EKSKLUZIVE/ “Kursyen bashkinë”, Flamurtari kontratë 2-vjeçare turqve. Zbardhet relacioni










Flamurtari do të administrohet nga Sinan Idrizi për dy vite. Këshilli Bashkiak planifikon të shtyjë me dy vite kontratën me kompanitë turke. Në mbledhjen që do të zhvillohet sot në orën 10:00 në ambientet e Pallatit të Kulturës Vlorë (edhe pse fillimisht u tha në ambientet e stadiumit), Këshilli Bashkiak do të miratojë edhe kërkesën e depozituar në limite prej përfaqësuesit të kompanive “TRK GROUP + ATLAS Global”.

Vllaznia-Flamurtari

RELACIONI – “Panorama Sport” zbardh ekskluzivisht relacionin që do të miratohet sot në këshill. Ky projektvendim është hartuar bazuar në kërkesën e paraqitur nga përfaqësuesi i shoqërive turke. Në këtë material saktësohet se gjatë viteve që klubi është financuar prej Sinan Idrizit, ka sjellë kursime në të ardhurat e Bashkisë Vlorë.

Ky bashkëpunim është realizuar bazuar në disa vendimmarrje të Këshillit të Bashkisë Vlorë, sikurse janë VKB nr.39 datë 31.07.2014 “Për disa ndryshime në administrimin e shoqërisë Flamurtari Football Club sh.a” apo VKB nr.38 datë 01.08.2016, VKB nr.89 datë 26.07.2018, VKB nr.64 datë 14.08.2020 me objekt “Për shtyrje të afatit të kontratës për administrimin dhe financimin e shoqërisë Flamurtari Football Club sh.a”.

MATERIALI FLAMURTARI

Pjesë nga materiali që do të miratohet sot në Këshillin Bashkiak për Flamurtarin

BORDI – Veç zgjatjes së kontratës së administrimit, do të miratohen sot edhe 4 anëtarët e bordit të klubit. Në bazë të marrëveshjes së lidhur midis Bashkisë Vlorë dhe shoqërive “TRK GROUP + ATLAS Global”, për mbikëqyrjen e aktivitetit të shoqërisë dhe vendimmarrje, Këshilli Bashkiak duhet të ketë përfaqësuesin e tij dhe pritet që ta zgjedhë sot me votë.

Këtë detyrë e ka mbaj tur Sokol Kushta, ndaj mbetet për t’u parë nëse do të rizgjidhet. Tre anëtarët e tjerë propozohen nga shoqëritë financuese. Këto të fundit kanë vendosur që të rikonfirmojnë në detyrë Sinan Idrizin, Kreshnik Çipin dhe Robert Islamin. Kohëzgjatja e afatit të mandatit të anëtarëve të këshillit mbikëqyrës do të jetë një vit, por ata kanë të drejtë të rizgjidhen.

PRIVATIZIMI – Procesi i privatizimit ka ngecur. Në këtë relacion, shpjegohen edhe shkaqet. “Bashkia Vlorë si zotëruese e aksioneve të shoqërisë ‘Flamurtari Football Club sh.a’, nuk ka mundur të kryejë shitjen e aksioneve që zotëron. Neni 8 përcakton se ministria përgjegjëse për sportin dhe njësitë e qeverisjes vendore merret me privatizimin.

Referuar nenit 8 të ligjit, për të cilin ende nuk janë nxjerrë aktet nënligjore, është pikërisht ky nen që ka të bëjë me marrëdhëniet me pushtetin vendor dhe nuk ka mundur të përcaktojë se si pushteti vendor mbështet zhvillimin dhe veprimtarinë e organizatave sportive që zhvillojnë veprimtari në territoret e tyre, sikurse është edhe shoqëria sportive objekt i këtij projekt vendimi”, theksohet në këtë relacion. Në përfundim, nënvizohet:

“Ndodhur përpara kësaj situate faktike dhe ligjore, përfaqësuesit e Këshillit të Bashkisë Vlorë janë të mendimit që të vazhdojnë bashkëpunimin me shoqëritë ‘TRK GROUP + ATLAS Global’ për financimin e ‘Flamurtari Football Club sh.a’ për një periudhë 2-vjeçare.

Shpresojmë që gjatë kësaj kohe të kryhen procedurat e shitjes së aksioneve apo formave të ndryshme të organizatave sportive që mund të përcaktohen nga legjislacioni shqiptar në vijim, si dhe të jepet mundësi për ringritjen e ekipit në vendin që i takon”, përfundon materiali.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *