EKSKLUZIVE/ “Armando, talent i rrallë! S’kemi luksin ta djegim”- Astrit Hafizi: Reja kujdes me Brojën, Shqipëria nuk është Italia!









Astrit Hafizi ka një mendim ndryshe nga Edi Reja sa i përket menaxhimit të Armando Brojës. Natyrisht, trajneri i shquar shkodran, që dikur ka drejtuar kuqezinjtë në kushte shumë më të vështira, nuk kërkon që të ndërhyjë në punët e brendshme të stafit të Kombëtares, por si një ish-teknik i Shqipërisë ai thotë se Kombëtarja jonë nuk e ka luksin të humbasë një talent si Broja. “Shqipëria nuk është Italia, që kur Baloteli bën ndonjë prapësi, ata e heqin dhe e zëvendësojnë me një tjetër. Duhet pasur kujdes, sepse ai është djalë i ri në moshë. Nuk mund të hapen debate të tilla që e dëmtojnë lojtarin, por edhe skuadrën”, thotë Hafizi në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”.

hAFIZI

Profesor Hafizi, si ju duket grupi i Shqipërisë në Ligën e Kombeve?

 Është një grup skuadrash ku duhet impenjim dhe seriozitet.

Seriozitet, në ç’kuptim?

Shikoni, kundër këtyre skuadrave Shqipëria ka marrë rezultate shumë të çuditshme…

Trajneri ka pasur një kritikë publike për Armando Brojën pas shortit, ju si mendoni, a po menaxhohet mirë sulmuesi?

Së pari më duhet të saktësoj se është e drejta e Rejës dhe e çdo trajneri të bëjë vlerësimet dhe të ketë një opinion për çdo lojtar. Qoftë ai edhe Broja. Trajneri ynë për fat të mirë ka një eksperiencë shumë të gjatë, sepse jemi pothuajse moshatarë dhe ai e di mirë që raste të tilla edhe ndodhin në një ekip futbolli, por duhet të bëjmë kujdes.

Kujdes për çfarë?

Broja është shumë i ri dhe në atë moshë natyrisht që edhe gabimet janë më të shpeshta. Por është e lehtë ta djegësh, ose ta humbësh si lojtar. Vështirësia është që t’i marrësh atij më të mirën derisa ai vit pas viti të piqet dhe të jetë më i përgjegjshëm. Nuk po them që t’i hapet rrugë lojtarit për çdo gjë, por edhe të shpikësh debate nga hiçi për një nga futbollistët më me perspektivë që kemi, mua nuk më duket e drejtë. Broja është aset i skuadrës, ndonëse nuk e ka pjekurinë e disa lojtarëve të tjerë aty.

Ju çfarë do të bënit po të ishit në vend të Rejës?

Mos mendoni se unë apo kolegë të mi nuk kemi pasur “koka të nxehta” në të kaluarën. Kam pasur të tillë në Kombëtare, por edhe në klubet ku kam punuar, duke filluar nga Vllaznia e më pas edhe te Dinamo e Tirana. Natyrisht, jam përpjekur t’u jap vendin sipas meritës në formacion, por edhe duke folur me ta apo duke i bërë të ndjehen të rëndësishëm. Po, ka pasur raste që edhe i kam ndëshkuar, sepse e ka kërkuar puna, por kurrë nuk kam dashur të humb një lojtar të vlefshëm për skuadrën. Ndërsa Broja është rast disi më ndryshe…

Pse është ndryshe?

Sepse është një nga më të mirët që ne kemi sot në skuadër. Luan në Premier Ligë, shënon dhe është në pronësi të Çelsit. Kurrë nuk e kemi pasur më parë një lojtar si ai. Tani më thoni pak: A e ka luksin Shqipëria e vogël që të humbë një lojtar si Broja? Unë them që jo. Trajneri nuk ka pse bie pre e pyetjeve të lojtarëve dhe duhet ta menaxhojë më mirë një lojtar të tillë. Shqipëria nuk është Italia, që kur Baloteli bën ndonjë prapësi, ata e heqin dhe e zëvendësojnë me një tjetër po aq cilësor. Duhet pasur kujdes, sepse ai është djalë i ri në moshë… Nuk mund të hapen debate të tilla që e dëmtojnë lojtarin, por edhe skuadrën.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.