“Efekti negativ prej 17 mld lekësh, të gjenden nga programi i PPP”/ Zbardhet propozimi i PD për të ulur TVSH për ushqimet: Ja sa ndikon në uljen e çmimeve për familjet








lulzimbashaok

MARIGLEN KUME/ Partia Demokratike do të depozitojë sot në Kuvend një tjetër nismë ligjore. Nisma e radhës propozon që të ulë tatimin mbi vlerën e shtuar për mallrat e shportës ushqimore nga 20% që është aktualisht, në 6%. “Pas pikës 9, të nenit 49, shtohet pika 10 me përmbajtje si më poshtë vijon: 10.

Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e mallrave të shportës, është në nivelin 6 për qind. Mallrat e shportës do të konsiderohen mielli, buka, vezët, qumështi, bulmeti, patatja, vaji, sheqeri dhe mishi”, thuhet në projektligjin e siguruar nga gazeta “Panorama”.

Grupi i punës i Partisë Demokratike ka bërë edhe përllogaritjen që do të ketë në buxhetin e shtetit nëse do të aplikohet masa e TVSH-së 6%. “Ndikimet dhe implikimet buxhetore janë llogaritur duke iu referuar të dhënave statistikore nga INSTAT. Nga një vlerësim paraprak, në Shqipëri janë 768.963 mijë familje, me një buxhet familjar mesatar të shportës së ushqimit prej 83.475 mijë lekësh/familje (3.6 persona); nga këto konsumohen 16.200 mijë lekë për shportën bazë të ushqimeve.

Me uljen e TVSH-së nga 20% në 6%, për shportën bazë ushqimore buxheti i shtetit do të ketë një rënie prej 17 miliardë lekësh në vit. Propozohet që për të përballuar vështirësitë ekonomike, të ulet TVSH-ja dhe efekti negativ prej 17 mld lekësh të gjendet nga programi i PPP-ve për vitin 2022, ose rialokimi i fondeve për shpenzime joprioritare”, propozon PD-ja.

OBJEKTIVI

Çmimet e artikujve bazë të shportës brenda një periudhe 3-mujore, sipas PD-së, janë rritur 30% në tregjet e pakicës, ndërkohë që rritja në vazhdimësi e çmimeve rrezikon të çojë në varfëri rreth 40% të popullsisë. Sipas INSTAT, në vitin 2019 janë vlerësuar 659.000 individë që jetojnë nën kufirin e rrezikut për të qenë të varfër. Në kushtet e pandemisë, shtresat e varfra u përballën me kostot më të larta dhe rritja e çmimeve do të përkeqësojë mëshumë situatën financiare të kësaj shtrese.

Gjysma e shpenzimeve të familjeve shqiptare kanalizohet në blerjen e ushqimeve, ndërkohë që çmimet e tyre janë përbërësit kryesorë të inflacionit në vend, parametër i mbajtur në kontroll nga Banka e Shqipërisë në nivelin 2.40% (gusht 2021), një shifër në rritje, por brenda parashikueshmërisë së Bankës në 3%. Pjesëmarrja e shtetit në jetën ekonomike, si rregullator dhe mbikëqyrës në sektorë prodhues dhe importues të produkteve ushqimore, është me rëndësi jetike për mbijetesën/mirëqenien e popullatës.

Veçanërisht në situatën e ngarkuar ekonomike me kufizimet e rritjes shkaktuar nga pandemia, shteti nëpërmjet mekanizmave të tij, dhe jo tregu, mbetet rregullatori i vetëm në stabilizimin e çmimeve të produkteve ushqimore me rëndësi jetike. Në vazhdim të sa më lart, pavarësisht nga diferenca e shkaktuar në buxhetin e shtetit nga arkëtimi i më pak të ardhurave nga TVSH-ja e reduktuar nga 20% në 6%, buxheti (Ministria e Financave) duhet të konsiderojë modifikimet përkatëse dhe ndryshimin e volumit të zërave në investime/shpenzime qeveritare të gjykuara joprioritare në raport me mbijetesën ushqimore të shqiptarëve dhe kohën në të cilën jetojmë.

Kjo sjell gjithashtu një konkurrencë më të ndershme me vendet e rajonit, në përafrimin e vlerave mbi TVSHnë e produkteve ushqimore, ku përfitues janë bizneset dhe qytetarët/konsumatorët (Maqedonia e Veriut, TVSH për shportën ushqimore 5%, Kosova 8%, Serbia 8%).

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *