EKSKLUZIVE/ Nis “fshesa” te Partizani, largohet sulmuesi i ardhur me bujë në merkaton e verës









Nisin spastrimet te Partizani. Andrija Filipoviç erdhi si një emër prestigjioz te të kuqtë, por në fund rezultoi të ishte një nga afrimet më të dështuara të klubit specifikisht dhe të Kategorisë Superiore në përgjithësi.

FILIPOVIC

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se kroati është larguar nga Partizani. Kjo ndarje ka ndodhur me konsensusin e të dyja palëve, që natyrshëm nuk kanë qenë të kënaqura me njëra-tjetrën.

Lojtari ndoshta ka dashur më shumë minuta, ndërsa klubi më shumë gola apo asiste nga kroati, i cili kur u bë pjesë e të kuqve vlente gjysmë milioni euro në merkato, sipas portalit “Transfermarkt”, dhe ishte më i shtrenjti i të kuqve. Paga e tij te Partizani ishte 7 mijë euro në muaj, aspak e ulët për nivelin financiar të klubeve tona.

Drejtuesit nuk e kanë parë të arsyeshme të vazhdojnë marrëveshjen me sulmuesin dhe i kanë kërkuar largimin me marrëveshje të të dyja palëve.

Pas negociatave mes tyre, lojtari ka pranuar të lërë klubin e kuq duke marrë pagat e tij deri në fund të këtij viti. Trajneri Ilir Daja i besoi jo pak kroatit në nisje të sezonit, madje e aktivizoi titullar në derbin e parë të sezonit ndaj Tiranës, por 24-vjeçari nuk dha asnjë sinjal pozitiv.

Në ndeshjet e fundit atij iu bë e qartë se është jashtë planeve të klubit dhe u la në tribunë nga Daja, edhe pse nuk kishte asnjë sulmues tjetër tipik në skuadër.

Filipoviç luajti në vetëm 6 ndeshje në Superiore me Partizanin, teksa 2 prej tyre i nisi i titullar, por pa rezultat. Në 215 minuta në fushë, ai nuk mundi të shënojë asnjë gol apo të dhurojë ndonjë asist.

Të vetmet sinjale ai i dha në Kupë, ku në 4 ndeshje, shënoi 2 herë ndaj një kundërshtari modest si Tërbuni. Në verë kroati firmosi me Partizanin kontratë për tri vite, deri në 2024-ën duke nisur një projekt afatgjatë, që në fakt nuk u materializua asnjëherë.

Një lëvizje e dështuar e të kuqve, të cilët prej disa sezonesh nuk arrijnë të gjejnë një golashënues, që të mbajë peshën e sulmit të kuq.

Gjithsesi, largimi i Filipoviçit i hap rrugën drejtuesve që të nisin kërkimet për një tjetër sulmues qendre, aq i nevojshëm për Partizanin në këtë sezon.

Dritarja e transferimeve hapet pas vetëm pesë ditësh dhe drejtuesit kanë nisur prej kohësh lëvizjet për të firmosur me një sulmues cilësor, elementi, që i mungon më së shumti kësaj skuadre, që është një nga më krijueset në Kategorinë Superiore, por gabon pafund para portës.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *