EKSKLUZIVE/ Nga Copa Libertadores në Kategorinë Superiore, rrëfimi i Dominguez: Pse u largova nga Partizani






Roberto Dominguez u afrua me bujë te Parti zani në merkaton e janarit, duke qenë përforcimi që pritej në prapavijë. 24- vjeçari luan si qendërmbrojtës dhe si mbrojtës i djathtë, si dhe në ndeshjet me kombëtaren e El Salvadorit ka pasur duele me lojtarë si Nejmar, Kutinjo e të tjerë.

roberto-dominguez-partizani-tirana-albania-debut-02

Por, aventura e tij te Partizani nuk ka shkuar ashtu siç pritej, pasi Daja nuk mund ta ndante dyshen Bitri-Belica, që kanë qenë të shkëlqyer në edicionin që lamë pas. Për këtë arsye, Dominguez dhe Partizani ndërprenë bashkëpunimin. Për “Panorama Sport”, 24-vjeçari nga El Salvador ka treguar arsyet e divorcit, marrëdhëniet që ka pasur me klubin, si dhe ka treguar ndryshimin mes futbollit shqiptar dhe atij në El Salvador.

Roberto, u larguat nga Partizani. Cila është arsyeja e këtij vendimi?

Fola me klubin dhe arritëm një marrëveshje që unë të largohesha. Nuk m’u besuan shumë minuta, edhe pse unë vija nga një kompeticion i madh siç është Copa Libertadores. Nuk kisha minutat që kërkoja, prandaj u largova.

Keni kaluar 5 muaj në Shqipëri. Si do ta përshkruanit kohën tuaj te Partizani?

Këto 5 muaj që kam kaluar te Partizani kanë qenë shumë pozitivë, kam mësuar shumë nga shokët e skuadrës. Të gjithë janë shumë profesionistë, por gjëja kryesore, është se të gjitha janë njerëz të mirë.

Nga El Salvadori, në Shqipëri. Si ju është dukur toka shqiptare?

Shqipëria është një shtet shumë ndryshe nga shteti im, por më ka lënë mbresa të mira. Sidomos qyteti i Tiranës, që më ka pëlqyer shumë.

E ka të qartë Dominguez të ardhmen e tij?

Për momentin, do të rikthehem në El Salvador, do të shqyrtoj ofertat që do të kem në tavolinë dhe do të vendos për të ardhmen.

Si e keni gjetur futbollin shqiptar, si do ta përshkruanit?

Kampionati shqiptar është shumë kompetitiv dhe ka shumë lojtarë cilësorë. Rivaliteti është tepër i madh mes të gjitha klubeve dhe kjo gjë u pa edhe këtë sezon.

Ishit shumë pranë titullit kampion, por nuk ia dolët në fund. Si ndiheni?

Të fitoja titullin, pavarësisht se nuk luajta, do të ishte një arritje e madhe për mua, ishte një nga objektivat e mia. Ishte dhe objektivi i shokëve të skuadrës, por fatkeqësisht nuk ia dolëm. Mirëpo, një gjë është e sigurt, kjo skuadër gjithmonë do të synojë titullin kampion.

domingez, kardozo, melo

Mendoni se duhet të kishit luajtur më shumë minuta me fanellën e Partizanit?

Sigurisht, mendoj se po të kisha më shumë minuta, do t’ju tregoja të gjithëve se isha gati për Superioren.

Si do t’i përshkruani lojtarët e Partizanit, stafin teknik dhe drejtuesit?

Të gjithë janë njerëz shumë të mirë, duke filluar nga stafi teknik e duke përfunduar me presidentin. Lojtarët përveçse janë të shkëlqyer, janë edhe njerëz shumë të mirë. Gjithmonë më kanë ndihmuar gjatë gjithë kohës që isha këtu, pasi kisha probleme me gjuhën. I falënderoj për këtë gjë! Gjithashtu, u uroj më të mirat në të ardhmen dhe shpresoj të fitojnë sa më shumë trofe.

VERONIK ISTREFAJ – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *