EKSKLUZIVE/ Nga ndeshja me Spanjën tek Reja, Hafizi analizon Shqipërinë: Rasti i Balliut është gjynah i madh, Brojën e kanë nënvleftësuar






Astrit Hafizi është kritik për mënyrën se si trajneri aktual i Kombëtares shqiptare, Edi Reja, po kërkon të çojë kuqezinjtë drejt një hapi të madh.

Duke komentuar humbjen 2-1 në miqësoren ndaj Spanjës, ish-trajneri ka analizuar në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” atë që e cilëson mentalitet të gabuar dhe kokëfortësi të italianit.

hafizi

Hafizi flet edhe për rastin e mbrojtësit Ivan Balliu, por edhe për atë që sipas tij i mungon më tepër aktualisht Shqipërisë.

Profesor, çfarë përshtypjeje ju la ndeshja në Spanjë?

Në pamje të parë, kur shikon rezultatin, duket se është diçka e mirë. Në përgjithësi sa herë luajmë me skuadra të mëdha, opinioni sportiv në Shqipëri pajtohet me faktin që mjafton të pësosh një humbje me rezultat të ngushtë dhe jemi OK.

Pra, është krijuar mentaliteti se duhet të jemi të kënaqur, paçka se çfarë mund të ketë prodhuar loja brenda. Humbja 2-1 është e pranueshme, por unë mendoj se në ndeshje të tilla, duhet të shikojmë së pari se çfarë ka prodhuar ekipi.

Nuk ju pëlqeu loja?

Shikoni, pjesën më të madhe që ne vlerësojmë te skuadra jonë është mënyra se si luajmë në mbrojtje. Duke i bërë elozhe mbrojtjes, ne harrojmë që ndeshja nuk fitohet duke u mbrojtur, por duke sulmuar. I japim gjithnjë pak rëndësi pjesës sulmuese.

Më shumë merremi me pjesën e mbrojtjes, ku ka gabuar pak apo shumë, siç janë edhe rastet fatale nga ku pësojmë shpesh. Harrojmë që ato janë veprime që ndodhin nga ndeshja në ndeshje, me pasime të gabuara dhe gola naivë. Fitorja vjen duke sulmuar dhe kjo është mënyra që të çon përpara, pasi me këtë lloj loje që bëjmë nuk mund të shpresosh të ecësh përpara.

Si e shpjegoni sindromën e pësimit të golit në minutat e fundit, edhe pse duhet thënë se bëhej fjalë për një aksion të nisur në pozicion jashtë loje…?

Unë këtë e shikoj në një prizëm tjetër, paçka se dikush nuk e përmend, ndoshta prej harresës. Duhet të jemi të sinqertë, pasi këto gjëra ne i kemi pasur gjithmonë. Nuk është hera e parë që Kombëtarja humbet me rezultate të ngushta ndaj emrave të mëdhenj në Europë. Për ata që kanë harruar, i kemi shënuar tre gola Gjermanisë kampione dhe sërish jemi ndëshkuar në fund. Këto ndeshje na janë përfolur prej 25-30 vitesh, ndërsa trajnerët e huaj që vijnë, thjesht po përsërisin rezultatet tona.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Atëherë për çfarë janë marrë këta trajnerë të huaj dhe cili është mentaliteti që kanë sjellë?! Ne nuk kemi pasur ndonjë eksperiencë të madhe, por kemi bërë ndeshje të mira ndaj emrave gjigantë të futbollit, edhe pse kemi humbur. Tani do të vazhdojmë të kënaqemi me humbje dinjitoze, në një kohë që marrim trajnerë nga jashtë për të na rritur nivelin?! Kushtet, menaxhimi dhe infrastruktura që kanë tani, nuk ka asnjë lidhje me kohën kur drejtonim ne.

Edhe pse trajnerët aktualë janë marrë për të na çuar te suksesi, ne sërish pësojmë gola në fund dhe në fillimet e ndeshjeve. Çfarë mentaliteti i japin kësaj skuadre këta trajnerë kur shikon se përsëriten të njëjtat gjëra.

Më vjen keq që e përmend, por në këtë rast kemi mbetur po me të njëjtin mentalitet kur kemi drejtuar ne Kombëtaren, duke filluar nga unë, Bajko dhe Birçe apo ata që nuk jetojnë më. Ku është ndryshimi tani, për çfarë merren këta trajnerët e huaj?

Shpesh keni kritikuar mënyrën se si rreshtohet ekipi nga Reja, duke qenë kundër skemës 3-5-2. Pse mendoni kështu?

Dua të sqaroj se edhe unë si trajner kur drejtoja Kombëtaren, kam luajtur me skemën 3-4-3. Me tre mbrojtës kam luajtur para 25 vitesh, por e kam bërë sepse të tillë i kam pasur lojtarët, jo se kam pasur dëshirë. I kisha futbollistët adapt për këtë skemë, pasi nuk isha unë i lidhur me këtë variant.

Kujtoj që Gjermania në vitin 1996 luante me këtë sistem. Sot që trajneri Reja po përdor skemën 3-5-2, mendoj se nuk i ka lojtarët e duhur dhe nuk është se kjo e çon te rezultati. Kur nuk ke futbollistët që i përshtaten këtij varianti, nuk e kuptoj pse qëndron kaq kokëfortë.

Janë lojtarët ata që prodhojnë skemën, jo të çosh variantin tek ata. Nëse ata nuk të përgjigjen, atëherë duhet ndryshuar, jo të vazhdosh me kokëfortësi. Këtë po e shoh vazhdimisht te Reja, në një kohë që pjesën më të madhe të lojtarëve i ka nxjerrë jashtë loje me këtë variant.

Çfarë i mungon aktualisht Kombëtares që të bëjë një hap të madh me këtë grup lojtarësh?

Ndërtimi ynë i lojës lë për të dëshiruar. Nuk jemi ende një skuadër e nivelit të lartë. Vërtet mundohemi dhe bëjmë gjithçka ndaj ekipeve me emër, për të kapur ndonjë rezultat të ngushtë, duke qëndruar mbrapa dhe pritur të gabojë kundërshtari, por ama nuk kemi ende mentalitetin e lojës sulmuese.

Ne kemi shumë nevojë për mesfushorë të mirë, që mbajnë topin dhe që bëjnë pasime të sakta, duke ditur të menaxhojnë rezultatin.

Barazuam me Spanjën dhe gabuam pas vetëm pesë minutash te pasimet afër zonës sonë, duke pësuar sërish. Aktualisht kemi një grup shumë të mirë futbollistësh, por mungon menaxhimi i tyre dhe ndërrimi i një mentaliteti që duhet futur nga trajneri, pasi nga fryma e shenjtë nuk mund të futet.

Në veprimet sulmuese jemi ende larg asaj që kërkojmë. Vërtet nuk është e thjeshtë të ndërtosh një lojë sulmuese, por ne bëjmë edhe gabime në mbajtjen e topit herë pas here dhe skema ka nxjerrë jashtë loje disa lojtarë.

Edhe vetë trajneri po thotë të njëjtën gjë pas ndeshjes, duke evidentuar pikërisht ato gabime që ekipi ka 30 vite që i bën. Kush përgjigjet për këtë…?

Ndaj Spanjës u fitua një lojtar si Ivan Balliu, i cili ka qenë aty, por çuditërisht nuk është përdorur më parë…?

Është gjynah i madh ajo që është bërë me këtë lojtar. E kemi pasur përpara syve dhe nuk e shikonim, në një kohë që trajneri kërkonte në vende të tjera futbollistë në rolin e tij. Pra, e ke të mirën te dera dhe nuk e sheh. Më duket e pashpjegueshme që arrihet në një pikë të tillë në Kombëtare.

Si ka mundësi që një lojtar i tillë nuk është marrë më parë, por vetëm ka pasur justifikime për dëmtime nga stafi. Kjo nuk është normale, pasi lojtarë me cilësi të tilla janë të paktë. Një si Balliu vetëm mirë mund t’i bënte ekipit.

Sa vlen në këtë moment një miqësore kundër Gjeorgjisë?

Kjo është një miqësore që mund t’i vlejë Rejës për ndonjë paqartësi që mund të ketë për futbollistë të veçantë apo përshtatjen e tyre me sistemin e lojës.

Mendoj se trajneri do të kërkojë të stabilizojë ekipin me një mesfushor të krahut të majtë dhe një organizator në lojën para mbrojtjes. Ka mundësinë të bëjë disa lëvizje, pasi kjo tip ndeshjeje vetëm kështu mund të të shërbejë.

Të flasim pak për Brojën, që në këtë moment po imponohet me formën e jashtëzakonshme që po kalon. Me cilin nga sulmuesit e tjerë mund të përshtatet më tepër?

Të flasim troç, Broja është një lojtar që dikush e ka nënvlerësuar më përpara. Nuk i kanë dhënë atë që duhej në impaktin e parë që ka dhënë si sulmues me mënyrën e lojës. Por, mendoj se kanë gabuar, duke pasur parasysh që një si ai jep shenja të qarta dhe dallohet në aftësitë që ka.

Sot Broja pa diskutim me punën e tij ka arritur të jetë në një moshë shumë të re lider i sulmit tonë.

Ndoshta një tip lojtari që i shkon nga mbrapa mund të jetë adapt për të, jo të vendosen dy sulmues në të njëjtën kohë. Broja ka nevojë për një futbollist që e mbështet lojën e tij, që të jetë i zgjuar dhe të shkojë në zonat ku ai krijon hapësira. Në syrin tim sulmuesit e tjerë nuk i kanë këto karakteristika.

E ka aktualisht Kombëtarja një lojtar të tillë?

Mendoj që lojtari që do të përshtatej në mënyrë fantastike do të ishte Nedim Bajrami, i cili është një numër 10 tipik. Pra, duke qenë një sulmues i dytë si Bajrami dhe jo i ekspozuar, edhe sulmi ynë do të kishte përfituar shumë. Me atë që kam parë, Bajrami i ka këto karakteristika për të bërë mirë pas Brojës.

Lojtarët e tjerë si Cikalleshi, Manaj apo Uzuni, sikur sfumohen në krah të Brojës kur janë sulmues të deklaruar.

Të kuptohemi, Broja është ende i ri dhe nuk është ai futbollisti që do të mbajë tani në shpatulla ekipin Kombëtar dhe do ta nxjerrë nga situata. Do kohën e vet të pjekurisë si sulmues dhe sigurisht duhet mbështetur.

Janë ca gjëra që ai do t’i fitojë me kalimin e kohës. Te Sauthemptoni ka një grup lojtarësh cilësorë që e mbështesin shumë dhe i pasojnë mirë, kështu që te ne nuk mund të lihet vetëm dhe duke i dhënë topin të mendojmë se do të na nxjerrë nga situata.

Sigurisht do të vijë edhe koha që Broja do t’i zgjidhë vetë problemet, por puna që duhet të bëhet me lojtarët e tjerë rreth tij është shumë e rëndësishme. Pra, se si do të shkojmë ne te porta kundërshtare.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.