EKSKLUZIVE/ “Arbitri që inskenoi vrasjen hante dreka qyl në Vlorë”, Vasil Ruci rrëfen njohjen me italianin: Ai të “rruante”, ja pse nuk erdhi me ne në Greqi (E PLOTË)





Ka disa histori në jetën e njeriut që lindin nga hiçi. Nuk kanë lidhje me profesionin apo jetën që bën dhe nuk kanë lidhje as me planet me të ardhmen. Thjesht ndodhin. Kaq. Kështu u ndodhi edhe legjendave të futbollit vlonjat, Rrapo Taho, Vasil Ruci, etj… Të përkushtuar në përditshmërinë e tyre befas “mbin” një italian enigmatik, i paqethur, i parruar, me njohuri sipërfaqësore për legjendat e futbollit të Vlorës dhe nis të miqësohet me ta. Shumë, deri në atë pikë sa kërcasin drekat së bashku, ndonjë gotë raki apo verë dhe plazh bashkë.

Vasil Ruci

“Jam shkrimtar italian, po bëj një studim për Kontin e Monte Kristos. Por më pëlqen futbolli dhe kam dëgjuar shumë për ju, për Sokol Kushtën. Jeni të mëdhenj shumë. Do të shkruaj një ditë për ju…”, u pat thënë afro tetë muaj më parë. Më pas takime, futboll së bashku, plazh, dreka dhe një udhëtim drejt Greqisë që nuk u realizua kurrë. Bëhet fjalë për ish-arbitrin italian Davide Pekoreli që inskenoi vrasjen e tij në malet e Pukës.

Bash ai, italiani i çuditshëm që e nisi karrierën si arbitër u bë biznesmen produktesh kozmetike, falimentoi, erdhi në Shqipëri dhe i vuri flakën makinës dhe u zhduk. Ah, jo, para se të digjte makinën gërmoi kushedi se në cilën varrezë për eshtra njeriu, i futi në makinë, i vuri flakën dhe mendoi që e hoqi qafe “Davide Pekorelin” e dikurshëm dhe u transformua në Kristiano… Kristiano pra që u fut çuditshëm në jetën e ish-futbollistëve të shquar vlonjatë dhe në fund i tronditi edhe ata vetë.

“Çudi e madhe, thotë Vasil Ruci për “Panorama Sport”, na u ngjit nga hiçi. Nuk e morëm vesh se nga doli, thjesht rrinte me ne, hante me ne, luante futboll me ne dhe bënte plazh me ne. I çuditshëm për besë…”, thotë legjenda e Flamurtarit dhe qesh me zë të lartë.

Vasil a e njihnit Davide Pekorelin?

Po ku di unë o të keqen, ai ishte një njeri i çuditshëm. Çfarë të them unë tani?! Kjo botë është e çuditshme, nuk dimë kush hyn dhe kush del dhe kush na afrohet…

Si u ndiet kur e morët vesh lajmin?

U befasova. Ai nuk rrinte gjatë me mua, më shumë me disa nga shokët tanë. Kur mora vesh lajmin u surprizova, por edhe qesha…

Pse qeshët?

Po, sepse ai ishte tip i çuditshëm.

Pse ishte i çuditshëm?

Po ishte kështu si i çrregullt… As rruhej, as qethej, vetëm qeshte. Fol e qesh. Luante futboll, pinte ndonjë gotë raki.

Sa kohë kishte në Vlorë ai?

Po kishte afro 8 muaj në mos gaboj. Nuk ia kam numëruar ditët, por na u ngjit shumë. Shkonim të luanim futboll, ai nga pas. Madje edhe kur hanim ndonjë gjë së bashku, nuk na shqitej. Po nuk ndiheshim sepse ishte edhe gazmor si tip.

I paguanit ju drekat apo ai?

Jo, mo ç’paguante ai. Unë nuk jam ulur me të shpesh mo jo, por ndonjë miku ynë rrinte më shpesh. Jo, mo ku paguante ai. Madje më thanë që të jepte ndonjë drekë me qepë e domate dhe pastaj të “rruante” se donte 50 dreka të tjera mbrapsht. Po ne e kuptuam që ishte i tillë…(qesh me zë të lartë).

Po çfarë ju thoshte, me çfarë jetonte ai në Vlorë?

Po ku di unë me çfarë jetonte… Më duket se ishte prezantuar si shkrimtar, por unë asnjëherë nuk bëra muhabet shumë me të. As ai nuk më pëlqente mua dhe as unë atij…

Ju veteranët e Flamurtarit organizuat pak ditë më parë një aktivitet në Greqi dhe kemi marrë vesh se edhe Pekoreli donte të vinte me ju?

Po, na pati thënë disa herë se donte të vinte edhe ai me ne. Nuk ia prishëm, meqë ai edhe luante futboll me ne ndonjëherë pasditeve.

Por nuk erdhi ama?

Jo, nuk erdhi.

Po pse?

Sepse na tha një ditë para se e kishte babanë shumë sëmurë dhe do të ikte ta takonte.

Po pastaj çfarë ndodhi?

Nuk e pamë më. Vetëm kur e pamë në lajme. Siç ju thashë, u befasova, por jeta i ka këto gjëra. Nuk e dimë se kush hyn dhe kush del në jetën tonë, por e sigurt është se ky është një nga rastet më të çuditshme që më ka ndodhur.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *