EKSKLUZIVE/ “Berisha s’ka nevojë për avokat! 3 muaj në komunikim me të! Kërkesa erdhi…!”- Zbardhen debatet në Grupin e PD-së, Noka replika me Bashën: 80% e anëtarësisë është kundër!  





Basha-Berisha-perplasja-debati-PDMARIGLEN KUME/ Kur kanë kaluar 10 ditë nga vendimmarrja e kryedemokratit Lulzim Basha, çështja “Berisha” vijon të mbetet çështja më e nxehtë në selinë e Partisë Demokratike. Kreu i selisë blu mblodhi dje në mesditë kryesinë e Grupit Parlamentarë të PD-së për të vendosur piketat mbi të cilat do të fokusohet këtë javë aksioni opozitar.

Por teksa Basha po jepte porositë, vëmendja u shpërngul te çështja “Berisha” pas ndërhyrjes së nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka. Ky i fundit i kërkoi kryedemokratit Lulzim Basha që të mos anashkalojë debatin mbi vendimmarrjen për përjashtimin e përkohshëm të Sali Berishës. Sipas Nokës, përmes vendimit personal, Basha ka përçarë partinë.

Gazeta “Panorama” zbardhi debatin e plotë në mbledhjen me dyer të mbyllura të kryesisë së Grupit të PD-së, ku Noka i kujtoi kreut të PD-së se vendimi që ka marrë Basha kishte kundër 80% të anëtarësisë së PD-së, sipas një testimi që është bërë nga vetë selia blu dhe që Noka ia rikujtoi. Nga ana e tij, Basha nuk e ka mohuar një gjë të tillë, por argumentoi para tyre se vendimi ishte në të mirë të PD-së dhe të vetë liderit historik saj, pasi vetë Basha dhe Berisha kanë të dhëna që mbase asnjëherë nuk do të bëhen publike.

Ndërkohë, sa i përket kërkesës së bërë më herët nga Berisha dhe dje nga Noka që të mblidhet Kuvendi Kombëtar dhe vendimmarrja të hidhet në votim, mësohet se kreu i PD-së është shprehur se nuk do të lejojë asnjë kongres që ta nxjerrë PD-në si antiamerikane.

DEBATI I PLOTË

Flamur Noka: Ti zotëri ke marrë një vendim kundër 80% të anëtarësisë që e përçan anëtarësinë, ti e ke kaluar në heshtje.

Lulzim Basha: Këtë vendim e kam marrë dhe nuk ka më kthim pas. Kjo është kërkesë e aleatëve tanë. Dhe ti Flamur e di shumë mirë se nuk ka qenë një kërkesë nga zyrtarë të nivelit të ulët, të nivelit të tretë, por ka qenë nga kupola e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne nuk mund të dalim kundër partnerëve tanë. Për 3 muaj me radhë unë kam bërë gjithçka që të shmang sanksione të Berishës brenda kësaj partie dhe kam qenë në komunikim të vazhdueshëm me të.

Flamur Noka: Ky vendim përçan partinë dhe ti e di që 80% e anëtarëve të PD-së mbështesin liderin historik, se ti ke bërë testime dhe unë e di këtë. 10% të mbështesin ty dhe 10 për qind janë të pavendosur. Ti ke marrë një vendim kundër 80% të anëtarësisë, si mund të qëndrosh në krye të Partisë Demokratike kur ke 80% të anëtarësisë kundër.

Lulzim Basha: Unë këtë e bëra që të mos përçaj Partinë Demokratike. Kam ndjekur debatet e ditëve të fundit, pas vendimit për doktor Berishën dhe më vjen keq që ta them më shumë kam dëgjuar gjysmë të vërteta. S’do ta gjeni kurrë të thënë nga goja ime që ai ka qenë vendimi i jetës sime, kam thënë që është vendimi më i vështirë që kam marrë. Dhe i tillë ka qenë dhe nuk ka kthim pas. Sali Berisha e ka deklaruar publikisht se nuk ka nevojë që askush prej nesh të jetë avokat i tij, pasi është përfshirë në një betejë personale.

Flamur Noka: Partinë e ke përçarë. Partinë e ke rrokullisur nëpër hore të historisë. Do të ngelë në histori kjo që ke bërë. Nuk ka kthim pas përçarja. E di si shpëton nga përçarja? Ka vetëm një rrugë: i jepet anëtarësisë vendimi. Demokracia direkte zbatohet. Duke zbatuar demokracinë direkte, aty ke shpëtuar partinë. Sepse po vendosi anëtarësia që vendimi yt është i drejtë, edhe Sali Berisha e pranon, edhe partia gjen paqen.

Lulzim Basha: Unë e di që e kam kundër ndaj e bëra që të mos e përçaja PD-në. Asnjë forum i partisë nuk kishte pse të mblidhej për Berishën, sepse nuk e kemi përjashtuar nga asnjë strukturë e partisë, por është larguar përkohësisht nga Grupi Parlamentar.

VIJON…

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *