EKSKLUZIVE / Dy ekipe kërkojnë Marën, Skënderbeu e nis me 130 mijë euro. Ka plan edhe për rinovime









Në kampin bardhekuq kanë filluar të lëvizin për sa i përket merkatos. Përtej afrimeve që do të bëjë Skënderbeu në këtë dritare transferimesh, “kambanat” po bien edhe për largimet e mundshme. Në kushte të tilla, edhe pse është një ekip që lufton për mbijetesë, Skënderbeu i Memellit ka filluar të tërheqë vëmendjen e klubeve të ndryshme që duan shërbimet e lojtarëve më të spikatur në këtë pjesë të parë të sezonit.

mARA

I fundit në radhë është edhe Uerdi Mara, që ka pasur interesime nga disa klube të kampionatit tonë për ta bërë pjesë të tyre që në janar. Burime të sigurta në klub treguan për “Panorama Sport”, se menjëherë tri klube kanë shprehur interesim për mesfushorin maliqar të Skënderbeut. Të njëjtat burime treguan se interesimet që vinin në adresë të lojtarit në fjalë kërkonin të dinin se sa është shuma që Skënderbeu do të hiqte dorë nga shërbimet e Marës për të parë nëse mund të bënin diçka në lidhje me një transferim të tijin.

Por sikur të mos mjaftonte vlera që klubi i ka caktuar fantazistit, ajo që shton më shumë shpenzimet është detyrimi për formimin e lojtarit që Skënderbeu përfiton si klub mëmë. E thënë ndryshe, vetëm kjo klauzolë shkon diçka më shumë se 130 mijë euro, plus kërkesave të tjera që mund të ketë klubi për një lojtar në kontratë. Në kushte të tilla, edhe pse klube si Vllaznia dhe Dinamo interesohen për fantazistin, çmimi nga i cili Takaj nuk ka ndër mend të lëvizë e bën të pamundur finalizimin e kësaj tratative. Gjithsesi, Mara është një xhevahir për bardhekuqtë, aq më tepër që verën e këtij viti e rinovoi kontratën edhe për 3 vite.

RINOVIMET – Janë tre lojtarë që klubi bardhekuq u ka shtrirë dorën e bashkëpunimit për të arritur një marrëveshje të re për zgjatjen e kontratës. Bëhet fjalë pikërisht për Jorgo Meksin, Zhan Viktorin dhe Alfred Mensah, të cilët kanë një kontratë aktive me Skënderbeun deri në fund të sezonit. Të cilësuar si lojtarë të rëndësishëm për ekipin, por mbi të gjitha me të dhëna të mira për të ardhmen, siç është rasti i Mensah, Skënderbeu nuk kërkon të humbasë kohë për të mos rrezikuar largimin e tyre me parametër zero në qershor të vitit të ardhshëm. Për këtë, sikundër mësohet nga burime në klubin korçar, menjëherë sapo ekipi të grumbullohet në “Tropikal” me të tre lojtarët, do të shihet mundësia për zgjatjen e kontratës, minimalisht edhe për dy sezone. Kjo është një lëvizje e njohur tashmë e Skënderbeut, që nuk kërkon të lërë gjithçka për në momentet e fundit, por t’i paraprijë rrezikut të largimeve.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al





Te lidhura

Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.