EKSKLUZIVE/ Gjyqi për Dinamon, reagon drejtori i bluve: Pontreli ka firmosur dorëheqjen, tani përdor emrin e…








Ditët e fundit “Panorama Sport” ka sjellë pretendimet e ish-presidentit të Dinamos, italianit Marko Pontreli, se ai është larguar padrejtësisht nga bordi drejtues dhe se ai do ta ndjekë çështjen ligjërisht, duke kërkuar të rimarrë klubin.

ERMAL BARUSHI

Presidenti Adrian Bardhi ka hedhur poshtë pretendimet e Pontrelit, duke u shprehur se italiani e ka shitur Dinamon para 8 muajsh dhe se ky klub tashmë është shoqëri aksionere dhe ka vetëm një president që zotëron 100% të aksioneve.

Por, Pontreli nuk është dakord me këtë tezë dhe në numrin e fundit të gazetës ka pohuar se Bardhi duhet të tregojë faturat e blerjes, ndërsa ai vetë do ta ndjekë çështjen deri në gjykatat ndërkombëtare.

REAGIMI I DREJTORIT

Në klubin blu, në fakt nuk kanë dashur t’i japin shumë rëndësi çështjes, sepse janë të bindur se kanë bërë gjithçka sipas ligjeve.

Ermal Barushi, aktualisht drejtor i përgjithshëm i Dinamos dhe po ashtu drejtues edhe në kohën e Pontrelit, në postin e sekretarit ekzekutiv, shpjegon për “Panorama Sport” se italiani ka firmosur dorëheqjen me vullnetin e tij të plotë.

Barushi gjithashtu lë të kuptohet se për akuzat e lëshuara nga Pontreli do të ndiqen rrugët ligjore.

“Si fillim, duhet të them se nuk meriton kaq vëmendje një maskaradë e tillë, që shihet pastër si një përpjekje për të përdorur emrin e zotit Adrian Bardhi, presidentit të Dinamos.

Me statusin e drejtorit të përgjithshëm të Dinamos dhe të ish-sekretarit ekzekutiv të saj në kohën e z.Pontreli, më duhet të sqaroj disa gjëra në lidhje me këtë çështje. Së pari, Marko Pontreli është ish-president i Futboll Klub Dinamo, i cili është larguar me vullnetin e tij të lirë, duke lëshuar një deklaratë dorëheqjeje të thjeshtë dhe noteriale përpara noterit.

Janë akte me fuqi të plotë ligjore. Zoti Pontreli duhet të mbajë përgjegjësi ligjore për veprimet e tij të bëra me vullnet të plotë. Nëse ai mendon se dikush ka shkelur mbi të drejtën e tij, atë të drejtë duhet ta kërkojë te vetja për vendimet që ka marrë me vullnetin e tij të plotë dhe të lirë.

Së dyti, presidenti i ri, zoti Adrian Bardhi, është emëruar rregullisht, sipas legjislacionit në fuqi, si presidenti i Futboll Klub Dinamo, fillimisht duke u pranuar si anëtar dhe më pas duke u emëruar në cilësinë e presidentit.

Rrjedhimisht, të gjitha veprimet që janë kryer në vazhdimësi nga Futboll Klub Dinamo, janë bërë në përputhje me ligjin dhe janë përforcuar dhe miratuar me vendim gjyqësor nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Së treti, Pontreli, nëse bën deklarata të tilla duhet të jetë i kujdesshëm, sepse po cenon dhe përdor emrin e zotit Adrian Bardhi si president legjitim dhe i vetëm i Dinamos.

Këto veprime të zotit Pontreli mund të sjellin pasoja ligjore të mëtejshme të referuara në organet gjyqësore, pasi po dëmton imazhin e presidentit Adrian Bardhi dhe të klubit Dinamo”, ka thënë dje Barushi për gazetën në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të klubit dinamovit.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *