EKSKLUZIVE/ “Ka marrë fund koha kur gazetarët ndërhynin në klub”, rrëfimi special i Tefik Osmanit: Fajtor jam edhe unë që nuk shkuam në Europë










Tefik Osmani premton një Tiranë ndryshe këtë sezon. Drejtori i bardhebluve flet pa doreza në një intervistë për “Panorama Sport” dhe nuk kursen askënd, as veten e tij.

osmani-tefik

“Nëse nuk ia dolëm të shkonim as në Europë sezonin që shkoi, fajtor jam edhe unë, pavarësisht se pati plot gjëra të tjera që dolën jashtë parashikimeve. Por tani jemi ndryshe dhe Shehi ka një skuadër siç e donte ai. Ka ikur koha kur gazetarë të ndryshëm trazonin ujërat në klub”, thotë ndër të tjera ai.

Si do të jetë Tirana këtë vit?

Do të jetë një skuadër ndryshe. Investimi është shumë i madh, por ka ndryshuar filozofia.

Që do të thotë?

Që do të thotë se nuk ka më kontrata afatshkurtra. Po përpiqemi të punojmë me plan afatgjatë. Kështu lojtarët ndihen më të sigurt, por edhe klubie ruan investimin e tij.

Çfarë nuk shkoi me Tiranën sezonin që shkoi?

Pati disa probleme, që nga dëmtimet e shpeshta dhe të shumta në numër, bojkoti i klubeve për çështjen e ligjit dhe natyrisht edhe elemente të tjera.

Bojkoti ishte për të gjitha klubet, jo vetëm për Tiranën…

Po, por ne ishim në kulmin e formës kur nisi bojkoti. Nëse do të kishte nisur kampionati, nuk do të kishim marrë ato rezultate në start. Plus pastaj që strategjinë për t’u besuar të rinjve e nisëm që vjet. Nëse do të merrnim Micin, a do të luante Ismajlgeci…? Nëse do të merrnim Lilajn, a do të luante Çelhaka? Duhet të shohim edhe anën tjetër të medaljes…

E kujt ishte përgjegjësia që pas titullit kampion Tirana nuk mori pjesë as në Kupat e Europës?

Shikoni, futbolli është i komplikuar, por unë nuk jam nga ata që u fshihen përgjegjësive. Përgjegjësi kryesor jam unë. 100% unë.

Çfarë leksioni morët si drejtor nga ai sezon?

Që duhet të punojmë me plane afatgjata dhe jo se si të nxjerrim vetëm një sezon. Që kur erdha futbollist te Tirana, pra pasi u largova nga Teuta, e kisha bindje në kokën time se në një klub të madh nuk mund të punosh me kontrata 1-vjeçare.

Tefik Osmani Tirana

Dakord, ka edhe përjashtime, por në tërësi duhet punuar me plan afatgjatë. Dhe kur gjërat nuk ecin siç duam, nuk mund të fajësojmë 4-5 lojtarë. Kjo ndodhte sepse disa gazetarë përpiqeshin të ndërhynin dhe të bënin menaxherin në klub. Kjo nuk shkon.

Cilët janë gazetarët që ndërhynin dhe për çfarë e keni fjalën konkretisht?

Jua thashë, praktika që kur humb e kanë fajin 4-5 vetë dhe kur fiton e kanë meritën vetëm 4-5 të tjerë dhe që u pëlqente ta bënin këta gazetarë te Tirana, është e gabuar. Me mua nuk do të funksionojë kështu. Kurrë më.

Cilët janë gazetarët që ndërhynin kaq thellë në punët e Tiranës?

E dimë mirë të gjithë, nuk më pëlqen të përmend emra.

Tefik Osmani

Në fakt, Tefik, emrat do të donte t’i dinte opinioni publik, kështu që meqë e nisët, më thoni emrat…

E dimë kush janë… Mos prit të të them emra… Janë gazetarë që ulen me pothuajse të gjithë presidentët e Superiores dhe u thonë atyre se janë për kampion. Në fund këta tipa i nxjerrin të gjitha skuadrat kampione. Janë njerëz që bëjnë rolin e menaxherit, që përpiqen të fusin nga një lojtar në klub, por nuk t’i them emrat sepse i njohin të gjithë.

JETMIR HALILAJ

INTERVISTËN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT” 

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *