EKSKLUZIVE / “Më mirë t’i kisha shpëtuar nga rënia”, Egbo shfryn ndaj Osmanit: Shkatërroi Tiranën me intriga e dallavere










Emanuel Egbo nuk i ka pritur mirë deklaratat e Tefik Osmanit. Ky i fundit, në intervistën e dhënë dje për “Panorama Sport”, tha ndër të tjera se Gent Muça ishte jashtë planeve të Egbosë, prandaj u largua. Ndërkaq, për trajnerin që u shpall kampion me Tiranën dy sezone më parë deklaroi se nuk kishte çfarë t’i jepte më skuadrës dhe prandaj u largua. Egbo ka një version krejt tjetër dhe ndonëse gjithë jetën në rolin e portierit, këtë herë kalon në “kundërsulm”, duke e cilësuar Osmanin intrigant dhe një njeri që turbulloi ambientin te bardheblutë. “Për faj të tij dhe intrigave që solli në klub, Tirana nuk shkoi as në Europë”, është kritika e ashpër e Egbosë. Në intervistën për “Panorama Sport”, ai tregon edhe detaje të tjera sa u përket problematikave në klub.

Emanuel Egbo

Egbo, a e keni lexuar intervistën e Osmanit?
Nëse keni marrë për të bërë polemika, unë nuk kam dëshirë të bëj polemikë. Ai le të vazhdojë të thotë çfarë të dojë… Osmani mund të thotë gënjeshtra sa të dojë, por njerëzit na njohin dhe e dinë kush jemi ne.

Pse thotë gënjeshtra?
Po si mund të thuash që nuk e kisha grupin nën kontroll dhe prandaj Tirana më paska hequr?! Mua më shkarkuan pas dy javësh dhe kjo është e pakonceptueshme në një realitet tjetër. Dakord, u eliminuam nga Kupa, por mund të kishim luftuar denjësisht për titullin dhe të ishte sërish një sezon i suksesshëm.

A e larguat ju Gent Muçën nga Tirana vjet?
Ah, edhe kjo… Po pse nuk merrni Muçën vetë edhe ta pyesni? Natyrisht, ai nuk do të flasë sepse është profesionist dhe është pjesë e klubit të Tiranës tani, por edhe vetë Genti e di kush e hoqi nga Tirana.

Kush e hoqi nga Tirana?
Unë jo. Për këtë të jeni të bindur. Përkundrazi, kur pashë planin e drejtuesve për ta aneksuar, atëherë i thashë edhe Halilit: “Nuk bën të sillemi kështu me një nga legjendat e skuadrës. Për mua Gent Muça është një nga lojtarët më të respektuar dhe më të rëndësishmit në harmoninë e grupit”. Mirëpo, nuk më dëgjuan dhe jo vetëm që e larguan, por e detyruan që të ikte vetëm një javë pasi kishte rinovuar kontratën. Pyesni këtë drejtuesin e ri, pyeteni mirë, se ai merr vesh shumë nga harmonia në klub.

Osmani e shprehu mendimin e tij dhe deklaroi që vetë Tefiku dhe Gent Muça nuk ishin më në planet e Egbosë…
Kjo është tërësisht e pavërtetë. Unë e kuptoj që Osmani tani është në pozitë të vështirë sepse Gent Muça u rikthye prapë aty dhe ai duhet të bashkëpunojë me të, por se kush e hoqi Gentin dhe se çfarë intrigash u bënë pas shpine, këto vetëm Osmani i di.

Kush bënte intriga?
Shikoni, nëse është prishur ndonjëherë harmonia në klub dhe në ekip, kjo ndodhi vetëm pasi Osmani u emërua drejtor. Ka bërë çdo gjë për të shkatërruar harmoninë te Tirana me intrigat dhe dallaveret e tij. Për sa kohë isha unë aty së bashku me Arbi Laçin, situata ka qenë nën kontroll të plotë. E them këtë, sepse Arbi Laçi dinte se si t’i menaxhonte faktorët e brendshëm dhe të jashtëm, madje dinte edhe se si të sillej edhe me njerëz që nuk ishin pjesë e stafit teknik. Kjo ishte diferenca mes tij dhe Osmanit. Kjo është arsyeja që ne u shpallëm kampionë, ndërsa me Osmanin Tirana mbeti jashtë Europës sezonin që shkoi…

Egbo

Si ka qenë raporti juaj me Osmanin kur e kishit futbollist te Tirana?
Kam pasur raport korrekt si me të gjithë. Ia kam dhënë shansin edhe të luajë titullar, por më pas kam vlerësuar se duhet të luante dikush tjetër. Vendimet i kam marrë gjithnjë në të mirë skuadrës dhe koha më dha të drejtë. Kaq, nuk kam pasur ndonjëherë ndonjë gjë personale me të.

Çfarë po bën aktualisht Egbo?
Unë vazhdoj të punoj me akademinë time dhe jam në pritje të një oferte për punë. Besoj se shumë shpejt do të mund të punoj në një klub të rëndësishëm.

Egbo Tirana

Në Shqipëri apo jashtë saj?
Mendoj se do të jetë jashtë Shqipërisë. Besoj në Shqipëri e kam mbyllur, sepse kështu thotë Osmani… (qesh). Osmani mendon që unë pasi kam fituar titullin, nuk kam çfarë jap më dhe unë po ia plotësoj dëshirën, do shoh mundësinë që të trajnoj jashtë. Por përtej shakasë, po ju them se është anormale që një trajner që rikthen titullin pas 11 vitesh në një klub, të shkarkohet vetëm pas dy ndeshjesh në sezonin pasardhës. Madje, një trajner i njohur, me të cilin kam biseduar disa muaj më parë, më tha se nuk arrinte të besonte që vërtet më kishin larguar pasi fituam titullin me Tiranën.

Kush është trajneri, mund të na e thoni emrin?
Është shumë i njohur dhe shumë i dashur për shqiptarët. Është i huaj…

Dakord, po pse nuk na e thoni emrin?
Nuk më pëlqen ta them. Nuk dua të përmend emra trajnerësh të mëdhenj për të vlerësuar punën time. Unë çfarë kisha ndërmend të bëja, e bëra te Tirana, me shumë profesionalizëm, me shumë dashuri dhe me shumë sakrifica. Kaq. Pjesën tjetër e gjykon opinioni publik dhe koha.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *