EKSKLUZIVE/ “Ika nga Partizani prej Dajës”, Ferhan Hasani: Ju tregoj bisedën me trajnerin pas Europianit (E PLOTË)








Ferhan Hasani ishte një nga blerjet më të bujshme të Partizanit gjatë dekadës së fundit. I konsideruar si një lojtar që mund të bënte diferencën dhe mund të jepte një dorë për titullin kampion, mesfushori nga Tetova ka qenë gjithnjë në qendër të vëmendjes që nga dita që veshi fanellën e kuqe. Por, ai luajti vetëm 280 minuta me Partizanin në kampionat dhe në 12 ndeshje u aktivizua vetëm një herë si titullar:

Hasani

Ferhan, çfarë ndodhi mes jush dhe Partizanit?

Vendosa të largohem. U krijua një situatë e tillë dhe unë mora këtë vendim.

Ishte vendimi juaj apo i klubit për t’u larguar?

Të them të drejtën, vendimi për t’u larguar nga Partizani ishte imi.

Cili ishte shkaku?

I vetmi shkak ka qenë Ilir Daja.

Çfarë doni të thoni?

Nuk jam një lojtar që ai donte.

Pse nuk ju donte?

Shikoni, unë e kam thënë që ditën e parë kur jam prezantuar te Partizani, që nuk jam gati për të luajtur për momentin. Mirëpo, me kalimin e kohës, pas një jave pësova një dëmtim që më mbajti jashtë fushave për dy javë. Më pas, kapa ritmin e duhur. U grumbullova edhe me kombëtaren, luajta një ndeshje dhe isha në formë fizike optimale. U ktheva te Partizani, kam qenë shumë mirë fizikisht, por Daja thoshte që kam qenë i dëmtuar.

Po ju keni qenë i dëmtuar apo jo?

Kjo gjë nuk ka qenë e vërtetë. Po pse trajneri thoshte se ishit i dëmtuar? Nuk e di, pyesni trajnerin. Partizani luftonte për titullin kampion, por mua nuk më aktivizonte. Nuk kam luajtur në Laç, që ishte ndeshje shumë e rëndësishme. Më ka aktivizuar 10 minuta, 15  minuta, por unë nuk jam lojtar që luaj 15 minuta…

Dhe çfarë ndodhi më pas?

Dua të jem i sinqertë, mungesa e minutave vuri në pikëpyetje edhe Europianin tim, çka ka qenë shumë e rëndësishme për mua që të luaja në Europian dhe klubi e ka ditur që në fillim këtë gjë. Mirëpo, u vura seriozisht në pikëpyetje pasi nuk po luaja te Partizani. Po, por gjithsesi ju u grumbulluat me kombëtaren… Po, por kam dhënë shumë për kombëtaren e Maqedonisë në 11 vite, prandaj dhe e mora ftesën.

Çfarë ndodhi pasi u kthyet nga Europiani?

Pas Europianit, u ktheva direkt te Partizani dhe iu bashkova ekipit në Ohër pa bërë asnjë ditë pushim. Mendova se tashmë gjërat kishin ndryshuar, por e pashë veten tek ekipi i dytë i Partizanit. Atëherë nisa të reflektoj dhe u mendova gjatë. Unë jam një lojtar që paguhem shumë, jam më i paguari në Superiore dhe nuk mund të rri pa kontribuuar dhe pa justifikuar këtë gjë.

A keni folur ndonjëherë me trajnerin Ilir Daja për pakënaqësitë që kishit?

Po, kam folur. Kam biseduar me të edhe para fillimit të këtij sezoni dhe e kam takuar dy herë ballë për ballë trajnerin Ilir Daja. Më ka thënë që nuk jam gati, që nuk mund ta prish manovrën e tij dhe që i ka lojtarët që kanë luajtur gjithmonë etj… Nuk kisha çfarë të bëja më, ky ishte mendimi i tij.

Çfarë menduat pas bisedave me të?

Pyesja veten: “Po atëherë, pse e morën Ferhan Hasanin, pse e bënë gjithë këtë sakrificë…?!”

Si kanë qenë raportet tuaja me drejtuesit e Partizanit?

Shumë të mira. Dua të falënderoj shumë presidentin Gazment Demi, drejtorin Olsi Rama, që kanë qenë shumë korrektë ndaj meje. Të dy kanë bërë shumë që unë të qëndroj te Partizani, por ka qenë vendimi im që të largohem. Dua të falënderoj edhe tifozët që më kanë përkrahur, por për fat të keq nuk i kemi pasur afër. I uroj shumë suksese Partizanit në të ardhmen, dëshiroj shumë që të arrijnë aty ku u takon.

Tani që jeni larguar, a mendoni se Partizani ishte një zgjedhje e gabuar për ju?

Unë e kam thënë edhe më përpara që dëshiroja që një ditë të luaja me Partizanin në Shqipëri. Ditën e parë kur u prezantova, isha shumë i emocionuar. Kam refuzuar shumë oferta të tjera për Partizanin. Nuk mund të them që Partizani është një zhgënjim apo një zgjedhje e gabuar, vetëm nga një individ.

Si e kishit menduar aventurën tuaj te Partizani?

E kisha menduar ndryshe aventurën te Partizani, doja të qëndroja më gjatë. Doja të arrinim gjëra të mëdha. Doja të luanim sa më shumë në Kupat e Europës dhe normalisht të fitoja edhe titullin kampion. Por, te Partizani nuk erdha si Ferhan Hasani, po si një lojtar tjetër. Kam luajtur nga dy minuta, nga tri minuta.

Kujt ia komunikuat vendimin për t’u larguar?

Vendimin tim ia komunikova drejtorit Olsi Rama, pasi nuk kam dashur të kem komunikim me profesorin (Daja). Jam takuar me drejtorin dhe gjetëm gjuhën e përbashkët, duke thënë që është më mirë të ndahen rrugët.

A kishit përjetuar ndonjëherë situatë të ngjashme më parë në karrierën tuaj?

Nuk më ka ndodhur asnjëherë një situatë e tillë gjatë karrierës sime siç më ndodhi me Dajën. Kur një klub të do aq shumë, të kërkon aq shumë dhe trajneri nuk të aktivizon, këtu nuk është punë futbolli, por ka një gjë tjetër. Mendoni që vendimi i Dajës ishte thjesht prej taktikës dhe filozofisë së tij apo ka diçka tjetër, sipas jush? Të them të drejtën, nuk e di se çfarë problemi ka pasur Daja me mua. Kam dëgjuar fjalë për Dajën para se të vija te Partizani, po nuk kam dashur t’i besoj. Por të gjitha ato fjalë më kanë dalë tani në fund. Arsyeja që jam larguar është trajneri, dua të falënderoj edhe një herë tjetër presidentin, drejtorin dhe tifozët e Partizanit.

Çfarë fjalësh kishit dëgjuar?

Nuk dua ta zgjas. Nuk kam më asnjë koment për të. Jeni lojtari i parë në historinë e kampionatit shqiptar që luajtët në fazën finale të një Europiani.

Çfarë do të thotë kjo për ju?

Europiani është ëndërr e çdo fëmije. Do të ishte kënaqësi sikur të luaja qoftë edhe një minutë. Te Maqedonia kemi qenë një grup shumë i mirë, si një familje. Nuk kam qenë shumë i mërzitur që nuk isha titullar, pasi unë nuk isha titullar te klubi im. Kundër Holandës kisha emocione të mëdha, mund të bënim më mirë në Europian, por ndikoi edhe eksperienca. Besoj se në të ardhmen do të bëjë shumë mirë Maqedonia, pasi ka lojtarë të rinj e premtues.

Nga 1 deri te 10, çfarë note do t’i vendosnit kampionatit shqiptar?

Nuk kam asnjë koment. Më mirë të mos flas…

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *