EKSKLUZIVE/ E mbylli me verilindorët, zbardhen prapaskenat e përplasjes mes Ardit Hilës dhe Kukësit









Vjen edhe largimi i parë nga Kukësi, ende pa u mbyllur kampionati.

ARDIT HILA

Klubi verilindor dhe mesfushori Ardit Hila kanë ndërprerë para kohe marrëveshjen midis tyre, duke zgjidhur gjithçka me konsensus.

Duket si ironi e fatit, sepse ishte pikërisht 29-vjeçari afrimi i parë në merkato për këtë sezon dhe bëhet kështu edhe largimi i parë pa u mbyllur ende kampionati.

Prej disa javësh elbasanasi ishte “degdisur” në ekipin e 21- vjeçarëve nga ana e teknikut Diego Longo, i cili e dënoi për humbjen përballë Partizanit, duke e konsideruar si fajtor për disfatën në shifrat 5-0.

Hila ka qenë në pjesën e parë të kampionatit si “shpëtimtari” për skemat e Longos, pasi u aktivizua thuajse në të gjitha pozicionet që kishte mungesë lojtarësh dhe vetëm portën mbeti pa provuar.

Por, edhe ky fakt nuk mjaftoi për të fituar plotësisht besimin e italianit.

Madje, edhe në statistikat e fundit, rezultonte si sportisti me më shumë pasime në kampionat, e cila i shkonte për shtat stilit që Longo përdor tek Kukësi.

PRAPASKENAT – Sakaq, gazeta mëson se vendimi për largimin e Hilës ka qenë i teknikut Longo, i cili hoqi dorë nga shërbimet e tij pas ndeshjes me Partizanin dhe nuk e shihte më në skemat e tij.

Që nga ajo kohë Hila nuk u bashkua më me ekipin, për të ardhur deri në këtë pikë, ku palët kanë arritur zgjidhjen e kontratës.

Nga ana tjetër, gazeta mëson se në muajin janar ka pasur interesime nga ekipe të elitës për elbasanasin, por ka qenë Longo që ka vendosur “veton”, duke mos e larguar, pasi nuk dëshironte të forconte ekipet e tjera rivale.

Nga ana tjetër, e shihte ende si të rëndësishëm në skuadër.

Duke qenë se situata në javët e fundit u bë e padurueshme edhe për vetë lojtarin, sepse e shihte veten jashtë projektit, por edhe teknikut që befasisht humbi besimin, u arrit deri në zgjidhjen e kontratës.

SITUATA – Pas disa humbjeve me rivalët, ku nuk munguan as goleadat, në Kukës u prish qetësia e fillimsezonit dhe nisën problemet e para me lojtarët.

Pavarësisht se në klub mundohen të mbajnë grupin të bashkuar, vendimi i fundit tregon se situata nuk është ndër më të mirat.

Aktualisht, në të njëjtën situatë ndodhen edhe disa lojtarë të tjerë, të cilët nuk po preferohen më si dikur nga Longo, duke sjellë pakënaqësi.

Shembulli më i mirë është ndeshja e kaluar me Tiranën, ku përballë kryesuesve, një pjesë e titullarëve u lanë në stol, një mesazh ky i teknikut për këdo që del jashtë ideve të tij.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *