Edit Harxhi dhe Ibsen Elezi dorëzojnë sot kandidaturat për kreun e PD, por kërkojnë shtyrjen e datës së zgjedhjeve: Nxitim i pajustifikuar






Grupi per PD-Imami-Nishani-Harxhi-Kulluri-Ibsen-elezi (3)MARIGLEN KUME/ Zbulohen edhe dy kandidatë të tjerë të cilët aspirojnë të marrin drejtimin e Partisë Demokratike për 4 vitet e ardhshme.

Gazeta “Panorama” mësoi se sot në selinë blu do të dorëzohet kandidatura e Edith Harxhit dhe ish-kryetarit të degës Kukës, Ibsen Elezi. Kandidatura e tyre pritej të shpallej dje, por për shkak të ngjarjeve të fundit ku ish-Kryeministri Berisha u shpall “non grata” dhe vëmendja e opinionit publik ishte pikërisht në këtë ngjarje. Ndaj edhe lëvizja “Për PD”, një grupim kritik ndaj Lulzim Bashës, vendosën që të depozitojnë sot kandidaturat e tyre, kur kanë mbetur edhe dy ditë nga përfundimi i afatit ligjor. Ndërkohë, më herët publikisht ka shpallur kandidaturën e tij edhe Fatbardh Kadilli, por që edhe ky i fundit nuk ka depozituar dokumentet në selinë blu.

Po ashtu, edhe kryedemokrati Lulzim Basha nuk ka shpallur publikisht kandidaturën e tij. Kandidatët për kryetar të Partisë Demokratike duhet që të plotësojnë një formular ku përveç gjeneraliteteve dhe gjendjes gjyqësore, pra nëse kanë qenë ndonjëherë të dënuar apo jo, duhet t’i përgjigjet edhe pyetjes nëse kanë pasur ndonjë funksion në kohën e komunizmit. Nëse pas zgjedhjeve fituesi vërtetohet se ka manipuluar formularin, atëherë i ndërpritet mandati i kryetarit të PD-së. Sipas udhëzimit të miratuar të dielën nga kryesia dhe këshilli kombëtar i PD-së, zgjedhjet për kryetar të PD-së zhvillohen më 13 qershor, në një kohë që sipas statutit të PD-së duhet të bëheshin në korrik po të këtij viti.

KËRKESA

Lëvizja “Për PD” kundërshtoi që ditën e diel vendimin për zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë, një ditë para se të depozitonin kandidaturat, pikërisht dje ata i dërguan një letër kryetarit të Partisë Demokratike dhe Kryesisë së PD-së, që të shtyjnë zgjedhjet për kryetar të PD-së. Sipas letrës së tyre, vendimi për zgjedhje të parakohshme ishte i nxituar dhe nuk shërben për demokratizimin e Partisë Demokratike, por përkundrazi, eliminon debatin dhe analizën e zgjedhjeve. Po ashtu, ata mendojnë se zgjedhjet e parakohshme nuk u japin kohën e mjaftuar kandidatëve për të bërë fushatë. Janë 21 ditë, ndërkohë që në të gjithë Shqipërinë janë 71 degë.

LETRA

Ne, pjesëtarët e grupit “Për PD”, në Partinë Demokratike, në vijim të deklaratës sonë dt. 17 maj 2021, mbetemi të bindur dhe ripohojmë se:

“Nxitimi për hapjen e zgjedhjeve nuk ka për qëllim analizën dhe reformimin e partisë, por eliminimin e debatit në radhët e partisë dhe të një gare të hapur. Vendimi i Këshillit Kombëtar për hapjen e parakohshme të zgjedhjeve është i pajustifikuar”. Për këtë arsye, gjykojmë se është në dobi të Partisë Demokratike të mirëkuptohet dhe të trajtohet me përgjegjësinë e duhur politike dhe institucionale kërkesa jonë, e cila është: Shtyrja e datës për zgjedhjen e Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, caktuar për në datën 13 qershor 2021.

Mbetemi të bindur dhe gjykojmë me përgjegjësi se caktimi i datës 13 qershor 2021 për zgjedhjen e kryetarit të partisë, është në shkelje të hapur të kërkesave për një garë të ndershme, të besueshme dhe të dobishme për vetë Partinë Demokratike. Një vendim i tillë paragjykon, ende pa filluar gara zgjedhore, rezultatin e saj! Aq më tepër dhe sidomos sepse një afrim i tillë i datës, duke iu shmangur datës 22 korrik 2021, të parashikuar nga Statuti i Partisë Demokratike të Shqipërisë si data më e afërt për zhvillimin e zgjedhjeve, nuk bazohet në asnjë përcaktim statutor dhe/ose nevojë të qenësishme, të kushtëzuar nga gjendja dhe zhvillimet politike. Përkundrazi, gjykojmë se mundësimi i shtyrjes së datës së zgjedhje dhe zhvillimit të fushatës zgjedhore për kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë në një kohë politikisht më të përshtatshme, duke pasur parasysh zhvillimet, është në dobi jo vetëm të Partisë, por edhe të vendit dhe të kombit tonë.

Ne, pjesëtarët e grupit “Për PD”, në Partinë Demokratike të Shqipërisë, paraqesim këtë kërkesë, të bindur dhe të përgjegjshëm se mundësimi dhe zhvillimi i një gare zgjedhore të ndershme dhe të besueshme për kryetarin e Partisë Demokratike i shërben, në radhë të parë dhe sidomos vetë Partisë, anëtarëve dhe mbështetësve të saj, por edhe Shqipërisë dhe kombit tonë. Duke mbetur në pritje të përgjigjes, shprehim edhe një herë gjithë përkushtimin tonë për të marrë pjesë me përgjegjësi në reformimin e thellë dhe të domosdoshëm të Partisë Demokratike të Shqipërisë, për ta ribërë atë mbartësen e shpresës së humbur të shqiptarëve, si në vitin 1990, shprehësen politike dhe institucionale të vlerave më të mira që dallojnë një parti të qendrës së djathtë, si dhe vlerave të popullit dhe kombit shqiptar

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *