E mori lajmin për lindjen e të birit pas hekurave, djali i Adem Demaçit: Ja si më quajtën Shqiptar

Nuk e kishte fatin të lindte si shumica e fëmijëve të tjerë. Kur u lind ndjeu vetëm përqafimin e ngrohtë të nënës së tij, por jo edhe të babait. Edhe pse e kishte gjallë, mungonte prezenca e tij. Kjo për shkak që ishte në burg dhe ishte burgosur nga serbët për vendosjen e 99 flamujve shqiptarë nëpër rrugët kryesore të qyteteve të Kosovës.

Ishte pikërisht viti 1965 kur Adem Demaçi u bë baba i një djali. Lajmin arriti ta marrë vetëm prapa hekurave. Por, pavarësisht kësaj ai edhe pse ishte në burg gruas së tij ia kishte lënë një porosi.

Kishte vendosur që emri i fëmijës së tij të jetë i veçantë nga të tjerët. Krejt kjo për t’u lidhur me barazinë kombëtare, pasi një gjë e tillë në atë kohë mungonte.

Djalë apo vajzë, ai do të lindte me emrin Shqiptar ose Shqiptare. Dhe, këtë tashmë Adem Demaçi e kishte ngulitur në kokë.

Pikërisht sot për festën e shqiptarëve, Festën e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit në një rrëfim të veçantë djali i Adem Demaçit, Shqiptar Demaçi tregon gjithë ngjarjen e emrit të tij.

Thotë se emri i tij është gjakim për barazi kombëtare.
“Babai, atë kohë (viti 1965) në vuajtje të dënimit me burg politik, e ka porositur nënën që ‘nëse len djalë t’i lihet emri ‘Shqiptar’, e nëse len vajzë emrin ‘Shqiptare’. Emri ishte synim, gjakim për barazi kombëtare, që në atë kohë qe tejet e mangët, sepse qe kohë që shqiptarët e Kosovës shpërnguleshin me dhunë në Turqi dhe diskriminoheshin kombëtarisht”, është shprehur Demaçi për FrontOnline.

Demaçi tregon se cili ishte pseudonimi i tij dhe kush ishin personat që nuk e thërrisnin në emër. Ani pse e ka emrin Shqiptar, jo të gjithë e thërrisnin kështu.

Shqiptar Demaçi, kishte pseudonime të ndryshme.
Familjarët dhe disa të afërm e thërrisnin në emra të tjerë, e disa të afërm të tjerë edhe më ndryshe.

Kishte gjithsej pesë pseudonime. Demaçi tregon edhe emrat e tij të tjerë me të cilët njihej.

“Si fëmijë, familja e të afërmit me thirrnin shkurt ‘Shipi’ , më vonë ‘Shqipi’, dikush ‘Shqype’, ca të afërm ‘Type’, ca shokë ‘Demaç’ etj”, shprehet ai, ndërsa thotë se me kalimin e kohës është mësuar me emrin e tij dhe se më nuk i ka ardhur çudi.

Shqiptar Demaçi, djali i Adem Demaçit ka thënë se asnjëherë nuk ka menduar që ta ndërrojë emrin, edhe pse emri i tij kishte një simbolikë të veçantë.
Teksa e shpjegon domethënien e emrit të tij, Demaçi deklaron se emri është shenjë dhe nuk bën të ndërrohet.
“Natyrisht që jo. Është një fjalë latine: “Nomen est omen” (Emri yt është shenjë, fatum, se çdo të jesh)”, ka thënë ai.

I pyetur se me cilat vështirësi është përballur gjatë kohës së okupimit serb kur bëhet fjalë për nxjerrjen e dokumenteve dhe mohimin e të drejtave të tjera Demaçi, pa dashur të japë detaje thotë se ajo kohë ka qenë e vështirë për të gjithë shqiptarët.

“Ajo kohë qe kohë e rëndë për popullatën në krejt ish-Jugosllavinë e veçanërisht për boshnjakët e shqiptarët e Kosovës. Por, regjimi okupues serb nuk ka pas kohë me u marrë me detaje”, është shprehur Demaçi.

Por, tregon se çfarë kishte ndodhur kur nëna e tij kishte shkuar për ta regjistruar në zyrën e gjendjes civile.
“Natyrisht që e patën pyetur nënën se ç’është ky emër kështu dhe emrin tim atëherë e patën regjistruar me germa cirilike (e kam certifikatën origjinale)”, ka thënë ai.

Shqiptar Demaçi, është djali i veprimtarit Adem Demaçi, ndërsa me profesion është kirurg torakal.

Babai i tij, Adem Demaçi, ka vdekur në vitin 2018 dhe është simbol i rezistencës kombëtare. Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai quhet edhe Nelson Mandela i Evropës.

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së.

Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.
Ai ka shkruar romanin “Gjarpijt e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjetë.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.