EKSKLUZIVE/ “E prisja fitoren, Vllaznia deri në fund për titull”, Latifi: Laçi më sjell fat, e mundim Teutën!





Liridon Latifi e nisi me gol aventurën te Vllaznia sa i përket kampionatit. Sulmuesi i krahut hapi serinë e golave në fitoren 5-3 në Laç, pikërisht në një fushë që i sjell gjithnjë fat. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 27-vjeçari nga Prishtina flet për nisjen e Superiores, synimet e Vllaznisë dhe aspektin personal. Ai është i bindur se tashmë radhën për ta mposhtur do ta ketë Teuta të shtunën në stadiumin “Loro Boriçi”. Latifi beson se kuqeblutë do t’i shkojnë deri në fund luftës për titullin kampion këtë sezon.

LIRIDON LATIFI

Liridon, e filluat kampionatin me gol për fanellën e Vllaznisë. E prisnit një nisje të tillë?

Po, e prisja. Kam mentalitet fitues dhe gjithmonë jam në kërkim të golit. Jam i kënaqur që e startova në mënyrë të tillë dhe skuadra arriti të fitonte që në javën e parë.

E dinit që Vllaznia kishte 7 vite që nuk fitonte në këtë transfertë kundër Laçit dhe tashmë u thye një tabu ndaj kësaj skuadre…?

Është një ndjenjë e mirë të them të drejtën. Kjo sepse thyem një tabu dhe është gjë e mirë për vazhdimësinë në kampionat. Shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm.

Duket se Laçi ju sjell fat si skuadër, pasi edhe kur ishit pjesë e Skënderbeut i keni shënuar rregullisht?

Është vërtet kështu, pasi edhe në prill të vitit 2017, përpara se të largohesha nga Skënderbeu kam arritur të shënoj tre gola në këtë fushë. Kujtoj që ka qenë ndeshja ime e fundit në Laç dhe fituam 5-1, përveçse realizova 3 gola kam dhënë edhe një asist në atë takim. Prandaj edhe këtë herë nuk mund të dilja pa një gol dhe një asist nga fusha e Laçit.

Besoni se kjo Vllazni do t’i shkojë deri në fund luftës për titullin kampion apo është ende herët për të folur në lidhje me këtë gjë?

Nuk është herët, ne jemi për kampion. Këtë e kemi thënë gjithmonë. Mund edhe të dështojmë, por synimet tona janë për kreun e tabelës.

LIRIDON LATIFI

E shikoni veten në toplistën e shënuesve të Vllaznisë këtë sezon?

Do të jap maksimumin që të jem në listën e golashënuesve dhe kjo nuk diskutohet. Pastaj, çfarë të vijë gjatë rrugës, mirë se të vijë.

Në aspektin personal, e shikoni aktivizimin në Shkodër si trampolinë për të kapur sërish një klub në Europë?

Të them të drejtën nuk jam duke menduar për asgjë tjetër veç faktit që të bëj mirë këtu ku jam. Jam shumë i motivuar dhe i përqendruar që të bej punën më të mirë të mundshme me Vllazninë një herë. Pastaj, nëse kjo ndodh, rrugët hapen vetë.

Java e dytë ju rezervon një përballje me Teutën. Është momenti për revansh pas asaj humbjeje në Superkupë ndaj durrsakëve?

Nuk do të kërkojmë revansh, pasi ajo çfarë ishte në Superkupë ka kaluar tashmë. Na mjafton eksperienca që kemi marrë nga ajo ndeshje. Thjesht, ne tashmë do të bëjmë maksimumin për të mbajtur kreun e tabelës. Do të futemi në fushë vetëm për 3 pikë kundër Teutës.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *