësi, nuk kemi falje. Ata as nuk i pranojnë ato krime. Dhe shpresoj vetëm që Izraeli të ketë një rezultat më të mirë se ne.”

Masakra në festivalin e muzikës Nova ishte incidenti i vetëm më i përgjakshëm në sulmin ndërkufitar të Hamasit më 7 tetor, i cili shkaktoi kundërofensivë shkatërruese të Izraelit në Gaza, tashmë në muajin e katërt. Rreth 40 persona në festë u morën peng në Gaza. Ka pasur kritika të ashpra në Izrael për reagimin e vonuar nga grupet ndërkombëtare të grave ndaj dhunës së kryer ndaj grave izraelite atë ditë.

“Në rastin tim, nuk ka drejtësi për historinë time. Unë dua që të mbijetuarit e tjerë të marrin drejtësi sepse kjo është koha kur ne fillojmë të shërohemi. Kam takuar të mbijetuar nga të gjitha sferat e jetës, nga të gjitha vendet e ndryshme, nga të gjitha luftërat e ndryshme, ne luftojmë për drejtësi dhe për t’i dhënë fund stigmës, sepse dhuna seksuale është një tabu e tillë në çdo vend, çdo fe, çdo sfond.”

Gjatë një vizite njëjavore në Izrael, ajo vizitoi vendet e festivalit Nova, Kfar Aza dhe Netiv HaAsara, fshatra të cilët u sulmuan. Ajo u takua gjithashtu me familjet e pengjeve dhe zyrtarë në Knesset, parlamenti i Izraelit.

“Jeta nuk është e lehtë. Do të keni ulje-ngritjet tuaja. 14 Prilli do të bëhen 25 vjet për mua që kur jam rrëmbyer dhe nuk kalon ditë që të mos e mendoj. Por ne duhet të jemi të fortë, duhet të luftojmë për drejtësi. Duhet të themi të vërtetën. Ne duhet t’i themi botës se ato krime, ato ndodhin çdo ditë në paqe ose në luftë, gratë i nënshtrohen dhunës çdo ditë, pa marrë parasysh se nga cili vend jeni.”

Shumica e krimeve të luftës duke përfshirë përdhunimet ndodhën midis marsit dhe qershorit 1999, pasi forcat serbe terrorizuan popullsinë etnike shqiptare në Kosovë. Në mars 1999, pasi bisedimet e paqes të ndërmjetësuara ndërkombëtarisht dështuan, NATO filloi sulmet ajrore kundër Jugosllavisë që zgjatën 78 ditë përpara se Beogradi të dorëzohej. Vasfije Krasniqi, e cila tani jeton në Teksas, ka dëshmuar para Kongresit Amerikan se si u përdhunua nga një oficer serb dhe një burrë tjetër pasi u mor peng nga shtëpia e saj në vitin 1999. Sulmuesit sipas saj janë ende të lirë.

“Do të doja të kisha pasur rastin apo mundësinë kur po vazhdonte lufta në Kosovë, nëse do të kisha një të mbijetuar të vinte të fliste me mua, sepse askush nuk na kupton se çfarë këmi kaluar. Ka OJQ, ato përpiqen të na ndihmojnë dhe bëjnë shumë për ne, por ju nuk e kuptoni me të vërtetë dhimbjen e një të mbijetuari nëse nuk jeni vetë i mbijetuar. Pra, mesazhi im për ta është që të mund të flasin me njëri-tjetrin, të flasin me familjet e tyre dhe të mos e mbajnë atë, sepse do t’ju shkatërrojë.”
Provat e mbledhura nga Izraeli dëshmojnë se militantët e Hamasit akuzohen jo vetëm për përdhunim, por edhe për vepra të tjera kriminale.

“Nëse ju e bëni përdhunimin në një zonë lufte, si një krim lufte, si një krim kundër njerëzimit, ata që do të akuzohen, nuk janë terroristët, nuk janë ushtarët, nuk janë ata që kanë kryer krimet, por ai që i dërgoi për ta bërë. Ne e dimë faktikisht se terroristët e Hamasit morën urdhra, urdhra me shkrim për të shkuar në këtë zonë të pjesës jugore të Izraelit. Ata akuzohen për vrasje me dashje, tortura, copëtim, prerje kokash dhe jo vetëm përdhunim. Përdhunimi ishte një prej urdhrave që ata morën.”

Nitsana Darshan Leitner, shprehet se vizita e Vasfijes do të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit për këto mizori, nevojën për të ndjekur penalisht terroristët e Hamas, për të gjykuar krimet e dhe për nevojën për të çrrënjosur përdhunuesit e Hamasit nga Gaza. Hamasi mohon fuqishëm akuzat për sulme seksuale ose gjymtime nga anëtarët e krahut të tij të armatosur, Brigadave Izz el-Deen al-Qassam, më 7 tetor ose pas kësaj. Provat dhe dëshmitë e shumta nga të mbijetuarit vërtetojë se në atë festival dhe jo vetëm janë gjetur gra gjysmë të zhveshura, të lidhura, të zhveshura, të dhunuara ose të djegura, në dy komunitete duke përfshirë Kibbutz Beeri, Nir Oz.

Organizatat e ndryshme përfshirë edhe OKB-në kanë shqyrtuar imazhet që përputheshin me disa nga përshkrimet ose dëshmonin mizori të tjera. Një komision hetimor i OKB-së që heton krimet e luftës në të dyja anët e konfliktit Izrael-Hamas po vijon të hetojë akuzat për dhunë seksuale nga Hamasi, mes kritikave izraelite që OKB-ja kishte heshtur. Izraeli e akuzon komisionin për njëanshmëri dhe ka thënë se nuk do të bashkëpunojë me hetimin. Por ndër pengesat me të cilat përballen hetuesit është fakti se shumë viktima janë të vdekura ose të traumatizuara.

Klan News


Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne :bopta sotwww.botasot.al

Spread the love

Similar Posts