EKSKLUZIVE/ “Mos e kryqëzoni Uzunin”, Bogdani: “Tradhtoi” mesfusha, Gjimshiti në pesë mbrojtësit më të mirë të Serisë A

“Ky grup lojtarësh të imponon objektiva të mëdhenj. Me Anglinë prisja më tepër guxim dhe lojë”, kësh tu shprehet Erjon Bogdani, bomberi rekordmen i Kombëtares, me 18 gola me fanellën kuqezi. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi vlerëson maksimalisht lojtarët tanë, edhe për vetë paraqitjen ndaj “Tre Luanëve”, por shton se e ka të vështirë të vendosë një notë.

BOGU

Ndër të tjera, ai pranon arsyetimin e Rejës për kundërshtarë të fortë, por shprehet se priste atë lojë të pasminutës së 75-të edhe më gjatë.

Bogdani, si e patë Kombëtaren ndaj Anglisë?

Unë dua ta nis përgjigjen duke thënë atë që e dimë të gjithë, por ndonjëherë në analiza apo komente nuk e përmendim. Anglia është një superskuadër në arenën europiane. Ka lojtarë të jashtëzakonshëm, pjesa më e madhe e të cilëve është në Premier Ligë, një nga kampionatet më të forta në Europë për momentin. Ndaj, nuk ishte kurrsesi një ndeshje e lehtë për Shqipërinë.

Po thoni një humbje e justifikueshme, për të mos thënë e pranueshme?

Jo. Unë personalisht do të doja një Shqipëri pak më të guximshme në lojë. Faktikisht, mund të kishte zhvilluar një lojë edhe pak më të mirë sesa ajo e të dielës ndaj Anglisë.

Si mund të bëhej kjo kur pamë që për sulmuesit tanë bëhej e pamundur zotërimi i topit, nisur nga forca e kundërshtarit?

Forca e kundërshtarit është shumja e vërtetë, nuk kam çfarë të them. Unë personalisht nuk dua të ndalem as tek emrat, te Cikalleshi apo te Broja, meqë u referoheni me të drejtë ndoshta sulmuesve si pika e referimit që mund të nxjerrin skuadrën përpara. Sulmuesit i pashë në vështirësi, por kjo krejt e kuptueshme, pavarësisht se ndonjëherë Broja e Cikalleshi ndërruan rolet.

Po ju pyes ndryshe, cilin repart patë më tepër në vështirësi?

Atë të mesit të fushës. E them këtë sepse mesfusha e Kombëtares nuk ishte në ditën e vet më të mirë, nuk lidhi siç duhet repartet.

Çfarë menduat te rasti i Uzunit?

Ndodh. Futbolli njeh edhe raste më flagrante të humbura. Kurrsesi nuk duhet kryqëzuar Uzuni, sepse është një lojtar me shumë perspektivë. Dy rastet e tjera në pjesën e parë ishin goli dhe traversa e Anglisë. Vetëm kaq. Diferencën e bëri cilësia e sulmuesit anglez.

Çfarë duhet të synojë Kombëtarja sipas jush?

Nëse do të lëmë pas Hungarinë, mendoj se konsiderohet një objektiv i mirë i arritur. Vendi i katërt me këta lojtarë që ne kemi, nuk shkon. E them këtë, sepse objektivat më të lartë na i vendos pikërisht ky grup aktual lojtarësh. Kemi lojtarë nga mbrojtja në sulm që mund të na japin garanci për të pretenduar.

Mbrojtësit i kemi titullarë në ekipe të forta në Itali. Gjimshiti, pavarësisht atij gabimi në golin e dytë, është një nga pesë mbrojtësit më të mirë në Serinë A për momentin me çfarë ka demonstruar me Atalantën së fundmi. E ka demonstruar edhe kundër sulmuesve shumë të fortë, madje ka përballuar edhe lojën me situatat një kundër një, siç është tipi i lojës së Atalantës. Ka dalë përherë i suksesshëm.

Ismajli po shfaqet shumë mirë te Specia. Trajneri i saj, Italiano, të cilin e kam shok, më ka folur fjalët më të mira për Ardianin. Po bën mirë tani që është ambientuar si duhet. Hysaj, gjithashtu, me eksperiencë. Bare po kalon formë të mirë. Uzuni, Manaj apo Cikalleshi etj., që po kalojnë formë të mirë, na bëjnë të kemi objektiva më të mëdhenj dhe të dalin përpara Hungarisë.

OLSI TUJANI 

INTERVISTËN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT” 

Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *