EKSKLUZIVE/ Cikalleshi: Polonia dhe Hungaria, prova e… “zjarrit”



Dopietë, asist dhe një gol i anuluar nga VAR-i. Në fundjavë, sulmuesi i Kombëtares, Sokol Cikalleshi, shkëlqeu në një ndeshje vendimtare që Koniaspori fitoi 5- 1 kundër Kragumrukut, duke siguruar mesin e artë të tabelës. Për “Panorama Sport” sulmuesi i Kombëtares tregon objektivin personal, flet për ndeshjet e shtatorit, talentin Bytyqi që mund të vishet kuqezi, si e futi familjen në stadium teksa është karantinë.

Cikalleshi goli

Dopietë, gol të anuluar dhe asist. Si ishte kjo ndeshje?

Këtë ndeshje e kishim nisur që 3 ditë më herët. Tri ditë më parë, luajtëm ndaj Gallatasarajit dhe pësuam një gol në dy apo tri minutat e fundit dhe dolëm pa pikë. Menjëherë në dhomat e zhveshjes, u mblodhëm me ekipin, folëm, diskutuam dhe thamë të gjithë që s’na lejohen më gabime, hapa falsë. Për vetë pozitat e ekipit, e kishim të nevojshme që të riktheheshim te fitorja. Për fat, kështu ndodhi. Nuk ishte vetëm ndeshje fantastike nga unë, por nga e gjithë skuadra. Unë shënova dopietë dhe asistova, që u shoqërua me 3 pikët. Tanimë jemi më të sigurt në mesin e tabelës. Një objektiv kryesor i ekipit.

Sa keqardhje për atë gol të anuluar nga VAR-i?

Në fund, shumë, se do kisha bërë tripletë, por ishte i tillë për t’u anuluar. Gjatë ndeshjes, kur u sinjalizua VAR-i, po flisja me shokun e ekipit nëse e preku apo jo topin. Në fakt, ai nuk e ka prekur, por u sinjalizua në pozicion jashtë loje, sepse ishte më i avantazhuar se mbrojtësit dhe tentoi që të arrinte sferën. Pra, interferoi në aksion dhe për këtë, anulimi ishte i drejtë.

Por, pësuat gol dhe ai reagim juaji dhe i ekipit…

Realisht e kishim përgatitur mirë ndeshjen dhe pasi u anulua goli im, mendoja se mund të shkonin gjërat keq. Për fat jo, siç e kishim përgatitur shumë mirë ndeshjen, nuk e humbëm toruan dhe bëmë reagimin e duhur. Personalisht po e kërkoja me ngulm golin dhe doja shumë që të ndihmoja ekipin të rikthehej te fitorja.

Cikalleshi gol kombetarja shqiperia

Dy spektatore speciale në stadium, bashkëshortja dhe vajza juaj. Një motivim ekstra për ju për këtë paraqitje?

Absolutisht që po, një ogur shumë i mirë që ishin në stadium për mua. Ju e keni ndjekur edhe në rrjetet sociale kënaqësinë e vajzës, teksa unë shënoja dhe isha në fushë. Ua kisha premtuar Kornelias dhe vajzës që në ndeshjen e rëndësishme, si këtë fundjavë, do ishin në stadium.

Hungaria e Polonia në shtator. Çfarë duhet të presim nga Kombëtarja?

Miqësoret në qershor janë të rëndësishme, pasi janë një mundësi më shumë që trajneri të marrë përgjigjet që do nga skuadra apo lojtarë të veçantë. Aq më tepër që i shërbejnë skuadrës të jetë bashkë, të praktikojë disa ditë stërvitje me shumë së bashku. Sa u përket ndeshjeve me Hungarinë dhe Poloninë, për ne janë “prova e zjarrit”.

Është gati Shqipëria për ta kaluar këtë “provë zjarri”?

Të qëndrojmë me këmbë në tokë. Hungaria dhe Polonia kanë skuadra shumë të mira, ndoshta edhe më të mira sesa ne. Megjithatë, ajo që unë garantoj çdo tifoz, është se Kombëtarja do të bëjë maksimumin, me cilindo lojtar që do të jetë në fushë. Nëse ne do të aplikojmë 100% me fanatizëm skemat dhe filozofinë e trajnerit dhe nëse do të japim më shumë se 100% në fushë, atëherë unë kam bindjen se mund të marrim rezultate pozitive edhe ndaj këtyre dy rivalëve.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *