EKSKLUZIVE/ Flamurtari u ngjit në të Parën, Idrizi: Të luajmë me Veriun e Greqisë









Flamurtari i ka mbyl lur matematikisht llogaritë me ngjitjen dhe zyrtarisht sezonin 2022- 2023 do të jetë pjesë e Kategorisë së Parë. Direkt pas sigurimit të objektivit, Sinan Idrizi premton ruajtjen e grupit, paprekshmërinë e pankinës dhe pesë afrime cilësore nga elita.

SINAN IDRIZI

Me Flamurtarin, Skënderbeun dhe Dinamon në të njëjtin kampionat, ai parashikon një ligë tërësisht qytetare.

Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, numri një i klubit u mbyll derën lojtarëve vlonjatë që deri më sot e kanë parë ekipin si një bankomat. Ai jep edhe një propozim për ngritjen e “Ligës Epirote”, me bashkimin e ekipeve të Jugut të Shqipërisë dhe Veriun e Greqisë.

Objektivi u arrit, Flamurtari u ngjit zyrtarisht në Kategorinë e Parë.

Kodi ynë është 2023. Flas për 100-vjetorin e klubit. Ne do të hyjmë agresivë në infrastrukturë dhe e dyta, në ndërtimin e asaj që nuk kemi bërë prej kohësh. Besoj se vitin tjetër do të jemi një klub të paktën atje ku mendojmë se do të shkojmë.

Në Kategorinë e Parë do të keni edhe Skënderbeun dhe Dinamon. E shikoni të vështirë misionin për elitën?

Vitin e ardhshëm do krijojmë ligën qytetare. Me këto ekipe do të jetë kampionat klas. Do të jetë një Flamurtar shumë dinjitoz.

Thoni se doni të ndërtoni një Flamurtar dinjitoz, por përse duhet ta nisnit që nga Kategoria e Dytë?

Ne duhet të jemi në mënyrë paralele me investimet si në infrastrukturë dhe në ekip. Kemi planin e kodin tonë dhe shpresoj që ta arrijmë. Nuk dua të hyj në detaje. Vitin tjetër do të kthejmë Flamurtarin që duam ne. Por kjo nuk do të thotë që ky i sivjetshmi nuk është Flamurtari që duam ne. Këta kanë qenë një ekip që për mua vlen të respektohet më shumë nga të gjitha ekipet që unë kam pasur. Mos harroni se luanim në fusha që nuk na shkonte në mendje t’i shikonim në ëndërr e jo më të luanim.

Si do të jetë Flamurtari në Kategorinë e Parë?

Vitin tjetër do të kemi një Flamurtar me kualitet tepër të lartë. Do të jetë një miksim midis bazës këtu, të këtyre djemve që kanë qëndruar me ne dhe disa afrimeve të tjera. Përsëris që grupi do të jetë ky që është aktualisht. Është grupi i këtyre djemve që unë dua t’i falënderoj. Ka nga ata djem që ishin jo vlonjatë dhe luajtën në Kategori të Dytë dhe që kishin jo pak karrierë në shpatullat e tyre. Në të kundërtën e djemve me origjinë nga Vlora, të dalë nga akademia e Flamurtarit, që ikën dhe e braktisën qytetin e askush nga ata nuk erdhi të paktën as për etikë, një apo dy muaj që me demek e donin sa zemra e tyre. Të gjithë këta që e kanë Flamurtarin si bankomat, ishin djemtë e Vlorës që braktisën dhe këta djem nuk do të kenë shanse më që të trokasin te dera e Flamurtarit.

Sa lojtarë mendoni të afroni?

Do të afrojmë pesë lojtarë. Do të jenë futbollistë që vijnë nga Superiorja.

Do të ketë ndryshim në pankinë dhe stafin teknik?

Jo, jo. Stafi teknik do të jetë ky që e ngjiti skuadrën në Kategorinë e Parë. Thjesht do të përforcojmë grupin e lojtarëve.

Deri tani keni paguar mbi 1 milion euro detyrime të prapambetura. Ka më borxhe Flamurtari ndaj ish-lojtarëve apo ish-trajnerëve?

Flamurtari nuk ka asnjë borxh ndaj ish-lojtarëve apo ish-trajnerëve. I vetmi që ankohet është vetëm Franc Veliu. Çështja e tij duhet ndjekur në themel edhe nga mediat, pasi bëhet fjalë për një vijë demarkacioni në futbollin e pastër shqiptar. Shikoni pak para 6 vitesh kur Flamurtarit i janë hequr 6 pikë për rastin e Franc Veliut. Ne me kokëfortësi nuk i paguanim, pasi ato ishin tatim mbi të ardhurat e tij, kur FSHF nuk na e njihte kontributin tonë në arkën e shtetit shqiptar. Kjo është një histori që duhet mbyllur një orë e më parë. Nuk ka probleme likuiditeti për asnjë lojtar, pasi në të kundërt nuk do të na ishte hapur merkatoja.

Çfarë propozoni për FSHF që duhet përmirësuar apo si risi?

Meqë futbolli shqiptar nuk po prodhon dot më, unë nuk e di si janë rregullat e FIFA-s apo UEFA-s, por shumë shpejt pse të mos krijojmë një ligë të përbashkët dhe të themi Liga Epirote, me Veriun e Greqisë dhe Jugun e Shqipërisë, në kufijtë e “Open Balkan”. Ndoshta mund të vijë edhe Maqedonia më pas. Duhet të krijojmë disa alternativa të tjera, pasi siç e shihni, skemat në futbollin shqiptar kanë dështuar të gjitha. Nuk prodhohet më. Në Superioren shqiptare të vjen ndot të shikosh një ndeshje, nuk i fyej se kam qenë vetë pjesë e tyre, por janë stadiumet bosh dhe duhet gjetur një alternativë tjetër. Unë kam kërkuar kontakt me grupin e Janinës dhe të Igumenicës. Kur kohë më parë ka qenë Kupa Ballkanike që nuk është më, ndoshta do të shikojmë alternativa të tjera. Ju e shikoni që UEFA krijon Ligën e Kampioneve, Euro Ligën, ne kemi ngelur në atë statuskuonë tonë. Ndoshta duhet të gjallërojmë paketën sportive.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.